E Diel, 1 Nëntor 2026

Flokët, prerjet dhe stilet e reja të stinës me diell



Je kujdesur që garderobës tënde të mos i mungojë asnjë veshje për këtë stinë të ngrohtë e plot ngjyra të theksuara. Ke kombinuar me to akesorë pa fund, por të mungon një element po aq i rëndësishëm sa edhe të tjerët: flokët. Dimri iku, por t’i ke mbetur me po atë pamje, po atë stil dhe ngjyrë. Cilat janë tendencat e fundit të flokëve te të cilat mund të referohesh? Ajo që ia vlen të theksohet është se këtë vit mund të luani me modelet ekstreme. Mund të zgjidhni për veten një model flokësh jashtëzakonisht të shkurtër, jashtëzakonisht femëror, jashtëzakonisht të shkëlyeshëm. Megjithatë, konsultohuni me parukierin tuaj për çdo lloj ndryshimi pasi jo çdo model mund të ishte i përshtatshëm.
Flokë shumë të shkurtër
Në dallim nga një vit më parë, flokët preferohen shumë të shkurtër. Nëse vjet në këtë stinë secila mund të guxonte të kishte një model me flokë të shkurtër, tani gjithçka është ndryshe. Flokët shumë të shkurtër më herët janë preferuar nga aktoret e Hollivudit si Keit Holms apo Viktoria Bekam. Një tjetër tendencë janë edhe flokët e shkurtër në njërën anë dhe pak më të gjatë në anën tjetër me ose pa balluke. Të preferueshme për këtë model janë ngjyrat e çelëta në çokollatë ose e zeza. Nëse guxoni, rezultati do të jetë padyshim ndryshimi total.
Modeli i viteve ‘40
Do t’ju pëlqente, por nuk jeni në gjendje të ndryshoni duke shkurtuar flokët në mënyrën më ekstreme? Apo i keni pasur dhe jeni lodhur me to? Atëherë bëhuni gati për diçka më të realizueshme. Nëse keni flokë deri në gjatësinë e shpatullave, atëherë përpiquni të jeni sa më rehat me to por edhe trendy në të njëjtën kohë. Një ose dy vjet më parë, modeli më i përhapur ishte ai me një gjatësi normale, sipër ose deri te shpatullat, me ndonjë onde ose tërësisht i drejtë. Këtij stili i janë bashkuar edhe aktoret e njohura Xhesika Alba, e cila i mban me balluke të gjata.
Të tjera figura të njohura të televizionit që preferojnë këtë model flokësh janë edhe Keit Mos, që guxon më tepër me ngjyrën, Heidi Klum me shkallëzimin e theksuar dhe Lili Alen me krehjet e çuditshme.
Flokë të gjatë
Kryefjala e flokëve e thamë që ishin prerjet ekstreme. Nëse tepër të shkurtër s’mund t’i prisni, deri te shpatullat mendoni se do të dukeni tepër e zakonshme, atëherë zgjidhni të mbani flokët e gjatë. Në këtë stinë të ngrohtë do të dukeni më sensuale dhe e brishtë me flokët që ju ndriçojnë. Me ose pa balluke, gjithçka është në dorën tuaj. Nuk mund të flasim për një ngjyrë të përcaktuar në këtë rast. Flokët e gjatë mund t’i mbani me ngjyrën tuaj të preferuar, qoftë ajo e zezë, gështenjë apo edhe platin. Kujdesuni që t’i trajtoni në mënyrën e duhur, sepse në të kundërt do të përftonit flokë të dëmtuar dhe pa shkëlqim.
Evito modelin “Rihana”
Tepër në modë dy-tre vitet e fundit, tashmë rrezikoni të dukeni me pamje të vjetëruar nëse prisni flokët me modelin e konsideruar “Rihana”. Secila nga ne mbase i ka mbajtur flokët me këtë prerje, të prera shkurt mbrapa dhe të gufuara dhe më të gjata përpara e të drejta. Për këtë vit, ekspertët e flokëve këshillojnë të evitohet ky model pasi ka dalë nga moda. Duhet të jeni më të vendosura për pamjen tuaj, zgjidhni të keni një model të guximshëm tepër të shkurtër ose flokë tepër të gjatë e të shëndetshëm.
Stilet e reja të flokëve
Flokët e gjatë janë ata që do të dominojnë me stilet herë të rregullt e herë më voluminozë e me forma. Ondet e gjata që bien në sy dhe flokët e ndërthurur janë vetëm disa nga thyerjet e rregullave për flokë.
Onde të valëzuara, të ndara në anë
Nëse disa vjet më parë si pikë referimi merreshin flokët e bindur e me një formë të përcaktuar qartë, tashmë tendencat më të fundit të flokëve flasin për çrregullsinë. Bëhet fjalë për stile flokësh të thjeshtë, të cilët bazohen në flokë tepër të gjatë, të shthurur, të thjeshtë për t’i formësuar, sepse nevojitet vetëm pak shkumë apo xhel për volum dhe tharja e flokëve me kokën poshtë për të dhënë një rezultat bindës. Përsa i përket ndarjes, duhet të dini se do të dukeni bukur nëse e ndani anash.
Flokë të gjatë, të drejtë e me shkëlqim
Modeli i përkryer i flokëve është konsideruar gjithmonë ai i aktores Xhenifer Aniston, e cila vetëm për të marrë pjesë në ndarjen e çmimeve “Oscar” shpenzoi për flokët e saj 50 mijë dollarë. Të përkryer në çdo kohë, të drejtë e plot shkëlqim është tendenca e fundit e stilit të flokëve për stinën e pranverës.
Orët që kalojmë duke u marrë me flokët nuk janë pak, po shumë janë edhe ankesat që kemi. Mungesa e shkëlqimit me siguri është ndër të parat e listës. Krehja dhe stilimi i përditshëm mund të dëmtojnë flokët tuaj, duke u vjedhur atyre vajrat natyrale dhe duke i çuar drejt këputjes. Për këtë arsye mendo me kujdes se cili është stili që mund t’ia dilje mbanë.
Ngjyra e pranverës është ar
Flokë si të modeles Keit Moss. Do të thotë që tendenca e re e stinës së pranverës janë flokët me ngjyrë ari. Megjithatë duhet të keni parasysh që ngjyra të duket sa më natyrale dhe në harmoni të plotë me fytyrën. Por a ia vlen vërtet këtë pranverë ngjyra e verdhë në flokë? Si mund të arrihet ajo? Për ta fituar, mund të ndryshosh tërësisht ngjyrën ose në të kundërt të bësh shumë fije të platinta. Edhe nëse ke fatin të jesh bionde natyrale, mund t’i shkëlqesh flokët me nuanca më të qarta, për më shumë dritë. Por kujdes: për të qenë vërtet në modë, duhet të kesh parasysh që ngjyra të ngjajë sa më shumë natyrale, e pasur me reflekse, por pa kontraste të forta, gjithmonë me shkëlqim.

21 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›