E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fletëthirrje e re për Fazliç

Policia nuk mund të zbatojë njoftimin e parë të prokurorisë për biznesmenin serbo-boshnjak, sepse asaj i ka kaluar afati

TIRANË - Prokuroria shqiptare duhet të ribëjë nga e para procedurat për fletëthirrjen e Damir Fazlliç, nëse ajo është e interesuar për ta marrë në pyetje biznesmenin serbo-boshnjak lidhur me hetimet që ka nisur ndaj aktivitetit të tij në Shqipëri, gjithmonë nëse ky i fundit vjen sërish në Tiranë. Burime nga Policia e Shtetit konfirmuan dje për “Korrierin”, se shkresa e mëparshme që ka nisur prokuroria më datë 8 tetor këtij viti për uniformat blu, ku kërkonte njoftimin e biznesmenit të huaj për t’u marrë në pyetje nga hetuesit, nuk është më e vlefshme, dhe për rrjedhim edhe e zbatueshme. Të njëjtat burime sqaruan se fletëthirrja e re duhet të përmbajë datën dhe orën e saktë se kur do të pritet në prokurori personi përkatës, në mënyrë që policia t’ia komunikojë këtë gjë atij. Në shkresën e parë që i ka shkuar policisë për thirrjen e Fazliçit ishin përcaktuar të tjerë afate kohore, çka e bëjnë këtë dokument të pavlerë për t’u zbatuar nga uniformat blu. Të pyetur se a do ta shoqërojnë Fazliçin nëse ai do të vijë sërish në Shqipëri, burimet nga policia thanë se kjo gjë nuk mund të bëhej, për sa kohë që ndaj tij nuk ka një urdhër arresti apo ndalimi. Edhe në datën 8 tetor, prokuroria ka lëshuar thjesht një thirrje për t’u marrë në pyetje për biznesmenin e huaj dhe policia sipas ligjit duhej vetëm ta njoftonte atë lidhur me këtë thirrje. Nëse edhe në të ardhmen nuk do të ketë një urdhër ndalimi nga ana e organit të akuzës për Fazliçin, duket se policia sërish do të jetë e justifikuar me mungesën e bazës ligjore për ta shoqëruar biznesmenin serbo-boshnjak.

Afro një muaj më parë, kur Fazliç ishte në Shqipëri, por nuk bë e mundur marrja e tij në pyetje në lidhje me bizneset në vendin tonë, mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme nisën përplasjet e para në lidhje me shoqërimin e parealizuar të Fazliçit për në prokurori. Të dyja palët reaguan ashpër ndaj njëra-tjetrës në momentin kur nuk u bë e mundur marrja në pyetje në organin e akuzës. Edhe pse ato ditë nga burime të besueshme u tha se vizita e tij ishte planifikuar më e gjatë se 24 orë, biznesmeni qëndroi në Tiranë vetëm tri orë. Por kësaj here duket se me momentin e mbërritjes së tij në Rinas, bashkëpunimi polici-prokurori duhet të jetë më i ngushtë. E nëse herën e parë orari i vërtetë i nisjes së tij u pretendua i parakohshëm nga ana e prokurorëve të çështjes, kësaj here duhet të jenë të përcaktuara mirë të gjithë detajet e lëvizjes së tij në vendin tonë. Në atë kohë, dy variante krejt të kundërta u dhanë nga Ministria e Brendshme dhe nga organi i akuzës. Institucioni i parë pretendoi se dy prokurorët e çështjes, Elio Mazreku dhe Zamir Shtylla, kishin vepruar me anë të telefonave për mbajtjen e biznesmenit në Tiranë. Ndërsa nëpërmjet një njoftimi për shtyp, prokuroria tha se telefonat ishin përdorur, pasi nuk kishin mundur të takojnë shefin e Komisariatit të Rinasit, për të vënë në dijeni në lidhje me marrjen në pyetje të Damir Fazliçit. Pak ditë më parë, burime të “Korrierit” thanë se një tjetër vizitë e biznesmenit serbo-boshnjak pritet të zhvillohet së shpejti në vendin tonë.

Qëndrimi i prokurorisë

Prokuroria është e vendosur të marrë në pyetje Damir Fazliçin, nëse ai vjen në Shqipëri. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht për “Korrierin” nga burime pranë organit qendror të akuzës, të cilat thanë se fillimisht do të shikohet nëse ka ende vlerë ftesa e parë që prokuroria adresoi në emër të biznesmenit serbo-boshnjak. Meqenëse në Kodin e Procedurës Penale parashikohen dhe rastet e thirrjes së personave, që për arsye të ndryshme mund të ndodhen jashtë Shqipërisë, ka tolerime me afat kohore që mund të zgjasin deri në 10 ditë. Sipas këtij arsyetimi, fletëthirrja për marrjen në pyetje të Damir Fazliç ka ruajtur fuqinë ligjore deri pak ditë më parë. Por pavarësisht këtij fakti, prokuroria pohon, se në rast se Fazliç viziton Shqipërinë, do të thirret për të dhënë shpjegime rreth bizneseve të tij në vendin tonë dhe marrëdhënieve me firma të tjera, siç ishte rasti i shitjes së kompanisë “Crown Acquisitions” në Qipro. Prokuroria thotë se fillimisht do të mirëpresë dëshirën e serbo-boshnjakut për të dhënë shpjegime vullnetarisht. Në rast se vullneti mungon, atëherë do t’i jepet një ftesë për marrje në pyetje, përgjigjja e së cilës sërish mbetet në ndërgjegjen e Fazliçit. Në rast përgjigjeje negative për tri herë radhazi, atëherë organi i akuzës urdhëron shoqërimin e dëshmitarit nga punonjësit e policisë. Në rastin konkret, organi i akuzës nuk përjashton mundësinë e pyetjes së Fazliçit nga autoritet britanike dhe dërgimin e dëshmisë së tij për llogari të hetimit të palës shqiptare me anën e letërporosisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›