Përfitonin pensione me dokumente false, 9 persona nën hetim
Një denoncim i disa muajve më parë nga kreu i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për përfitime pensionesh pleqërie me dokumentacion fals, vuri në lëvizje Prokurorinë e Tiranës. Dokumentacioni i vënë në dispozicion, konkretisht dosje të personave të ndryshëm ku kishte dyshime për përfitim të paligjshëm, bëri që mjaft persona të viheshin nën hetim. Ndërkohë që edhe dje raportohen 9 shtetas që kanë përfituar pension pleqërie me dokumente të falsifikuara. Madje, falsifikimi i dokumenteve me qëllim përfitimin e pensioneve vazhdon të jetë një prej problemeve më shqetësuese për policinë shqiptare. Specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar kanë identifikuar nëntë persona, të cilët kishin arritur që të ndryshonin dokumentet, duke përfituar kështu në dëm të shtetit pension mujor. Ndaj dy prej tyre është dhënë nga gjykata masa “arrest shtëpie”, ndërsa për të tjerët janë përgatitur dokumentet në Prokurorinë e Rrethit dhe po hetohen në gjendje të lirë. Sipas burimeve zyrtare policore, ka nisur procedimi penal për shtetasen Sabire P., lindur dhe banuese në Peqin, e cila, sipas policisë, ka përfituar pension pleqërie, duke paraqitur dokumente të falsifikuara. 44-vjeçarja kishte arritur që të ndryshonte dokumentet për daljen në pension dhe të viteve të punës ku ajo ka punuar dhe për këtë akuzohet për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit”. Gjithashtu, edhe ndaj dy personave, 48-vjeçarit Skënder S. dhe Z.M., 71 vjeç, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën “arrest shtëpie”. Sipas policisë, Skënder S. ka fituar pension pleqërie i ndihmuar nga Z.M., sepse kishin shtuar vitet e punës në kooperativë në fshatin Skuterrë, nëpërmjet falsifikimit. Ish-punonjësi i DRSSH-së Tiranë, shtetasi Z.M., mësohet se është personi që ka plotësuar këto dokumente. Këta persona akuzohen për “falsifikim të dokumenteve” dhe “kërkim për dhënie mite”. Po ashtu, referuar burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit dhe në ngarkim të shtetasve Osman P., 63 vjeç, Mine Q., 47 vjeç, Qenan P., 44 vjeç, Ramazan K., 58 vjeç dhe Sefer T., 54 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë, Bërxullë e Bathore janë dërguar materialet në Prokurorinë e rrethit. Këta shtetas akuzohen se kanë falsifikuar dokumentet zyrtare dhe kanë mashtruar në Sigurimet Shoqërore, duke përfituar padrejtësisht pension pleqërie. Përfitimi i pensioneve nga persona të caktuar, në kundërshtim me ligjin, është një nga fenomenet që Seksioni Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar po has së tepërmi kohët e fundit. Të shumtë janë personat ndaj të cilëve ka nisur hetimi nga institucionet përkatëse, pasi është zbuluar kryerja e kësaj vepre penale. Kjo është një prej veprave penale më të shpeshta, me të cilën ky seksion përballet. Skema është e thjeshtë. Personat arrijnë të përfitojnë pension, me anë të falsifikimit të dokumenteve, ose duke u dhënë ryshfet punonjësve të caktuar. Një fenomen i tillë u denoncua publikisht edhe nga Ilir Goci, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës. Ndërkohë që vetëm ditën e djeshme, nga specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar ka nisur procedimi penal ndaj nëntë personave.