E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitjet për votime, pak probleme me materialet

Në të gjithë territorin e Shqipërisë është zhvilluar dje faza e fundit e përgatitjes për zgjedhjet e përgjithshme. Procesi i ngritjes së strukturave zgjedhore dhe shpërndarja e materialeve për çdo qendër votimi dhe çdo komision zonal është bërë në kohë, por nuk kanë munguar edhe problemet.

Durrës

Janë rreth 291830 votues që sot pritet t‘u drejtohen 352 qendrave të votimit në të gjithë Qarkun e Durrësit, ndërsa Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor kanë vijuar dje gjatë gjithë ditës shpërndarjen e materialeve zgjedhore pranë këtyre qendrave. Burime nga KZAZ-të e qarkut bëjnë të ditur se nuk ka pasur probleme në shpërndarjen e materialeve zgjedhore ku përfshihen fletët e votimit në bazë të numrit të zgjedhësve për çdo QV, vula e KQV-së, procesverbalet e saj, lënda e posaçme për timbrimin e zgjedhësit dhe aparati verifikues i saj. Në Qarkun e Durrësit janë katër KZAZ, dhe po kaq vende të numërimit të votave, që janë ngritur në Durrës, Shijak dhe Krujë.

Elbasan

Në të gjithë Qarkun e Elbasanit janë 299663 zgjedhës, që do t‘u drejtohen sot 549 qendrave të votimit. Vendnumërimet për të gjashtë zonat zgjedhore do të jenë në Elbasan, Cërrik, Gramsh, Librazhd, Peqin dhe Përrenjas. Vetëm në Bashkinë e Elbasanit do të votojnë 91545 zgjedhës në 96 qendra votimi. Në të gjitha qendrat e numërimit të votave të Qarkut të Elbasanit janë instaluar dhe vendosur kamerat e vëzhgimit të procesit zgjedhor për 24 orë dhe materialet janë bërë gati për nisjen e një procesi normal.

Shkodër

Në Qarkun e Shkodrës janë rreth 240 mijë persona që sot mund të votojnë për Parlamentin e ri në 417 qendrat që ka ky qark. Janë përcaktuar pesë qendra numërimi të votave, të cilat janë pajisur me kamera dhe gjithë bazën materiale të nevojshme për vijimin e një procesi normal. Qarku i Shkodrës përbëhet nga tre rrethe: Shkodra, Puka dhe Malësia e Madhe, të cilat kanë pesë bashki: Shkodër, Pukë, Fushë-Arrëz, Koplik dhe Laç i Vaut të Dejës. Kutitë e votimit, së bashku me bazën materiale, kanë nisur të shpërndahen dje, duke filluar nga zonat e thella malore në Malësi të Madhe, Pukë dhe Malësitë e Shkodrës.

Kukës

Në Qarkun e Kukësit pritet të votojnë rreth 80 mijë shtetas, 4 mijë prej të cilëve për herë të parë. Prej disa ditësh, komisionet zonale kanë sistemuar bazën materiale te Qendra e Numërimit të Votave, ndërsa komisionet e qendrave të votimit kanë marrë në dorëzim gjithë dokumentacionin dhe ambientet ku do të votohet. Në qark janë 100 qendra votimi, ku janë afishuar me kohë edhe listat përkatëse. Në Qendrën e Numërimit të Votave në Kukës janë instaluar 7 tavolina dhe monitorë të numërimit të votave, ku do të punojnë me dy turne 14 grupe numërimi.

Gjirokastër

Në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës janë rreth 129 mijë persona që kanë të drejtën e votës. Zgjedhjet do të zhvillohen në 300 qendra votimi të shpërndara në të gjithë qarkun. Mësohet se baza materiale ka mbërritur në kohë dhe dje ka nisur shpërndarja e tyre në të gjitha qendrat e votimit. Materialet zgjedhore përfshijnë fletët e votimit në bazë të numrit të zgjedhësve për çdo qendër, vulën e KQV-së, procesverbalet e saj, lëndën e posaçme për timbrimin e zgjedhësit dhe aparatin verifikues të saj.

