E Diel, 1 Nëntor 2026

Performanca “Itaka grua”, sirena mbi pasarele, gjysmë nudo, eros dhe sharm



Petrika GROSI
Para disa ditësh (26 maj ‘09) në Durrës është zhvilluar në “Flag Ship Centre” një performancë e veçantë mode e titulluar “Itaka grua”. Fillimisht vajzat kanë sfiluar me veshjet e Merita Toçilës, duke e nxehur skenën pak e nga pak dhe kjo lexohej qartëisht në fytyrat e spektatorëve, të cilat ishin fillimisht skeptike e disi të ftohta dhe më pas, gradualisht nisën të çelehsin, buzëqeshnin duke ndjekur me vëmendje dhe duke duartrokitur, me përjashtim të atyre që ndërkohë bënin ndonjë fotografi apo filmonin video me celularët e tyre. Në pjesën e dytë të sfilatës në skenë doli dhe Edi që personifikonte Odisenë.
Stilistja e solli këtë Odise të veshur me pantallona që mbanin ngjyrat e flamurit kombëtar, pra, kuq e zi dhe me një xhamadan të leshtë. Ndërkaq, në skenën e improvizuar shfaqet edhe “Itaka grua”, Jonida, e cila rastësisht është edhe mbesa e ish-presidentit Alfred Moisiu. Ajo pranoi të sfilonte ndonëse ishte në muajt e fundit të shtatzanisë dhe mund të thuhet se me sharmin e saj të jashtëzakonshëm, na befasoi po kaq shumë sa edhe pjesa tjetër komponentëve të performancës. Sipas mitologjisë, Jonida duhet të ishte Penelopa, por për t’i dhënë një mesazh më të fuqishëm shfaqjes, stilistja tregon se e ka caktuar të qe “Itaka grua”. Motivi i fustanit të Jonidës i përkiste Shqipërisë së Mesme, një gjetje tjetër kjo e goditur e stilistes Merita Toçila, e cila befason edhe njëherë publikun me risitë dhe performancat e saj plot guxim. Në pjesën e tretë dhe të fundit të sfilatës u shfaqën vajzat me veshje të punuara me një teknikë të veçantë me grep. Transparente, siç i shikoni në fotografi, me stil, të magjishme. Disa prej tyre sfiluan gjysmë-nudo, me fytyrën, trupin dhe gjinjtë e pikturuara. Ndonëse publiku ishte i larmishëm; të gjitha moshat, të rinj e të vjetër, fëmijë, vajza, djem, burra, gra e të moshuar, njerëz të thjeshtë apo biznesmenë, drejtues bankash e firmash private, artistë, gazetarë e intelektualë, të gjithë e ndoqën shfaqjen dhe në fund të saj janë shprehur të mrekulluar. Një lakuriqësi që për të disatën herë serviret ekskluzivisht dhe me guxim nga stilistja Toçila dhe që me të drejtë i imponohet publikut, pasi është një zhveshje që nuk shërben thjesht për të tërhequr vëmendjen mediatike, si një thyerrje tabush për të disatën herë. Lakuriqësia maskohet apo shfaqet me brishtësinë dhe bukurinë e saj vetëm e vetëm në funksion të artit, performancës në tërësi dhe transmetimit të plotë, të fuqishëm, emocional e filozofik të ideve, mesazhit, sfondit dhe kohës së largët të antikitetit grek, prej nga është marrë subjekti fillestar dhe është shkëputur momenti në fjalë. Teksa flasim pas shfaqjes me vajzat modele, ato nuk e mohojnë një farë vështirësie për të sfiluar gjysmë nudo para publikut, por kur një gjest i tillë bëhet në funksion të shfaqjes dhe vetëm për përmbushjen e qëllimit artistik, atëherë në këtë mes nuk ka asgjë të keqe. Pikërisht kjo ishte dhe arsyeja që këto vajza nuk refuzuan të shfaqen gjysmë nudo, në rolin e qenieve mistike, sirenave të detit, të cilat kërkonin të joshnin heroin Odise, për ta ndaluar që të kthehej në Atdheun e tij, Itakën e shtrenjtë. Duket se ky moment është shndërruar në një frymëzim madhor për stilisten, e cila e lidh këtë pjesë me mundimet e shqiptarëve të andejkufirit, të cilët për vite e vite me radhë kanë vuajtur odiesadën e tyre në kërkim të Atdheut, Itakës, që në këtë rast është Shqipëria. Dhe Edi, modeli që vinte nën petkun e Odisesë, nuk ishte përzgjedhur rastësisht nga Kosova, pasi modelë të tjerë Shqipëria ka shumë. Por performanca “Itaka grua”, në pjesën e fundit të saj, kur sirenat dalin gjysmë nudo shoqërohet edhe me vargjet e poezisë “Itaka grua” të Kolec Traboinit, e cila gjithashtu, shërbeu për ta frymëzuar stilisten dhe për ta bërë që të ndërtonte shfaqjen e saj të veçantë sëbashku me regjisorin Erion Beci, recituesin Vasjan Lami dhe muzikën e përzgjedhur e të përgatitur nga Dritan Lumshi.

