Qeveria u vë gërshërën fondeve të Topit

Përgjysmohen fondet nga buxheti për Presidencën. Institucionet e gjyqësorit do të përfitojnë rritje të ardhurash nga buxheti 2009
Pas hartimit të buxhetit për vitin 2009, nga institucionet e pavarura duket se më e diskriminuar mbetet Presidenca, pasi për vitin e ardhshëm do të ketë shkurtim fondesh me rreth 200 milionë lekë krahasuar me 2008-ën. Kështu, gjatë vitit 2009, institucioni i Presidencës do të marrë nga buxheti vetëm 203 milionë lekë. Por shkurtim fondesh do të ketë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, pasi për vitin 2009 janë caktuar vetëm 949 milionë lekë, nga 1.18 miliardë që viheshin në dispozicion përgjatë vitit aktual. Lidhur me buxhetin e institucioneve të pavarura, bie në sy edhe shkurtimi i buxhetit.
Zemërgjerësia me drejtësinë
Ndryshe nga sa pritej, për vitin 2009 duket se qeveria e ka vënë dorën në zemër lidhur me buxhetin financiar për institucionet e drejtësisë. Më shumë para do të ketë për Prokurorinë e Përgjithshme apo edhe për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si dhe Gjykatën Kushtetuese. Pas analizimit të fondeve të vëna në dispozicion për institucionet e pavarura, rezulton se prokuroria do të ketë një shtesë fondesh në vlerën e rreth 136 milionë lekëve krahasuar me buxhetin e vitit 2008, çka tregon se në total për këtë institucion janë vënë në dispozicion plot 1.146 miliardë lekë. Krahasuar me Gjykatën Kushtetuese, rritje fondesh do të ketë më shumë për KLD-në, pasi për vitin 2009 do të përfitojë plot 77 milionë lekë, nga 72 milionë që ishin dhënë për 2008-ën. Ndërsa për Gjykatën Kushtetuese, buxheti do të rritet me vetëm 2 milionë lekë, pasi në total, fondi i vënë në dispozicion nga qeveria arrin vlerën e rreth 98 milionë lekëve. Madje, zemërgjerësia e qeverisë arrin deri tek Shkolla e Magjistraturës, së cilës i është shtuar buxheti për vitin 2009 me më shumë se 3 milionë lekë krahasuar me një vit më parë.
Pesëfishohet buxheti për KQZ-në
Duke qenë se po i afrohemi një viti elektoral, sytë e qeverisë janë vendosur tek ato institucione që kanë si bazë pikërisht votimet dhe përpunimin e të dhënave në bazë të rezultateve. Kështu, për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë vënë në dispozicion plot 695 milionë lekë nga buxheti i vitit të ardhshëm, nga afro 124 milionë lekë që merrte ky institucion për vitin 2008.
Zbrazen xhepat e KLSH-së
Një nga institucionet e pavarura që duket se nuk ka përfituar këtë herë nga zemërgjerësia e qeverisë shqiptare është edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucion ky që demaskon dhe vë para ligjit pushtetarët apo punonjësit civilë. Kështu, për vitin 2009, KLSH-ja do të marrë nga buxheti i shtetit rreth 25 milionë lekë më pak krahasuar me fondin që i është vënë në dispozicion për 2008-ën. Kjo, pasi vlera totale që do t’i jepet, arrin në rreth 263 milionë lekë.