E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Fitorja ime në Tiranë, jo trampolinë për t’u ngjitur në PD

Zoti Basha, doja ta nisja intervistën duke u ndalur fillimisht në premtimet tuaja, ka qenë një fushatë ku keni bërë premtime të shumta, keni shpalosur premtime, si do t’i përmblidhni ato?

Do t’i përmblidhja në tre fusha kryesore. Së pari në zhvillimin ekonomik të Tiranës, një model zhvillimi ekonomik i cili do të garantojë mirëqënie, punësim të mjaftueshëm për qytetarët e Tiranës, si qendra kryesore ekonomike e vendit, ku mbi 6 mijë të rinj hyjnë çdo vit në tregun e punës. Do të kemi një përpjekje të fuqishme të pushtetit vendor, për të kontribuar në normalizimin e çmimeve në këtë qytet, të cilat janë më të larta se në komunat dhe Bashkitë përreth. Pra përdorjen e të gjithë mekanizmave fiskal, nëpërmjet reformës, nëpërmjet garantimit të investimeve, dhe krijimit të një klime investimesh për rritjen e mirëqenies ekonomike të qytetarëve të Tiranës, me fokus punësimin. E dyta, ka të bëjë me cilësinë e jetës në Tiranë, me cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës, dhe këtu në fokus është mënyra se si do ta zhvillojmë Tiranën. Plani i ri urbanistik i Tiranës, dhe mundësia që ky plan duhet t’i ofrojë qytetarëve, pikësëpari për zhvillimin e pronave të tyre. Për hapësira të gjelbërta, për shkolla dhe kopshte të reja. Garantoj një zhvillim të fuqishëm të infrastrukturës, zhvillim i cili ka mbetur peng nga konflikti politik, që nga Unaza e Madhe, tek Tramvajet që kam propozuar për qytetin, tek zhvillimi i parqeve të mëdha të gjelbërta, korridorit rekrativ i Lumit të Tiranës, dhe një parku tjetër të madh. Në qendër të këtij zhvillimi, që ka të bëjë me cilësinë e jetës, do të jenë lagjet e qytetarëve të Tiranës, shtëpitë e tyre, apartamentet e tyre. Ky zhvillim do fillojë nga pragu i derës së tyre, jo nga qendra. Së treti, mirëqeverisja, përqasja që unë ofroj, e cila mund të quhet e re, që në fakt është po aq e vjetër sa familja, është ta konsiderojmë Tiranën shtëpinë tonë të madhe, familjen tonë ku nuk mund të ketë të humbur dhe të fituar, ku harmonizimi i interesave çon përpara qytetin dhe të gjithë fitojmë. Për të bërë këtë, unë propozoj një qeverisje e cila të jetë sa më afër qytetarit, vë në qendër qytetarin, ku konsultimi është i përhershëm dhe konsensusi më i gjerë qytetar, është rregulli dhe jo përjashtimi.

Zoti Basha, disa nga premtimet tuaja, sidomos ato më të prekshmet për interesat e qytetarëve, flas këtu për taksat, çështja e hipotekimeve, kanë ngjallur disa debate. Kemi nga ana tjetër opozitën, e cila thotë se taksat e pushtetit vendor që ju premtoni t’i reduktoni drastikisht, zënë vetëm një pjesë të vogël që biznesi apo qytetarët paguajnë në Shqipëri. Apo çështja e hipotekimeve që, sipas tyre, ka dy vjet që ka kaluar në varësi të një institucioni tjetër dhe jo pushtetit vendor?

