Flet deputeti: Karrigia ime nuk është e njëjtë me atë të kryetarit të bashkisë
Andis Harasani s’i bindet bojkotit të PS as për komisionet e Kuvendit
Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasan ishte i pranishëm dje në punimet e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. Pjesëmarrja e deputetit socialist, Harasani është thyerje e vendimit të Grupit Parlamentar të PS-së, për të bojkotuar punimet e seancave dhe komisioneve të Kuvendit, deri në shpalljen e vendimit të Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet në Tiranë. I pyetur nga mediat e pranishme për arsyen e shkeljes së vendimit, Harasani ka deklaruar se nuk është informuar nga selia rozë në lidhje me vendimin e grupit. “Nuk kam qenë i ftuar në mbledhjen e Partisë Socialiste kur u mor ky vendim si dhe nuk jam në dijeni të asnjë vendimi. Unë do bëj detyrën time si deputet. Mu duk me rëndësi projekt ligji i privatizimeve në Komisionin e Ekonomisë. Karrigia ime nuk është e njëjtë me atë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, Harasani. Edhe në seancën e javës së kaluar, Harasani së bashku me deputetin Kastriot Islami dolën kundër vendimit të selisë rozë duke marrë pjesë në zhvillimin e saj.