E gjithë Bundesliga në gjurmët e Diegos
Diego mund të quhet një nga yjet e mer katos së kësaj vere. Pas një qetësie të plotë, një "tsunam" ofertash është përplasur në dyert e selisë së Juventusit për të kërkuar shërbimet e fantazistit brazilian, i cili sezonin e kaluar mbërriti në Torino nga Verder Bremeni, duke mos bindur aspak drejtuesit bardhezinj. Dhe ashtu siç pritej ofertat për Diegon vijnë kryesisht nga Gjermania, nga skuadrat e Bundesligës, aty ku 25-vjeçari shkëlqeu dhe bindi Juventusin të investonte për të një shifër të madhe prej 24.5 milionë euro. Por edhe pse në miqësoret e këtij fillimsezoni, apo në dy ndeshjet e eliminatoreve të Ligës së Evropës, numri 28 i klubit torinez ka luajtur me vazhdimësi, sërish nuk mund të thuhet se ka shkëlqyer dhe mesa duket, ka qenë pikërisht kjo gjë që ka shtyrë drejtuesit torinezë të vlerësojnë ofertat e ardhura në drejtim të tij. Fillimisht, ajo që u bë e gjallë në selinë e klubit me më shumë tituj të fituar në Itali ishte skuadra e Hamburgut. Duke qenë se Juventusi ishte shumë e interesuar për dy lojtarë të kësaj skuadre, si mbrojtësi i majtë Denis Aogo dhe sulmuesi holandez Eljero Elia, dy klubet nisën bisedimet mes tyre. Por pasi Aogo nuk pranoi një transferim në radhët e bardhezinjve, Juventusi nuk ishte e interesuar t'ia shiste Diegon Hamburgut, duke qenë që këta ofronin vetëm 15 milionë euro. Por dy ditë më parë, skuadra tjetër që trokiti në dyert e Juves ishte Volfsburgu, e cila për fantazistin brazilian ka paraqitur një ofertë prej 15 milionë euro, plus 3 milionë të tjera në formë bonusi, nëse gjermanët do kualifikoheshin për sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve. Por edhe kjo ofertë duket se është refuzuar nga Juventusi, duke qenë se te Volfsburgu luan sulmuesi dhe objektivi kryesor i italianëve, Edin Dzeko, lojtar të cilin klubi gjerman duket se nuk ka ndërmend ta shesë. Por në orët e fundit, në Torino kanë mbërritur edhe emisarë të Shalke 04, të cilët janë gjithashtu të interesuar për Diegon. Por tani pritet që gjermanët të bëjnë ofertën e tyre, edhe pse Juventusi e ka bërë të qartë se nuk e shet Diegon pa 20 milionë euro.