Në të dy këto raste, ç’është e vërteta ne përballemi me përqasje të ndryshme, që ne si palë ofrojmë në fushatë. Kandidati tjetër nuk ka pranuar të marrë përgjegjësi për shumë gjëra që i takojnë Bashkisë, probleme të qytetit, të cilat mund të mos jenë probleme të Bashkisë apo të kryebashkiakut, i tillë është rasti i hipotekave. Hipotekimi i pallateve nuk duhet të ngatërrohet me legalizimin, procesi është stopuar plotësisht për shkak të mungesës së vullnetit apo mungesës së transparencës, për të ecur përpara me lejet e shfrytëzimit dhe për të përfunduar pastaj procesin e hipotekimit. Ky proces ka qenë tërësisht në autoritetin e Bashkisë dhe Bashkia ka qenë përgjegjëse edhe për neglizhencën në kontrollin e ndërtimeve, që mund të kenë devijuar nga leja e ndërtimit. Unë do t’i jap një zgjidhje problemit të hipotekimit brenda 15 nëntorit. Së pari, sepse është e drejta e tyre të posedojnë titullin e pronësisë për banesat që i kanë paguar, banesa që janë ndërtuar me leje. Kjo nuk duhet ngatërruar me legalizimet. Së dyti, këto përfaqësojnë një vlerë kapitale të jashtëzakonshme, mbi 700 milionë euro, dhe unë po e përsëris edhe një herë, kjo vlerë kapitale do të ketë një impakt të menjëhershëm në tregun e Tiranës, veçanërisht në prioritetin tim numër një, në punësim. E njëjta logjikë vlen edhe për çështje të tjera. Në tërësi, përballemi me një mungesë përgjegjshmërie, me dëshirën për të treguar me gisht palën tjetër. 85 taksa dhe tarifa vendore janë tepër shumë, për çdo vend, për çdo qytet. Niveli i tyre është 7 deri në 8 herë më i lartë sesa komunat e Bashkitë fqinje. Taksat e larta sjellin shërbime të pakta dhe shërbimet e munguara për biznesin dhe qytetarin, sjell kosto të larta për qytetarin, kosto të larta për biznesin, çmime jo normale dhe ul nxitjen për punësim. Për këtë arsye, unë kam propozuar dhe jam i vendosur, që duke filluar nga muaji maj, të merrem me reformën fiskale, të thjeshtoj sistemin e taksave, të thjeshtoj në tërësi procedurat administrative, ti rikthej paratë punëdhënësve të qytetit, qytetarëve të Tiranës dhe në të njëjtën kohë të ofroj shërbime të tilla që të mos ketë kosto më të lartë shërbimi dhe prodhimi në këtë qytet, se sa në Komunat dhe Bashkitë përreth. Duke përdorur ekonominë e shkallës, kjo kosto do të jetë sa më e ulët. Paratë që do ti rikthehen punëdhënësve të Tiranës do të jenë të mjaftueshme për të hapur vetëm brenda muajit Dhjetor, të paktën mbi 4 mijë vende të reja pune. Unë do të veproj po kështu me një fond garancie për biznesin. 2 milion euro të Bashkisë do të jenë themeli i këtij fondi garancish, me një inpakt kreditues 20 milion euro. Bizneset e vogla dhe të mesme do përfitojnë nga këto kredi dhe do mundësojnë po kështu një punësim të paktën për 6 mijë qytetarë të tjerë të Tiranës. Pra, unë kam vendosur të marr përgjegjësitë e plota që i takojnë Bashkisë.

Zoti Basha duke mbetur tek aspekti politik i fushatës tuaj. Ju vini nga një karrierë e suksesshme politike në qeverinë e Partisë Demokratike, por ajo që vihet re në këtë fushatë, është distanca me partinë, duke nisur nga spotet tuaja ku mungon loga e Partisë Demokratike, ngjyra nuk është me bluja, keni portokallinë tani. Drejtuesit e Partisë Demokratike nuk janë parë në fushatën tuaj, përveç hapjes së fushatës tuaj këtu e 30 ditë më përpara. Pse ky distancim?

Nuk bëhet fjalë për distancim. Partia Demokratike është fuqimisht e përfshirë në fushatë në të gjitha nivelet që nga Kryetari i saj, e deri tek kolegët e Këshillit Kombëtar. Partia i ka dedikuar fuqitë, energjitë për këtë fushatë, por është një fushatë që ka në qendër qytetarin. Dhe kjo është jo vetëm një zgjedhje e imja, po ashtu, është një zgjedhje e Partisë Demokratike, është një zgjedhje e qytetarit. Eshtë një konvergjencë dhe në këtë kuptim, Partia Demokratike ka virtytin që të pranojë në këtë moment, dhe të bëjë të veten, filozofinë e qytetarit në qendër të politikave vendore. Kemi të bëjmë me një fenomen pozitiv, i cili do të kontribuojë për më shumë realizëm në politikat që janë më afër qytetarit.

