Ekstradohet nga Holanda “Riku i tmerrshëm” i Korçës, vrau 9 vjet më parë në Holandë
Ekstradohet nga Holanda Frederik Arifi, i njohur ndryshe me nofkën “Riku i tmerrshëm”. Mbi të rëndon akuza e vrasjes dhe pengmarrjes së një shtetasi shqiptar në Amsterdam, të cilin e vrau pasi i kërkoi 200 milionë lekë familjes së tij në shkëmbim të lirisë. Arifi është ekstraduar vetëm dy ditë më parë nga Holanda, pas urdhrit të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Frederik Arifi është duke u gjykuar në Shqipëri për vrasjen e një personi në Amsterdam, pasi i kishte marrë lekët që i kishte kërkuar familjarëve për lirimin e tij. Ngjarja në fjalë ka ndodhur më 15.05.2001 në Amsterdam të Holandës, ku Frederik Arifi kishte marrë peng Petrika Medin dhe i kërkonte familjes së tij 200 milionë lekë për lirimin e tij. Pas disa negociatave, vëllezërit e tij arritën të siguronin 30 milionë dhrahmi, të cilat ia dorëzuan Arifit. Edhe pas marrjes së lekëve të kërkuara, “Riku i tmerrshëm” nuk është mjaftuar me kaq, por e ka vrarë pengun e tij. Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet dhe dorëzoi dosjen në Gjykatë, ku prej disa kohësh është duke u zhvilluar procesi në mungesë të të akuzuarit.
Kush është Frederik Arifi?
Rrezikshmëria e Rikut, sipas policisë, është vërtetuar më së miri në faktin që edhe 2 nga bandat më të mëdha të Korçës, "5 Dyqanet" dhe "Çobenjtë", e toleronin dhe nuk donin të ngatërroheshin me të. Madje edhe e mbështesnin kur ai ua kërkonte.
Në vitin 1987, i cilësuar si "rrugaçi i lagjes Radanec”, Frederiku dhe një shoku i tij i lagjes u dënuan për vjedhje në bashkëpunim e pulave të një fshati. Për shkak të moshës ai u dërgua në burgun e të miturve në Lezhë. Pas daljes nga burgu në '92-shin, në kartelën e policisë shënohet se qëndroi vetëm për pak kohë në Korçë. Ai udhëtoi drejt Fierit, pasi gjatë qëndrimit në burg kishte krijuar miqësi me disa nga "të fortët" e këtij qyteti. Vetëm një vit më pas bie përsëri në prangat e Policisë së Fierit së bashku me 6 anëtarë të tjerë të bandës, të akuzuar për një ekzekutim në qendër të Elbasanit. Meqenëse një nga 7 anëtarët e bandës ishte punonjës policie, gjykimi i çështjes u bë nga Gjykata Ushtarake e Durrësit. Në verën e '94-s kjo gjykatë dha dënime të rënda nga 17-25 vjet burg për bandën. Frederiku mori dënimin me 18 vjet burg, ndërkohë që 2 prej anëtarëve të bandës u ekzekutuan për larje hesapesh.
Nga hapja e dyerve të burgjeve në '97-n përfitoi edhe Riku, i cili kishte për të kryer edhe 3 vjet burg. Emri i tij figuronte i implikuar në gjoba të rënda që u vinte njerëzve të biznesit. Brenda një periudhe të shkurtër gjobat e vendosura nga ai siguruan një sasi të konsiderueshme të ardhurash. Normalizimi i rendit dhe mbërritja e specialeve në Korçë bëri që Riku të shpallej në listën e personave të kërkuar, pasi kishte braktisur burgun. Por ai nuk iu përgjigj asnjërës prej thirrjeve për t'u rikthyer vullnetarisht në burg. Agjentë të Policisë Kriminale bëjnë të ditur se në atë kohë Riku, për t’i shpëtuar policisë, shkoi në Greqi. Por, sipas të dhënave të siguruara nga Policia e Korçës. në bashkëpunim me atë të Fierit, gjatë periudhës që ishte i shpallur në kërkim, Riku e ka pasuruar shumë aktivitetin e tij kriminal në Shqipëri. Ai është parë në Karbunarë të Lushnjës, si dhe në qytete të ndryshme në Jug të vendit. Gjithashtu kartela e Rikut të tmerrshëm u pasurua edhe me anëtarësimin e tij në organizata të trafikut të lëndëve narkotike dhe të prostitucionit, kryesisht me Italinë dhe Gjermaninë.
Vrasja e parë për të cilën Riku i therrshëm është ende në hetim, është ajo e pengut 200-milionësh, Petrika Medi, i ekzekutuar në Amsterdam pas marrjes së parave. Me mbërritjen e prokurorëve holandezë në zyrën e kryeprokurorit të Korçës, Vangjel Tanellari, u shkëmbye informacioni i duhur. Ndërsa vrasjen e dytë ai e kreu më 31 maj kundër 20-vjeçarit Klevis Zaçellari, i cili e kishte strehuar në shtëpi. Po atë ditë plagosi dhe policin Anesti Minga e dy kushërinjtë e tij. Riku u strehua në shtëpinë e Zaçellarit dhe më pas e vrau, pasi polici e përdori si "mburojë njerëzore" dhe Riku qëlloi.
”Raporti i fundit”, arrestohet infermieri për korrupsion
U merrte para për raportet e KEMP-it, vihet në pranga infermieri Kujtim Isufi. Sipas policisë, 39-vjeçari u merrte para për raportin mjekësor për KEMP. Ky person merrej me mbledhjen e dokumentacioneve për komisionet për KEMP dhe ndaj tij është marrë masa e sigurimit “arrest në shtëpi” për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Arrestimi i Isufit u bë në sajë të operacionit “Raporti i fundit” për finalizimin e të cilit bashkëpunuan Sektori Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, konkretisht Seksioni Kundër Korrupsionit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se Shtetit. Në lidhje me këtë vepër penale po punohet për sqarimin e dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave të tjerë të implikuar në këto çështje.
9 Shkurt 2010