Rajerson: Gërdeci, trashëgimi e PPSH
Ambasadori i parë amerikan pas rënies së komunizmit në Shqipëri, tashmë në pension dhe i vendosur në rrethinat midis Uashingtonit dhe Virxhinias, William E. Ryerson, 14 vjet pas largimit nga Shqipëria, flet për herë të parë ekskluzivisht për agjencinë maqedonase të lajmeve INA për një Shqipëri në NATO, pavarësinë e Kosovës dhe zhvillime tjera në rajonin e Ballkanit.
Çfarë paraqiste për ju personalisht emërimi si ambasador i SHBA-së në Shqipëri?
Emërimi si ambasador përbënte një rast për të ringjallur lidhjet ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mua mu shtua shumë interesimi për Shqipërinë pasi fillova të mësoja edhe gjuhën shqipe, në mënyrë që të komunikoja më mirë me shqiptarët e Kosovës të cilët vinin në Sektorin Konsullor të Ambasadës. Siç e dini, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdonin të shfaqnin interes për Shqipërinë dhe vazhduan transmetimet nëpërmjet Zërit të Amerikës në shqip gjatë gjithë kësaj periudhe. Ne e dinim shumë mirë se shpifjet e ulta të Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe partnerëve të tyre në krim, nuk përfaqësonin në asnjë mënyrë pikëpamjen e popullit shqiptar.
Qëndrimi juaj ato ditë kur erdhët në Shqipëri krah Berishës në mitingjet e kryeqytetit, ishte personal apo një qëndrim zyrtar i Departamentit të Shtetit?
Së bashku, Sekretari i Shtetit James Baker, kolegët e mi, dhe unë e bëmë të qartë në Ambasadën tonë se ne do t’a inkurajonim demokracinë dhe do të vendosim një sistem të tregëtisë së lirë, do të garantonim lëvizjen e lirë të njerëzve në Shqipëri dhe se do të punësonim shqiptarë në Ambasadë. Unë bëra gjithëçka që munda për të inkurajuar zgjedhje të lira, transparente dhe të ndershme. Dua të theksoj faktin se nuk dola me Dr. Berishën në takimet përpara zgjedhjeve të 22 marsit 1992, megjithëse PPSH dhe trashëgimtarët e ideologjive të tyre thonë se unë kam dalë më të. Hera e parë që kam bërë paraqitje publike me Dr. Berishën ka qënë më 23 Mars 1992, kur Berisha i foli një grupi njerëzish qe kishin dalë në shesh për të festuar fitoren e zgjedhjeve. Gjithashtu, në podium në atë kohë, mes te tjerëve, ishte edhe një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe një anëtar i Bundestagut gjerman.
Çfarë orientimi patët ju atëherë si ambasador i SHBA-ve, për të burgosurit politik, të persekutuarit dhe të internuarit?
Unë kisha shumë simpati për vuajtjet e tyre. Shumë herë provova duke përfshirë njerëz të cilët kanë qënë nxënësit të shkollës Harry T. Fultz Technical School - (Golem - Kavajë) e drejtuar po nga Harry T. Fultz, njerëz këta që kanë vuajtur, vetëm sepse ata kanë pasur tendenca pro-perendimore. Ishte qëllimi im që t’i ndihmoja ato persona me sa të kisha mundësi. Unë e ndihmova organizatën e ish të burgosurve politikë për të sjellë njerëzit e tyre, që të punësohen në Ambasadën amerikane. Ka pasë qënë politika e qeverisë së Hoxhës dhe Alisë për të “punësuar”, punëtorë për ambasadat e jashtme në Tiranë, nëpërmjet Ministrisë se Jashtme, një sistem ky që ka qënë në përdorim për një kohë të gjatë në Moskë dhe i quajtur “merr një spiun me qera” nga ambasadat perëndimore.
Na thuaj pak në lidhje me zhvillimet demokratike atëherë në Shqipëri. Sa e vështirë ishte qe të ishe diplomat amerikan në atë periudhë sa ju kryet detyrën si ambasdorë i SHBA-së në Tiranë?
Në një farë mënyre ishte e vështirë, por vetëm në kuptimin trivial të komfortit personal. Shumica e shqiptarëve kishin rifilluar kontaktin me Shtetet e Bashkuara, dhe unë e gjeta veten time shumë të mirëpritur nga të gjithë.
Çfarë forma ka diplomacia e SHBA-ve për të ndryshuar ose për të ndikuar në proceset demokratike të një vendi?
Në Shqipëri ashtu si dhe diku tjetër, diplomatët Amerikanë, përpiqen të mbajnë kontakt me persona në skenën politike dhe kulturore. Ne dëshirojmë që të dyja figurat qeveritare dhe publiku gjithëpërfshirës të dinë se çfarë është politika e Shteteve të Bashkuara, dhe të përkrahin politikën të cilën ndjek vetë Amerika.
Kur u përgatitet për tu njohur me historinë e Shqipërisë, a kishit pasur më parë ndonjë farë njohurie?