Ju flisni për politikat për qytetarin, por jeni sulmuar nga kundërshtari juaj për mungesë transparence. Ju vutë në qendër të kësaj fushate edhe për mënyrën e mbulimit mediatik të fushatës, mungesën e kamerave, mediave, në mbulimin tuaj.

Transparenca ime ka qenë e plotë dhe askush nuk është penguar për të mbuluar aktivitet e mia. Kultura e transmetimit me kaseta është përdorur gjerësisht edhe nga kandidati tjetër në këtë fushatë. Relativisht, është pjesë e problematikës së transparencës në vend. Unë jam i vendosur të ec përpara dhe ti jap përkrahje të plotë medias së lirë, sot dhe nesër, si kryebashkiak i ardhshëm, për mbulimin e gjithë aktivitetit tim sikur kam qenë i hapur gjatë gjithë periudhës sime të shërbimit publik. Ky është një problem i cili duhet trajtuar, nuk mund të mbyllen sytë para këtij problemi, është një problem i cili ka ekzistuar më përpara. Është një problem i cili sot është përdorur gjerësisht edhe nga kundërshtari, i cili ka përdorur kasetat televizive në aktivitetet e tij në Tiranë dhe jashtë. Ka zgjedhur në mënyrë selektive dy-tre media, ishte e drejta e tij. Unë nuk kam bërë zgjedhje selektive të mediave. Unë kam qenë i hapur dhe nuk kam penguar asnjë media të ndjekë aktivitetet e mia. Për kontaktet e mia intime me qytetarin kam preferuar një kamera të vetme, për të mos i vënë qytetarët në siklet. Dhe këto pamje janë vënë në dispozicion të plotë, për këdo që ka dashur ti ketë.

Kandidimi juaj besoj ka qenë diçka e maturuar në kohë. Ngjarjet e 21 janarit, a e lëkundën idenë tuaj për të kandiduar?

Eshtë një ngjarje e dhimbshme, veçanërisht sepse ka pasur 4 viktima, edhe unë refuzoj ta përdor këtë ngjarje për kapital politik, siç po ndodh gjatë kësaj fushate me kandidatin tjetër. Kjo ngjarje është nën hetim, asnjë akuzë nuk ka bazë. ICITAP-i dhe Pameca, e kanë vlerësuar lart rolin e policisë. Problemi me përdorimin politik të kësaj ngjarje është ajo që kam thënë më përpara, dëshira për të vazhduar me gjuhën e akuzave. Konflikti politik është problem kryesor në qytetin e Tiranës. Mos ta lëmë axhendën e qytetarëve të Tiranës, peng luftës politike, sepse këto nuk kanë prodhuar asgjë për qytetin. Nuk kanë hapur asnjë vend pune, nuk kanë ndërtuar asnjë shkollë ose rrugë. Ka ardhur koha t’i themi boll më, kësaj politike shterpë. Unë do të përqendrohem tërësisht për t’i bërë betejat e qytetit, betejat e mia. Bashkisë së Tiranës, dhe kryebashkiakut nuk i del më asnjë minutë kohë për tu marrë me politikë dhe me sherre politike.

Do të ishte fitorja e bashkisë një trampolinë për t’u ngjitur më shumë në Partinë Demokratike, nëse lidershipi i saj tërhiqet?

Absolutisht jo. E gjithë energjia ime, gjithë koha ime, unë i tëri fizikisht dhe shpirtërisht, sot përkushtohem dhe vihem në dispozicion të qytetit tim, të qytetit ku kam lindur, i cili vuan padrejtësisht mungesën e vëmendjes. Dhe nëse në këtë fushatë jam nisur me bindjen e plotë se përkushtimi total është gjëja më e drejtë për të bërë për qytetin, mbështetja, dashuria shpresa, që kam gjetur të qytetarët e Tiranës më ka bindur edhe më shumë se ka qenë zgjidhja e duhur, ndaj ta jeni të sigurt se axhenda ime e vetme do të jetë përkushtimi total, i plotë dhe i suksesshëm, ndaj problemeve të qytetit dhe axhendës së qytetarit të Tiranës

Marrë nga “Zëri i Amerikës”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›