Merr zjarr rrugës makina që transportonte kutitë e votimit
Një makinë që po transportonte materialet zgjedhore drejt Komunës Luf të Rrethit të Pukës është përfshirë nga flakët dje pasdite, duke dëmtuar dhe nxjerrë jashtë përdorimit pjesën më të madhe të kutive të votimit dhe bazën materiale për Komisionet e Qendrave të Votimit që po transportoheshin në të. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 në aksin rrugor Shkodër-Pukë, në vendin e quajtur Kthesat e Gomsiqes, ku drejtuesi i kamionçinës ka vënë re se në pjesën e pasme të makinës kishte rënë zjarr. Flakët e zjarrit nuk e kanë dëmtuar tërësisht automjetin, por vetëm pjesën e pasme, ku ndodhej baza materiale. Ende nuk është saktësuar ndonjë pistë për shkaqet e rënies së zjarrit, por sipas Policisë së Pukës, ngjarja është aksidentale. Ngjarja po hetohet nga Prokuroria e Rrethit të Pukës. Burime nga kjo prokurori bënë të ditur dje për gazetën "Shqip" se menjëherë është shoqëruar dhe marrë në pyetje drejtuesi i kamionçinës, i cili ka dhënë shpjegime për detajet e ngjarjes. Ngjarja ka mbajtur të bllokuar për rreth 30 minuta rrugën nacionale që lidh Shkodrën me Pukën, pasi policia nuk ka lejuar lëvizjen e asnjë mjeti për sa kohë në terren po kryheshin veprime hetimore. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale kamionçinën, duke e dërguar në ambientet e brendshme të saj. Për shkak të incidentit, Komuna Luf e Pukës ka mbetur pa bazën materiale të nevojshme për zhvillimin e votimeve sot. Komisioni Zonal atje ka qëndruar deri natën vonë në pritje të kutive të reja të votimit dhe bazës materiale. Nga raportimet e bëra deri dje në mbrëmje, Komuna Luf e Pukës është e vetmja në shkallë vendi që nuk është furnizuar në kohë me materialet zgjedhore.