Rritet fluksi i emigrantëve që kthehen për të votuar sot
Rritet numri i emigrantëve që kthehen nga Greqia për të marrë pjesë në procesin zgjedhor të sotëm. Nga pikat kufitare me Greqinë raportohet se numri i shqiptarëve që janë kthyer gjatë javës vjen duke u rritur, ndërkohë që dhe sot pritet të ketë një numër të konsiderueshëm emigrantësh që kthehen në atdhe. Vetëm nga pika kufitare e Kapshticës, sipas burime zyrtare të policisë kufitare, mësohet se gjatë kësaj jave kanë hyrë të paktën 24173 persona deri në mesditën e së shtunës. Ndërkaq janë regjistruar 5945 automjete që kanë hyrë në vendin tonë nëpërmjet kësaj pike kufitare dhe të paktën 45 autobusë. Fluksi ka vijuar në kufi dje gjatë gjithë ditës, ndërsa në mbrëmje dhe gjatë orëve të natës kanë mbërritur edhe 2552 emigrantë me 500 mjete, duke e çuar në 6000 numrin e personave që kanë kaluar kufirin gjatë 24 orëve të fundit. Fluksi i lartë, sipas deklarimeve të emigrantëve pritet të vazhdojë edhe gjatë natës dhe ditës së diel, kur një pjesë e emigrantëve, të cilët banojnë në qytete afër kufirit, pritet të vijnë për të votuar dhe më pas të kthehen brenda ditës në shtetin grek. Emigrantët deklarojnë se dhjetëra autobusë të organizuar me mijëra emigrantë të tjerë janë në pritje për të kaluar përmes kufirit në vendin tonë. Mësohet se në këtë pikë kufitare, nga ana e palës shqiptare janë shtuar edhe dy sportele për lehtësimin e procedurave të kalimit, masa të cilat janë marrë edhe nga policia greke, e cila punon me tri sportele vetëm për daljet nga territori i saj kufitar. Policia kufitare e Kapshticës ka shtuar numrin e efektivave për disiplinimin e këtij fluksi që ka nisur të shtohet ndjeshëm gjatë orëve të mbrëmjes.
Ndërkohë, përmes terminalit të portit detar dhe pikëkalimit të Qafëbotës në Rrethin e Sarandës, ditët e fundit kanë ardhur rreth 5 mijë emigrantë me origjinë nga Saranda dhe zonat rurale të saj, për të votuar. Ditët e fundit, sipas burimeve nga Porti i Sarandës, bëhet e ditur se kanë hyrë 2300 emigrantë, ndërsa burime nga Policia kufitare e Qafëbotës thanë se numri i atyre që kanë ardhur nga kjo pikëkalimi i kalon 3 mijë vetët, më shumë nga çdo herë tjetër. Mësohet se 29 autobusë kanë udhëtuar nga Greqia, me votues, të cilët kanë udhëtuar falas, të organizuar nga degët e partive të mëdha në Jug të vendit, si: PD, PS e PBDNJ, por edhe nga kandidatët e interesuar për të shtuar votat në favor të subjekteve që përfaqësojnë.
Nga pika kufitare e Kakavijës, sipas të dhënave zyrtare të policisë kufitare, mësohet se dje, në orët e para të ditës, kanë zbarkuar rreth 100 autobusë, 1650 autovetura dhe rreth 12 mijë emigrantë që jetojnë në shtetin fqinj, Greqi, që janë kthyer në Shqipëri për të votuar.
Falë masave të marra nuk ka pasur radhë as nga pala shqiptare e as nga pala greke. Në Kakavijë, për momentin është duke u punuar në tetë sportele hyrëse dhe tre në dalje. Ndërsa në pikat e tjera Sopik dhe Çarshovë nuk ka pasur fluks dhe punohet me kapacitet normal. Në rast fluksi, do të shtohen sportelet në maksimum, për të shmangur radhët e gjata dhe krijimin e lehtësirave ligjore emigrantëve dhe vizitorëve që vijnë në vend.
Një fluks më i lartë se zakonisht është vënë re ditët e fundit edhe në portet kryesore të vendit, në Vlorë dhe Durrës, nëpërmjet të cilëve hyjnë në Shqipëri kryesisht emigrantët që jetojnë në Itali. Nga këto dy porte mësohet se kanë hyrë të shtunën rreth 3000 shtetas shqiptarë.
Deri dje në mesditë, llogaritet të jenë kthyer në vend për të votuar rreth 50 mijë shtetas, ndërsa pritet që rreth 20 mijë të tjerë të jenë në Shqipëri deri sot paradite, duke e çuar numrin e përgjithshëm në mbi 70 mijë votues, të cilët, sipas llogaritjeve, mund të vendosin për shtatë mandate deputetësh në Kuvendin e ri.