Fletet dhe listat PS akuza Ristanit

Partia Socialiste ka kritikuar ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vendimin e djegies së fletëve të votimit dhe për dërgimin e listave në arkivën e shtetit.
Në një deklaratë për shtyp, nënkryetarja e grupit parlamentar socialist, Vasilika Hysi ka shënjestruar kryetarin e KQZ, Arben Ristani, i cili sipas saj ka zbatuar urdhërat e kryeministrit Berisha.
“Ristani është një ushtar i Berishës. Ai po bën cmos për të fshehur krimin elektoral. Tashmë është më se e qartë që Berisha i vodhi zgjedhjet”, ka deklaruar Hysi.
Ajo ka akuzuar kreun e KQZ se ka shkelur kompetencat e tij, duke qenë se këto vendime kërkojnë jo vetëm firmën e tij por edhe atë të nënkryetarit.
“Ristani, në shkelje të ligjit, mbylli listat në arkiv për 25 vjet. Ristani duhet ta dijë se kompetencat e tij nuk përcaktohen nga Berisha”, ka shtuar Hysi.