Dibër

Dje, në KZAZ-të e rretheve Dibër, Bulqizë dhe Mat ka vijuar shpërndarja e bazës materiale për në 342 qendrat e votimit të Qarkut të Dibrës. Por shpërndarja ka vijuar jo pa probleme, pasi janë vërejtur vonesa dhe kaos. Në Rrethin e Bulqizës, shpërndarja e materialeve nga KZAZ-ja ka filluar me shumë vonesë, pasi grupet treshe të tërheqjes së materialeve të votimit nuk shoqëroheshin nga policia, për mungesë të forcave policore nga Komisariati i Bulqizës. Ardhja e policëve shtesë nga Tirana për mbulimin e 68 qendrave të votimit të këtij rrethi është mundësuar vetëm pas orës 13:00. Një tjetër pengesë ka qenë edhe mungesa e komisionerëve.

Vlorë

Rrethi i Vlorës ka gjithsej 183388 votues që sot do t‘u drejtohen 208 qendrave të votimit. Qyteti është ndarë në tri zona zgjedhore, ku e para përfshin qytetin Vlorës, ndërsa dy të tjerat përfshijnë përkatësisht komunat në zonën e Lumit të Vlorës dhe e treta është zona e Komunës Qendër dhe Novoselës. Baza materiale është shpërndarë që dje dhe nuk ka pasur probleme. Ndërsa në nënprefekturën e Sarandës procesi do të administrohet nga tri KZAZ. Në shkallë nënprefekture bëhen 138 qendra votimi, që sot do të presin afërsisht 94 mijë votues.

Korçë

Qarku i Korçës numëron rreth 267000 votues, të cilët do t‘u drejtohen sot kutive të votimit në 421 qendra votimi të çelura për këtë proces. Në rang qarku do të sigurohen 12 mandate deputetësh për Parlamentin e ri shqiptar. Baza materiale për zhvillimin e zgjedhjeve të 28 qershorit ka mbërritur në kohë dhe është kryer shpërndarja e materialeve të votimit në të gjitha qendrat, përfshirë edhe zonat e largëta. Në Qarkun e Korçës do të funksionojnë gjashtë komisione zonale të administrimit të zgjedhjeve, nga të cilat tre në qytetin e Korçës dhe tre të tjera përkatësisht në Pogradec, Kolonjë dhe Bilisht.

Fier

Qarku i Fierit ka shtatë Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor, nga të cilat tre janë në Fier, tre në Lushnje dhe një në Mallakastër. Qarku i Fierit ka 488 qendra votimi, nga të cilat 70 janë në mjedise private. Në të gjithë qarkun janë 352340 shtetas me të drejtë vote. Në të gjitha KZAZ-të janë të vendosur kamerat e vëzhgimit dhe që dy ditë më parë kanë ardhur të gjitha materialet e nevojshme. Por deri dje, problem kanë qenë listat e komisionerëve dhe të vëzhguesve, të cilat duhet të ishin dorëzuar nga forcat politike disa ditë më parë.

Berat

Qarku i Beratit ka gjithsej 168724 votues, për të cilët janë vënë në dispozicion 298 qendra votimi. Brenda zonës veprojnë katër Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor. Dje është shpërndarë e gjithë baza materiale në të katërta KZAZ-të përkatësisht: në Skrapar, Berat, Urë Vajgurore dhe Kuçovë. Qendrat kanë marrë të gjitha pajisjet dhe bazën materiale të nevojshme. Përfaqësues të KZAZ-së në Çorovodë ankohen se fondet për dërgesën e bazës materiale në qendrat e votimit në këtë rreth nuk mjaftojnë pasi shuma e përcaktuar për shpenzimet është mjaft e vogël. Në disa komuna si në Potom, Bogovë dhe në Vërzhezh, infrastruktura e rënduar bën që një pjesë e shtetasve të mos i tërheqin në kohën e duhur kartat e identitetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›