E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi i kandidatit. Doris Pak: “Mos bëni manovra politike, nuk është momenti për aplikim”

Reagon kryetarja e Delegacionit për Europën Juglindore në PE. “Si një mike e Shqipërisë, unë mund t’ju them: Ju lutem prisni”

Eljona Ballhysa
Një ndër mbështetëset e Partisë Demokratike, Doris Pak, e cila është kryetare e Delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian, i ka bërë thirrje dje qeverisë shqiptare që të mos nxitohet për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE. Pak e konsideron moment të gabuar nëse Shqipëria do të aplikojë tani për këtë status. Sipas saj, Bashkimi Europian ndodhet në vështirësi dhe ka çështje më të rëndësishme për të zgjidhur, siç janë zgjedhjet e reja për Parlamentin Europian, ngritja e një Komisioni të ri si dhe kriza ekonomike që ka pushtuar kontinentin e vjetër. Pak shprehet se qeveria duhet të lërë mënjanë manovrat politike dhe të mos nxitohet për statusin, sepse nuk do të marrë përgjigje nga BE-ja. Reagimi i Doris Pak ka dalë vetëm pak ditë pas deklaratës së kryeministrit Berisha, i cili u shpreh në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar të PD-së se qeveria do të aplikojë për statusin brenda presidencës çeke të BE-së.
Deklarata
“Mendoj se fillimisht duhet të them se Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara dhe për këtë duhet ta vlerësoj. Por nuk është momenti për të kërkuar statusin kandidat. Sepse, nëse e shihni çfarë ndodh në BE në këtë moment që po flasim, do të kemi dhe zgjedhjet e Parlamentit Europian, do të kemi një Komision të ri. Ata nuk do të marrin asnjë përgjigje. Kjo do të thotë se ta bësh kërkesën në muajin prill për shembull atëherë nuk do të ketë asnjë përgjigje gjatë këtij viti dhe do të duhet të presin. Pra, është më shumë frustruese që të kërkosh diçka dhe të mos marrësh përgjigje në kohë, sesa të presësh dhe të vazhdosh të punosh drejt Bashkimit Europian. Dhe unë mendoj se nuk u bën asnjë dëm nëse ata presin. Si një mike e Shqipërisë, unë mund t’ju them: ju lutem prisni. Dhe mos e përdorni këtë për ndonjë manovër politike, pasi kjo gjë nuk ju ndihmon”, - është shprehur Doris Pak. E pyetur për aspiratën e Shqipërisë për të aplikuar brenda presidencës çeke, e cila është quajtur dhe si moment i artë, ajo është shprehur se momenti është i gabuar.
“Unë po ju them që ata nuk mund të marrin asnjë dritë jeshile gjatë këtij viti. Ju flas nga eksperienca ime. Tani kemi presidencën çeke, por presidenca çeke nuk mund ta bëjë e vetme pasi duhet të jenë dakord të 27 vendet dhe pikërisht në këtë moment ne kemi probleme të tjera sesa t’i përgjigjemi kësaj kërkese. Kemi një situatë ku kemi edhe zgjedhjet siç ju thashë dhe konstituimin e Komisionit të ri. Unë jam e sigurt, të paktën kështu mendoj, ndoshta dhe gabohem, por eksperienca ime, që është e gjatë në këtë çështje, pra që nuk do të ketë asnjë përgjigje këtë vit. Pra, ju lutem prisni. Prisni dhe nëse e bëjnë në fund të vitit aplikimin, atëherë mund të marrin përgjigjen vitin tjetër. Kjo do të ishte rruga korrekte. Më besoni”, - është shprehur Pak.
Opozita
Edhe Partia Socialiste ndan të njëjtin mendim me Doris Pak. Ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, është shprehur dje, gjatë një deklarate për shtyp, se nëse Shqipëria aplikon gjatë presidencës çeke për statusin vendit kandidat, kërkesa rrezikon të mbetet në sirtarët e Brukselit. “Askush nuk ka ndërmend që në një periudhë kaq të shkurtër ta konsiderojë aplikimin e Shqipërisë, kështu që kërkesa për aplikim mund të mbetet në sirtarët e Komisionit Europian deri në një moment që Bashkimi Europian të mendojë që mund të jetë moment i përshtatshëm për ta shqyrtuar këtë kërkesë. Mesa duket, aktorët kryesorë të Bashkimit Europian nuk e mendojnë momentin më të përshtatshëm dhe sigurisht në mënyrë të përsëritur komisioneri Oli Rehn ka deklaruar se Shqipëria duhet të përmbushë pikë së pari standardet politike”, - u shpreh Arta Dade. Komisioneri europian për Zgjerimin, Oli Rehn, deklaroi se vlerësimi për dorëzimin e aplikimit nga Shqipëria do të vijë vetëm pas plotësimit të kushtit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndërsa ministri i Jashtëm i Çekisë, anëtar i Trojkës së BE-së, u shpreh gjatë takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, se BE-ja tashmë i ngjan një shtëpie së cilës i është futur uji.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›