Duhet të them të vërtetën se si shumica e Amerikanëve, edhe unë kam ditur shumë pak për Shqipërinë. Ashtu si mund t’a imagjinoni, unë fillova të mësoja më shumë kur fillova të mësoja gjuhën shqipe. Në atë krahë pata ndihmën e shumë njerëzeve që e kishin gjuhën nënë - dhe më rrallë kisha persona që kërkonin ndihmë në Ambasadën e Beogradit. Pasi arrita në Shqipëri në Prill 1991, unë fillova një kurs për historinë e Shqipërisë, edhe këtë herë pata ndihmën e personave që më ndihmuan të mësoja shqip.
Si e shpjegoni ju faktin që nga përfundimi i mandatit tuaj si ambasador i SHBA-së, në Tiranë, të gjithë pasardhësit e tu që erdhën në Tiranë, asnjeri nuk e përfundojë mandatin?
Unë nuk i vë asnjë lidhje faktit se ata që më ndoqën mua si Ambasadorë të Amerikës në Tiranë nuk e mbaruan dotë mandatin e tyre. Vdekja tragjike e Ambasadorit Limprecht, dhe prezenca e Ambasadorit Frowick, ishin të palidhura me ngjarjet e tjera. Ikja e Ambasadorit Jeffrey kishte të bënte me faktorë jo-shqiptarë. Nuk shikoj asnjë gjë të jashtëzakonshme në të gjithë këtë.
A vazhdon të ndjekësh zhvillimet në Shqipëri dhe në çfarë mënyre i ndjek ato?
Po, i ndjek ngjarjet në Shqipëri, megjithëse jo dhe aq nga afër sa i ndiqja kur isha atje. Unë vazhdoj të mbaj lidhje me komunitetin Shqipëtar-Amerikan, jam i abonuar me një gazetë, dhe mbaj kontakt nëpërmjet e-mailit tim, dhe shkembej letra me miqtë e mi në Shqipëri. Gjithashtu, kam qënë i privilegjuar të futem në takime ku kam takuar zyrtarët Shqipëtarë dhe kamë përdorur ato raste për të qënë më i informuar për gjëndjen.
Prej kur jeni larguar ju, ngjarje të mëdha kanë ndodhur në Shqipëri. Si ndjeheni Ju që i vendoset i pari urat e lidhjes diplomatike mes Uashingtonit e Tiranës?
Ishte privilegji im që unë si ambasadori i parë i SHBA-së, në Shqipëri, të isha pjesë e fillimit të ringjalljeve të lidhjes së mirë ndërmjet këtyre dy shteteve. Unë jam i lumtur dhe krenarë që Shqipëria tani është ftuar të bëhet pjesë e NATO-s, dhe që SHBA-të i kanë dhënë përkrahje të fortë pavarësisë së Kosovës. Ashtu siç kam thënë në një artikull të publikuar para disa viteve në shtypin shqiptar, me kryetitull “Kosova duhet të jetë e pavarur! Pikë”. Dhe më vjen keq që miku im Safet Zhulali, i cili ishte Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, kur unë isha ambasador, nuk është gjallë që të shikojë lëvizjen e Shqipërisë në NATO, diçka që ai e ka pas dashur shumë që të vijë kjo ditë.
A keni dëgjuar se në Shqipëri, kanë ndodhur vitetet e fundit edhe ngjarje të tilla si “Gërdeci” apo disa çështje të tjera, sa që edhe ambasadori amerikan Xhon Withers, është i përfshirë në debatet rreth këtyre çështjeve ?
Po, Gërdeci ishte një tragjedi shumë e madhe. Duke u menduar për atë ngjarje, unë shpresoj se njerëzit do të kujtojnë se prezenca e atyre armëve, kaq shumë armëve eksplozive në Shqipëri, është pjesë e legacisë toksike që mbante Partia e Punës së Shqipërisë - PPSH-ja.
Dhe së fundi si komentoni ju faktin që Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, nënshkroi më 24 tetor në Shtëpinë e Bardhë, në një ceremoni aktin që i hapi rrugën anëtarësimit edhe të Shqipërisë në NATO ?
E përshëndes dhe e duartrokas këtë ngjarje ! (Rikujtojmë se në një intervistë vitin e kaluar me Zërin e Amerikës, Ambasadori William Rajerson, citohet të ketë thënë se: Shqipëria ka përparuar mjaft dhe këtë e tregojë edhe vizita që bëri vitin e kaluar Presidenti Bush. Shqipëria është një dëshmi e këtij përparimi. “Në përgjithësi, presidentët nuk shkojnë në vende të vogla ku ka probleme serioze politike ose të sigurisë. Pra është një ngjarje që tregon se Shtetet e Bashkuara gjykojnë se Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm. Është një rast për t’u thënë shqiptarëve: vazhdoni kështu. Është si të thuash vula e miratimit. Natyrisht vendeve nuk u duhet miratimi i vendeve të tjera për politikat që ndjekin. Por në një kuptim është njohje e faktit se Shqipëria ka ecur shumë që nga koha kur zoti Bejker ishte atje. Shqipëria, është një vend mik, një aleat i rëndësishëm për ne. Në Ballkan ka probleme të rëndësishme, duke përfshirë zhvillimin politik në Shqipëri dhe vizita mund të shihet si inkurajim në këtë aspekt.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)