E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, 5 misionet që i "skanojnë"

Zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Tiranë, Biks Aliu, ka përcjellë dje dy mesazhe për ditën e zgjedhjeve. I pari i adresohet votuesve, të cilëve zëdhënësi Aliu u kërkoi të shkojnë të dielën drejt qendrave të votimit për të kryer detyrën e tyre si qytetar të një vendi demokratik. Mesazhi i dytë i adresohej politikës, duke i kujtuar faktin se zgjedhjet e lira janë tepër të rëndësishme dhe do të kenë një ndikim të madh për zhvillimin Shqipërisë. "Të mbani përgjegjësi të madhe dhe të garantoni që këto zgjedhje të jenë transparente", u shpreh Aliu. Sipas tij, "më 28 qershor duhet të shkojnë të gjithë të votojnë dhe zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të ndershme". Si përfaqësues i ambasadës amerikane, Biks Aliu e cilësoi si një vlerë të madhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile, rritjen e transparencës së zgjedhjeve të së dielës dhe garantimin e votës.

"Shoqëria civile të garantojë zgjedhje të lira, një zhvillim i madh për Shqipërinë, për organizatat joqeveritare. Ne i kemi shumë qejf zgjedhjet, pse? Sepse në atë moment të gjithë jemi të barabartë. Secili kemi një zë, secili kemi mundësinë ta shprehim vullnetin tonë dhe këtë e bëjmë në mënyrë të barabartë dhe ju si vëzhgues jeni ata që e garantoni që çdo një prej nesh mund të shprehë vullnetin e tij", tha Biks Aliu. Duke i cilësuar zgjedhjet e 28 qershorit si tepër të rëndësishme, zëdhënësi i ambasadës amerikane në Tiranë deklaroi se "zgjedhjet e lira kanë një ndikim të madh për zhvillimin e Shqipërisë". Për të vlerësuar standardet e këtyre zgjedhjeve është kërkuar nevoja dhe ndihma e vëzhguesve shqiptarë dhe atyre të huaj. Përfaqësuesi i ambasadës amerikane e ka cilësuar të rëndësishme ndihmën e vëzhguesve për votimin e ditës së sotme. Në ditën kur partitë politike ‘mbyllën gojën‘ dhe lanë mënjanë incidentet e vogla, nga të cilat rrezikohen seriozisht zgjedhjet, Biks Aliu, zëdhënësi i ambasadës amerikane në Tiranë, kërkoi nga shqiptarët të drejtohen drejt qendrave të votimit dhe politikës që të kujdeset për standardet dhe të ofrojë zgjedhje të lira. E.Ajazi

Pesë misionet që "skanojnë" zgjedhjet

"Ushtria" me vëzhguesit e huaj nga SHBA, ODIHR, OSBE, NATO dhe KiE

Dardan Malaj

Zgjedhjet parlamentare të ditës së sotme do të vëzhgohen nga sytë e mbi 400 vëzhguesve ndërkombëtarë. Grupi më i madh i monitoruesve të huaj është padyshim, misioni i posaçëm i OSBE/ODIHR-it. Kjo strukturë drejtohet në Shqipëri nga ambasadorja Audrey Glover. Britanikja ka mbërritur në Shqipëri prej kohësh dhe po ndjek procesin nga afër. Ky mision angazhon në total një numër prej rreth 40 vëzhguesish afatgjatë. Një tjetër "ushtri" monitoruesish vjen vetëm për ditën e sotme dhe përbëhet nga 320 persona. Përbërja e misionit është nga mbi 40 shtete të Europës. Asambleja Parlamentare e OSBE-së ka sjellë sakaq një grup prej 37 vëzhguesish që kryesohen nga austriaku Wolfgang Grossruck. Rreth 34 vëzhgues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë akredituar gjithashtu për të ndjekur zgjedhjet parlamentare shqiptare. Në krye të këtij grupi padyshim është ambasadori i SHBA-ve në kryeqytetin shqiptar, John Withers. Procesi do të ndiqet edhe nga 22 përfaqësues të Asamblesë së Këshillit të Europës. Ky mision drejtohet nga Corien Jonker, e cila ka ndjekur zhvillimet e fundit paraelektorale. Bruce George do të jetë në krye të misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Ai do të drejtojë një grup prej pesë vëzhguesish, të cilët do të ndjekin zhvillimet e ditës së sotme. Misioni vëzhgues i ODIHR-it për zgjedhjet e sotme parlamentare njoftoi se do të mbajë një konferencë për shtyp nesër në orën 14:00, një ditë pas zgjedhjeve. Në këtë komunikim do të jepen vlerësimet paraprake për procesin. Misioni do të përbëhet nga zyra për institucione demokratike pranë OSBE-së, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe nga Asambleja Parlamentare e NATO-s. Deklarata paraprake do të publikohet nga zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, koordinator i vëzhguesve afatshkurtër të misionit të OSBE-së. Misioni vëzhgues i ODIHR-it përbëhet nga: Audrey Glover (Mbretëria e Bashkuar), Stefan Krause (Gjermani), Ovidiu Craiu (Rumani), Dimitar Dimitrov (Bullgari), Peter Palmae (Mbretëria e Bashkuar), Elma Sehalic (Gjermani), Igor Bulic (Kroaci), Skopa Mariana (Greqi), Trevor Harvey (Mbretëria e Bashkuar), Tomasz Janczy (Poloni), Polyna Lemos (Greqi), Nicola Schmidt (Gjermani), Pawel Jurczak (Poloni), Tina Gewis (Austri), Nielsen Hiels Henrik (Danimarkë), Fredrik Sioberg (Finlandë), Romuald Pichard (Francë), Gernot Eberle (Austri), Hala Kallas (Francë), Rene Schulfoff (Gjermani), Friedrich Fensch (Gjermani), Hannelore Valier (Gjermani), Frank Scott (Irlandë), Annie-lise Miatvedt (Norvegji), Anica-Cristina Mesdrea (Rumani), Aida Gulien (Spanjë), Torgny Hinnemo (Suedi), Eva Rimsten (Suedi), Thomas Holzer (Zvicër), Diana Franca Ferrari (Zvicër), Nicolas Alexander (USA), Leslie Hough (USA), Amy Naccarato (USA), Sofia Botzios (Greqi), Fiona Caldwell (Mbretëria e Bashkuar), Peter Davis (Mbretëria e Bashkuar), Daniela Malijanska (Maqedoni), Ivan Tsikota (Bjellorusi) dhe Mihail Sircheli (Moldavi).

