Aksidenti në mesnatë, dy të rinj plagosen rëndë
Dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë pak pas mesnatës së djeshme në kryeqytet, pasi janë përfshirë në një aksident rrugor. Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Vasil Shanto", pranë hotelit "Diplomat", ndërkohë që të dëmtuarit ndodhen në gjendje të rëndë në spital. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se në orën 01:10, në rrugën "Vasil Shanto", pranë hotelit "Diplomat", mjeti "Reno" me targë TR1690R, që drejtohej nga Valmir Ymeri, është përplasur me mjetin "BMV", me targë TR3603L, që drejtohej nga shtetasi Erion Çomo. Për pasojë të kësaj përplasjeje janë aksidentuar pasagjerët e dy makinave, përkatësisht në "BMV" Andi Stasi, 20 vjeç e në "Reno" Klevis Toska, 21 vjeç. Ata janë dërguar urgjentisht në spital, ku paraqiteshin në gjendje kritike për jetën. Gjatë ditës së djeshme, Toska është përmirësuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Stasi vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.