Rebuse ballkanikë për Besën e Teutën

Teuta për herë të pestë dhe Besa për herë të parë janë dy skuadrat shqiptare midis 74 skuadrave që marrin pjesë në turin e parë eliminator të Kupës UEFA për edicionin 2007-2008, të ndara në 37 cifte, ndeshjet e të cilave zhvillohen sot, më 19 korrik 2007, (2 gusht 2007, ato të kthimit). Rruga duhet pranuar se nuk do të jetë aspak e lehtë për dy ekipet shqiptare, pavarësisht emrit të kundërshtarëve.
Teuta
Skuadra e Teutës gjatë katër pjesëmarrjeve të para nuk ka mundur të kualifikohet asnjëherë për në turin e dytë, madje ka mundur të fitojë vetëm 1 nga tetë takimet në Kupën UEFA. "Djemtë e detit", që e mbyllën si nënkampionë të Shqipërisë, nën drejtimin e Sulejman Starovës, tani drejtohet nga shkodrani Hysen Dedja. Cili është objektivi i Teutës në Kupën UEFA? Përgjigjen e jep presidenti i klubit durrsak, Edmond Hasanbelliu: "Objektivi ynë është që të paraqitemi në mënyrë dinjitoze, sic i ka hije një ekipi si Teuta dhe të bëjmë maksimumin për të kaluar një tur". Teuta, që gjatë edicionit 2005-2006 u eliminua nga kroatët e Shiroki Brijeg, nuk konsiderohet favorite nga kompanitë e basteve në përballjen me Slaven Belupo në "Gradski" të Koprivnicës (ora 17:45). Betexplorer.com e vlerëson fitoren e vendasve: 1.34, barazimin 4.48, ndërsa fitoren "surprizë" të Teutës me koeficientin 6.75.
Besa
Formacioni i trajnerit rumun Silviu Dumitresku ( i cili drejton jo vetëm për herë të parë Besën, por edhe një ekip shqiptar në ndeshje ndërkombëtare), do të përballet në Beograd me një skuadër debutuese në arenën europiane si Bezhanjinja, thuajse të panjohur në mjedisin ndërkombëtar edhe atë shqiptar. Dumitresku, ish-trajneri i Apolonisë gjatë një pjesë të sezonit të kaluar, mbeti i kënaqur nga faza përgatitore e Besës në Mavrovë të Maqedonisë dhe nga kontigjenti i lojtarëve që ka në dispozicion. Rumuni, përvec faktit se pranon se e njeh shumë pak kundërshtarin, do të aplikojë një strategji sulmuese në Beograd, madje me tre sulmues të mirëfilltë: kavajasin Parid Xhihani, shqiptarin nga Maqedonia, Arben Nuhiu dhe haitianin me pasaportë franceze, Herbi Fortunat. "Do të luajmë një lojë sulmuese që nga minuta e parë dhe do të kërkojmë golin", - është shprehur Dumitresku për shtypin sportiv. Betexplorer.com edhe për takimin FK Bezhanjina-Besa (ora 18:00) është në të njëjtën kuotë: 1.38 fitorja e serbëve, 4.26 barazimi dhe 6.40 vlerësohet fitorja e Besës sonë.