Flet Presidenti, Topi: Do rikthehem si misionar në politikë

Bamir Topi
Kreu i shtetit i përgjigjet Nanos: Ndiej keqardhje, foli me
gjuhën e Berishës për 21 janarin. Të jetë më dinjitoz
Presidenti: Jemi në simptomat e diktaturës.
Presidenti Bamir Topi kritikoi dje ish-kryeministrin Fatos Nano për sulmet e këtij të fundit për qëndrimin e kreut të shtetit më 21 janar.
Në një intervistë në Top Story të gazetarit Sokol Balla, Topi tha se qëndrimi i Nanos është i njëjtë me atë të Kryeministrit Berisha. Në të njëjtën kohë, Presidenti e quajti kapitull të mbyllur rikthimin në PD, duke lënë të hapur tani bashkimin me një formacion tjetër politik.
Popullariteti juaj në vizitën në Maqedoni, ku u pritët si një President i të gjithë shqiptarëve, ishte i qartë. Por, një javë më parë, i ulur në këtë poltron, kandidati i vetëshpallur për President konsensual, Fatos Nano, ju kritikoi pikërisht për mosushtrimin e plotë të kompetencave tuaja në një moment delikat dhe të ndonjë roli konkret në një moment delikat si ai i 21 janarit.
Kur më thanë ditë më parë për këtë qëndrim, mendova se zoti Nano e kishte fjalën për 14 shtatorin (1998), por duke e parë, e kuptoj që një prononcim i tillë i tij lidhet me një pragmatizëm konkret. Më duhet të them se ndiej një lloj keqardhjeje sepse ai ska bërë gjë tjetër vetëm ka perifrazuar gjuhën e Berishës duke dashur të jetë tërheqës, për të marrë mbështetjen e maxhorancës për të qenë në krye të shtetit. Do ti kujtoja që nëse ka qenë në Shqipëri apo nëse ka qenë jashtë, uroj të ketë ndjekur rolin e Presidentit të Republikës në ato ditë, por edhe nëse nuk e ka ndjekur, e ripërsëris në 30 sekonda. Më datë 20 janar, në mbrëmje, unë organizova një pritje të përvitshme në Pallatin e Brigadave me diplomatët, si çdo Vit të Ri, dhe duke parë klimën e tensionuar politike, kam dalë nga teksti i shkruar dhe bëra një apel të çastit duke u kujtuar forcave politike se në kushtet e një tensioni të lartë politik, duke e thënë përpara ambasadorëve, bëra thirrje për qetësi, maturi e bashkëpunim. Për fat të keq, apeli shkoi në vesh të shurdhër dhe më 21 janar ndodhi ajo që ndodhi. Unë nuk dëshiroj të rikthehem në një temë që besoj se e kam ezauruar, por Presidenti i Republikës ka zbatuar në mënyrë të përpiktë dhe me ekuilibër të plotë të gjitha kompetencat e tij për të dalë nga ajo situatë që u krijua ekskluzivisht nga tensioni i madh politik midis dy forcave kryesore politike. Është shumë interesante me këto personazhe që e përgatisin një situatë të tillë, e realizojnë dhe në distancë kohore fajin e kërkojnë diku tjetër. Ajo ngjarje (21 janari) tregoi se duhet të punojmë më shumë me kokë, sesa me këmbë, më shumë racionalë, me më shumë sens dialogu, dhe jo sensin e forcës e prepotencës që shpesh vjen nga pushteti dhe në pjesën tjetër vjen nga dëshira për të qenë në pushtet. Presidenti nuk e ka pasur këtë emocion politik, sepse është në karrigen e Presidentit, por ka dhënë apelet e duhura dhe ju e dini që përfaqësuesit e forcave kryesore politike kanë konsumuar orë të tëra në Presidencë, pa pasur asnjë vullnet për tu marrë vesh. Ajo klimë nuk ndodh në një ditë, kjo klimë, siç dihet nga të gjithë, u konsumua ditë pas dite, për fat të keq, për një periudhë të gjatë kohe u fut në një shtrat kronik. Sot është momenti që patjetër, çdo njeri që ka një projekt politik, qoftë edhe për të shkuar në zyrën e kreut të shtetit, duhet ta bëjë në mënyrë dinjitoze. Është e drejta e Nanos të konkurrojë, unë i uroj sukses në ambicien e tij, por për tiu referuar asaj që tha si politikan i vjetër e me përvojë, i uroj që këtë garë ta përballojë me dinjitet.
Pra ju thoni që deri tani nuk e ka?