Sirenat gjysmë nudo dhe “turpi” i modeleve

Vazjat modele nuk e kanë dhe aq të thjeshtë që të dalin gjysmë nudo, sidomos në një vend ku më pas mund të tregohen me gisht siç është Shqipëria, për më tepër, kur një aktivitet i tillë merr përmasa të mëdha dhe jehonë mediatike, shfaqet në televizione, gazeta e revista, deri te agjencitë ndërkombëtare të lajmeve në internet. Megjithatë modelet janë treguar profesinoiste dhe nuk kanë hezituar të shfaqen ashtu siç u është kërkuar nga stilistja Toçila. Lakuriqësia shërben si metaforë dhe kjo lihet të kuptohet edhe nga fjalët e Merita Toçilës, e cila shprehet se “Nuk është hera e parë që punoj me modelet. Ato kanë marrë pjesë dhe në sfilata të tjera të miat... Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe kjo do të thotë që vajzave nuk u pëlqen të jenë thjesht manekinë lëvizës mbi pasarelë, por shumë më tepër. Në performancën tonë lakuriqësia e tyre maskohet dhe ajo që përcillet te publiku është shumë më tepër se thjesht një mendim, apo një veshje.”

Koleksioni “Pranverë – Verë”

Një pjesë e mirë e veshjeve të përdorura nga stilistja për performancën “Itaka grua” përbëjnë në të njëjtën kohë një pjesë të mirëfilltë të koleksionit të saj të ri “Pranverë – Verë ‘09”. “Përveç krijimit artistik, jam përpjekur të sjell edhe krijime që i interesojnë brezit të ri. Madje, kam punuar në një teknikë të veçantë, për të realizur një lloj pëlhure krejtësisht autentike, duke i krijuar vetes mundësinë për të punuar mbi cope si mbi një telajo”, -thotë Toçila, duke shtuar më tej se “një pjesë e mirë e këtyre veshjeve janë një koleksion i mirëfilltë ‘Pranverë-Ver뒔

Pengu i stilistes mban emrin “Nënë Tereza”

Por, Toçila e ka edhe një peng që duket se e gërryen me të drejtë. Duke mos qenë nevoja për koment, pasi stilistja është shumë e qartë, po citojmë fjalët se saj: “Gjithmonë jam përpjekur bashkë me grupin tim, që të sjellim më tepër se një sfilatë mode nëpërmjet performancave të deritanishme. Problemi është se në Ministrinë e Turizmit dhe të Kulturës, askush nuk do t’ia dijë për vlerat, projektet me risi benda dhe rëndësi kombëtare... Mendoni, tani do të ishit duke më pyetur se si do të kish dalë performanca e “Nënë Terezës” në Vatikan. Shfaqja ishte vendosur të zhvillohej në fund të majit pranë Selisë së Shenjtë dhe kishim siguruar sallën, mbështetjen e atjeshme, kontaktin me vajzat që do të sfilonin, etj. MTKRS nuk e pa me vlerë këtë aktivitet që ishte risi në fushën e modës, për vet frymëzimin nga Nënë Tereza dhe nuk e mori parasysh as suksesin që patëm pas zhvillimit të tij tetorin e kaluar në Tiranë. Shuma që kërkuam si mbështetje nga ky institucion ishte jo më tepër sesa 20 përqind e fondeve që marrin ca festivale ‘fantazma’ dhe aktivitete të tjera pa ndonjë vlerë të spikatur. Megjithatë, pista mbetet e hapur dhe jo vetëm Vatikani, por edhe ShBA-të, Zvicra e Kosova ku tashmë kanë nisur bisedimet.”

Kush është Merita Toçila

Tashmë të gjithë e njohim për performancat e hatashme që kanë bërë bujë dhe kanë sfiduar mentalitetin shqiptar, gjithsesi po tregojmë me pak rreshta disa detaje të tjera mbi formimin e stilistes. Në të njëjtën kohë Merita është piktore e talentuar dhe përkthyese. Në pikturë Toçila shfaqet me nota të ndjeshme impresionizmi dhe gjithashtu si në pasarelë, nudot nuk i mungojnë. Sa i përket përkthimeve, ajo ka sjellë disa të tilla në vitrinën e librit shqip nga gjuha frënge, ashtu siç ka botuar edhe disa manuale profesionale të dobishme për rrobaqepësit. Po kështu, ka provuar televizionin me një emision mbi modën si dhe ka bashkëpunuar me shtypin e përditshëm e periodiket shqiptare, në të cilat ka botuar shpesh artikuj të ndryshëm mbi modën, historinë e saj, studime dhe opinione të ndryshme lidhur me artin etj. Sa i përket arsimimit, ajo ka mbaruar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, dega “Pikturë-Tekstil”, IFG- L`Institute Français de Gestion (Tiranë) dhe ka marrë masterin në Universitetin e Bordosë në Francë. Gjithashtu, ka kryer studimet në degën “Gjuhë - Letërsi” në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, cikli i ulët. Performancat Toçila që ka realizuar deri më sot janë “Itaka Grua”, “Nënë Tereza – Shenja Shenjtërie” dhe “Eva dhe Adami”, ndërkohë që ka realizuar sfilatat personale “Pranverë `07” dhe “Retro `50”.

30 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›