E Diel, 1 Nëntor 2026

Ku votojnë sot krerët e politikës

Si çdo qytetar i thjeshtë, edhe drejtuesit e shtetit shqiptar, kryetarët e partive politike dhe personazhet e njohura të politikës shqiptare do t‘u drejtohen sot kutive të votimit si një detyrim qytetar, por edhe si një shembull pozitiv për ata që s‘kanë vendosur ende nëse do të shkojnë të votojnë ose jo. Të gjithë janë të përqendruar në qendra votimi të ndryshme të kryeqytetit, që nga kreu i shtetit Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kreu i opozitës Edi Rama, ai i LSI-së Ilir Meta etj. Madje disa prej tyre kanë të njëjtën qendër votimi, siç është rasti i Kryeministrit Berisha, kreut të asamblesë kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi dhe Erjon Braçes, në njësinë numër dy pranë Liceut Artistik. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është votues në njësinë numër 9 dhe qendra e votimit është ngritur në shkollën "Servete Maci". Pritet që sot, gjatë procesit të votimit, Presidenti të japë mesazhin e tij për zgjedhësit shqiptarë dhe për rëndësinë e këtij procesi. Kryeministri Berisha është votues në njësinë numër 2 dhe qendra e votimit është ngritur te Liceu Artistik. Ndërsa kreu i opozitës, Edi Rama, është votues në njësinë numër 7 dhe si qendër votimi është shkolla "Pjetër Budi", brenda kësaj minibashkie. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, është votuese në qytetin e Shkodrës, te lagja "Ndoc Mazi" dhe qendra e votimit është ngritur pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Ish-kryeministri Fatos Nano është votues në njësinë numër dhjetë te shkolla "Dora D‘Istria", ndërsa ish-presidenti Alfred Moisiu është votues në njësinë numër 2 te "Shkolla e mesme ekonomike". Ish-presidenti Rexhep Mejdani është votues në njësinë numër 9 dhe voton në shkollën "De Rada". Lista është mjaft e gjatë me ministra të qeverisë "Berisha" dhe me zyrtarë të selisë rozë. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, voton në njësinë 3, në shkollën "Kongresi i Lushnjës". Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, është votues në njësinë bashkiake numër 3 dhe voton te shkolla "Kongresi i Manastirit". Duke kaluar majtas, numri dy i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, voton në njësinë numër dy te Liceu Artistik. Një tjetër figurë, Ben Blushi, votues i njësisë numër 10, do ta hedhë votën te shkolla "Avni Rustemi". Skënder Gjinushi, kreu i Partisë Socialdemokrate, është votues në njësinë numër 5 dhe konkretisht te shkolla "Edit Turhami". Kreu i demokracisë sociale, Paskal Milo, voton në njësinë numër pesë pranë shkollës "Dëshmorët e Lirisë". Sakaq, kreu i G99-ës, Erion Veliaj, voton te njësia numër 2 në shkollën "Fan Noli". Një pjesë e këtyre figurave të politikës do ta kenë të vështirë ta hedhin votën në kutitë e votimit, kjo dhe për shkak të angazhimeve të tyre në zonat ku ata kandidojnë. Janë rreth 60 kandidatë të dy partive kryesore, të cilët e kërkojnë votën në qarqe të ndryshme të vendit, ndërsa janë votues të Qarkut të Tiranës. Pritet që gjatë ditës së sotme, krerë të politikës, si Bamir Topi, Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Jozefina Topalli të japin mesazhet e tyre për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe rëndësinë e procesit zgjedhor, i cili domosdoshmërish duhet të plotësojë standardet për të çuar para reformat integruese.

Tabela

Krerët e shtetit

Bamir Topi shkolla "Servete Maçi", Tiranë

Sali Berisha Liceu Artistik, Tiranë

Edi Rama shkolla "Pjetër Budi", Tiranë

Jozefina Topalli "Gjuhët e huaja", Shkodër

Alfred Moisiu "Shkolla e Mesme Ekonomike", Tiranë

Rexhep Mejdani shkolla "Jeronim De Rada", Tiranë

Erjon Veliaj shkolla "Fan Noli", Tiranë

Bujar Nishani shkolla "Kongresi i Manastirit", Tiranë

Majlinda Bregu shkolla "Kongresi i Lushnjës", Tiranë

Fatos Nano shkolla "Dora D‘Istria", Tiranë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›