Jo, nuk mund ta them. Por, tentativa për të përdorur një frazeologji apo për të përmendur pikërisht një individ apo institucion, që disa aktorë të politikës vendimmarrëse nuk e kanë shumë për zemër për shkak të debateve apo konflikteve institucionale, kam përshtypjen që tenton të jetë shumë atraktiv pikërisht te kjo pjesë. Nëse unë do të merrem duke kritikuar një njeri, i cili mund të jetë në garën e caktuar, kam përshtypjen që në rastin konkret do ti bëj nder, sepse do të jenë më të prirë ata që kanë qenë gjithmonë në konflikt me Presidentin për ta katapultuar në karrigen e kryetarit të shtetit.
Nano tha se nuk ishte penduar për votën pro jush në 2007-n, megjithëse tha se nuk votuam për Topin, por për zgjidhjen e krizës. I jeni sërish mirënjohës?
Unë mirënjohjen e konsideroj virtyt dhe pavarësisht nga debatet e ditës, u jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që realizuan votimin kushtetues. Sqarimin e kam dhënë vetë. Unë e konsideroj edhe si një veprim që ka sjellë jo vetëm në sensin e përgjithshëm, por edhe në sensin personal.
Seanca për zgjedhjen e Presidentit duhet të ketë patjetër 84 vota?
Nuk futem në teknikalitete. Presidenti nuk duhet të jetë thjesht për zgjedhje politike të një krahu politik, sikurse jemi mësuar të dëgjojmë deklarata të shpeshta kohët e fundit. Unë jam për një President që do të zgjidhet në linjë konsensuale. Të ketë një frymë kohezioni për zgjedhjen e kreut të shtetit, i cili duhet ti përfaqësojë të gjithë. Pasi të kenë rënë dakord për këtë, duhet ti nënshtrohen procedurës së zgjedhjes së Presidentit, që është rigoroze. Unë do të isha për një figurë që vjen si prodhim i një konsensusi politik.
Pasuesi i Topit: Nano, Topalli?
Nuk futem në emra, sepse në bazë të parimit të principit, që kur nuk je vetë në një betejë, sidomos kur ikën nga një vend ku të tjerët mendojnë që do të vijnë, nuk ke pse shprehesh. E dyta, nuk shprehem edhe për një arsye tjetër, sepse nuk jam pjesë e këtij procesi, nuk jam në Parlament. Po të kisha qenë pjesë e një linje politike të caktuar, një faktor politik, mund ta kisha thënë shumë hapur mendimin tim.
Në sirtarët e Parlamentit janë edhe shumë dekrete tuajat për anëtarë të Gjykatës së Lartë…
Ju e dini që është kthyer në një qëllim në vetvete, çfarë duan kalojnë, çfarë nuk e konsiderojnë të tyrin, e rrëzojnë.
Sot zonja Leskaj ka folur shumë gjatë për çështjen e balancimin e bordeve të mediave publike.
Më vjen shumë mirë që janë zgjuar nga gjumi më 26 prill 2012. Problemet janë vërtet evidente dhe duhet të trajtohen në sensin e funksionimit të demokracisë të institucioneve në Shqipëri. Dashur padashur, ju dhe të gjithë ne jemi ambientuar, madje do të thosha që shpeshherë të gjithë personazhet e jetës politike apo analistët paragjykohen që në momentin e parë. Po institucionet kë kanë? Pse njerëzit duhet të kënaqen kur sulmohen institucionet? Pse nuk ka kritika me kurajë për të rikthyer atë standard që duhet ta ketë një vend që del nga një diktaturë? Pse jemi ambientuar duke ikur nga një diktaturë për të kaluar në simptomat e një diktature tjetër?
Kjo është një akuzë e rëndë që po bëni…
Kjo është një akuzë që është më e rëndë për ju që keni frikë ta dëgjoni. Si mund të thotë Presidenti ndryshe kur TVSH-ja, që me Kushtetutë është institucion që i shërben imazhit të vendit, që funksionon me taksat e shqiptarëve, është institucion në dorën e Kryeministrit?
Ju do të ktheheni në politikë? Ku do të ktheheni?
Kur ti vijë koha do ta merrni vesh se ku do të jem. Ju siguroj që karriget janë bërë shumë të mërzitshme për mua. Nëse kthehem në politikë, do të kthehem si një misionar për të realizuar atë që sikurse u pa dhe pak më parë, që njerëzit kanë filluar të kenë frikë edhe për të folur.
Ju me statut jeni edhe anëtar i përhershëm i Këshillit Kombëtar të PD?
Tashmë është një kapitull i mbyllur. E kanë mbyllur pikërisht ata që