5 mijë vëzhgues vendorë

në 12 qarqet e Shqipërisë

Rreth 5 mijë vëzhgues shqiptarë do të mbikëqyrin sot zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar një ditë përpara ditës së zgjedhjeve 5000 vëzhgues shqiptarë. Ata do të jenë të shpërndarë në të gjitha rrethet dhe do të raportojnë për vijimësinë e procesit të votimit, por edhe atë final, të numërimit të votave. Nisma e këtij koalicioni ka për detyrë monitorimin e standardeve të procesit zgjedhor dhe bëhet nga Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve dhe KRIIK Albania. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi se qëllimi i Komisionit është besueshmëria në procesin zgjedhor, ndërkohë që rezultatet do të ofrohen në kohë reale nëpër qendrat vendore. "Keni mundësi ta vëzhgoni nga afër të gjithë procesin dhe të dëshmoni vërtet që ka qenë një proces transparent dhe ju do të keni mundur të merrni të gjithë informacionin që doni ju të merrni dhe ju jeni të lirë të deklaroni atë që ju realisht vëzhgoni gjatë procesit", u shpreh Arben Ristani. Koalicioni i vëzhguesve vendorë do të monitorojë në të 12 qarqet e vendit procesin e votimit dhe do të paraqesë më pas raportin sesi ky votim është kryer dhe mënyrën e ecurisë së të gjithë procesit. Diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë kanë përcjellë vazhdimisht kohët e fundit paralajmërimin se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë në një vëzhgim të rreptë nga faktori ndërkombëtar. Deklarata e fundit e zëdhënësit të ambasadës amerikane në Tiranë është bërë gjatë akreditimit të 5 mijë vëzhguesve shqiptarë në të gjitha qytetet e vendit, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i KQZ, Arben Ristani. Për ndërkombëtarët ka shumë rëndësi akreditimi i shumë vëzhguesve shqiptarë dhe të huaj që të tregojnë në mënyrë të qartë sesi po shkon procesi i votimit. Në mbrojtje të votës, do të jenë gjithsej 5 mijë vëzhgues shqiptarë dhe 450 të huaj. Rezultatet e partive politike, koalicioneve dhe kandidatëve për deputetë do të bëhen publike në kohë reale gjatë procesit të numërimit të votave, ndërkohë që vëzhguesit do të kenë kapacitetet e nevojshme për të vrojtuar në çdo moment ecurinë e të gjithë procesit, nga ora e nisjes së tij dhe deri në përfundim. Janë gjithsej 5 mijë vëzhgues të shpërndarë që dje në të gjithë vendin pasi kanë marrë kartën e tyre të vëzhguesit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Agjencia për Administrimin e Zgjedhjeve dhe KRIIK Albania do të bëjnë publikimin e rezultateve direkte gjatë zhvillimit të zgjedhjeve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›