E Diel, 1 Nëntor 2026

PIRRO MILKANI, një jetë me filmin mes Pragës dhe Tiranës



Petrika GROSI
Personazhi i radhës në suplementin “Albania Wekend” është regjisori i njohur Pirro Milkani. Në intervistën ekskluzive që vijon më tej, kineasti i njohur flet mbi jetën e tij me kinemanë, kohën e studimeve në Çeki, njohjen me bashkëshorten dhe dashurinë “ilegale” të tyre, që vazhdoi tre vjet, derisa u bë një “sekret publik”, karrierën kinematografike, letërkëmbimin me mikun e tij të hershëm, regjisorin e ndjerë Viktor Gjika, përvojën me diplomacinë si ambasador i Shqipërisë në Çeki dhe shumë të tjera... Gjithashtu, sa i takon aktualitetit, Milkani konfirmon për herë të parë zyrtarisht lajmin e zbuluar kohë më parë nga gazeta, mbi projektin e tij për të realizuar një dokumentar për Ismail Kadarenë. Ajo që të bën përshtypje është se Milkani nuk njeh moshë dhe ndonëse pohon që ndoshta nuk do të bëjë dot një seri të dytë të “Trishtimi i zonjës Shnajder”, thotë se në pension nuk do të dalë asnjëherë...
Me çfarë po merreni aktualisht?
Në ditën që u largova nga Praga si ambasador i Shqipërisë, pata privilegjin e veçantë të takoja presidentin Vasllav Havel dhe mbasi kisha kaluar një sëmundje të rëndë dhe isha në fazën e rikuperimit ai më uroi shëndet dhe më pyeti: “Tani që do tw ktheheni në Shqipëri me siguri do të dilni në pension, apo jo?” Përgjigjja ime ishte se në pension nuk kam për të dalë asnjëherë. Me diplomaci nuk do të merrem më, por ama do të merrem me profesionin tim të vërtetë, atë të kineastit. Duke e mbajtur këtë premtim, nga viti 2002, që jam kthyer në Shqipëri, jam angazhuar me filma dokumentarë dhe pas 16 vitesh arrita të realizoj një projekt shumë të vështirë, siç ishte filmi autobiografik “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Nuk është vendi të flasim se sa i vështirë ishte realizimi i këtij filmi, por rezultati e justifikoi mundin. Në kinematë e Tiranës dhe të qyteteve të tjera, si Shkodër, Korçë e Elbasan, filmi mori 6 mijë spektatorë, shifër e barabartë me numrin e shikuesve të një filmi amerikan. Natyrisht ky numër është i vogël po të kemi parasysh kohët e shkuara, kur kinemaja qe e vetmja zbavitje dhe filmat ndiqeshin nga rreth një milion spektatorë. Ndërkaq, filmi mori rrugën e festivaleve; në Trani të Italisë ai u vlerësua me një çmim të karrierës, në Festivalin e Valencias në Spanjë mori Çmimin Special të Jurisë, në Festivalin e Filmit Filozofik në Krakov të Polonisë mori Çmimin e Jurisë dhe në Salerno, që është festivali i dytë më i vjetër i filmit në Europë pas atij të Venecias, filmi ynë mori çmimin e filmit më të mirë të huaj. “Trishtimi i zonjës Shnajder” është projektuar gjithashtu edhe në Kopenhagen të Danimarkës, në një aktivitet të organizuar nga Ambasada Çeke dhe ajo shqiptare. Unë e kuptoj që në këto raste ka komplimente nga publiku, por jashtë tyre ndihej se filmi u prit realisht mirë. Filmi u shfaq gjithashtu, edhe në Palmsprings të Kalifornisë së bashku me 40 filma të tjerë të përzgjedhur për çmimin “Oskar”. Bashkëproducentja çeke më njofton se ka shumë mundësi që filmi të shitet në Poloni dhe Hungari. Ndërsa në Çeki filmi pati rreth 20 mijë spektatorë dhe bashkëproducentja mendon që ta rihedhë sërish atë në kinema gjatë verës. Dhe pa dyshim në këtë vit e në vazhdim ne planifikojmë që të marrim pjesë në disa festivale të tjera. Aktualisht dhe ky është lajmi i parë zyrtar që po ju jap, së bashku me Enon do të fillojmë së shpejti një dokumentar të veçantë mbi Ismail Kadarenë. Do të xhirojmë në Durrës, Gjirokastër, Paris, Moskë dhe në Pragë.
Meqë e përmendët Kadarenë, ç’mund të na zbuloni ndonjë detaj rreth dokumentarit që do të bëni për të?
Së pari, dua të them se kemi njohje të vjetër dhe ky është filmi i tretë ku do të kem rastin të bashkëpunoj edhe një herë me Kadarenë. Të them të drejtën është një film i vështirë, sepse duhet të jetë një homazh për shkrimtarin tonë të madh, një film ku do të ketë edhe surpriza të këndshme, të cilat spektatori do t’i shohë për herë të parë. E kam fjalën për disa xhirime të realizauara me një kamera 16 mm nga vet autori përgjatë viteve ’60-’61 në kohën kur ai ishte me studime në Moskë, por edhe pas kthimit në Tiranë.
Me çfarë ngjarjesh do t’i lidhte regjisori Pirro Milkani vitet ’60?
Kanë qenë vitet e krisjes së madhe, ashtu siç thotë edhe Kadareja në Dimrin e vetmisë së madhe. Ishte koha kur u ndje, u pëshpërit dhe u zyrtarizua shkëputja jonë nga Blloku Lindor; në Tiranë u kthyen me mijëra studentë që kishin mbaruar ose jo studimet në Rusi, Poloni, Çeki, Bullgari, Hungari dhe Rumani. Janë vitet e fillimit të një veprimtarie intensive në krijimtarinë kinematografike. Ajo bërthamë studentësh që u kthyen, nisën të eksperimentonin në fillim me droje e pastaj me guxim gjininë e filmit artistik. Kështu, nga viti në vit prodhimi u rrit për të arritur deri në 14 filma artistikë në vit. I binte që çdo muaj të kishte nga një premierë filmi dhe kjo kishte arsyet e veta, sepse me përjashtim të pak filmave italianë e francezë, publiku nuk kishte çfarë të shikonte tjetwr. Sot, në arkivin e Kinostudios janë mbi 350 filma dhe mbi 1000 dokumentarë e qindra filma kronikalë. Për fat të mirë, ato filma janë të ruajtura në parametra të mirë teknikw. Për mua, filmat dokumentarë janë si ajo vera e mirë, së cilës sa më shumë që kalojnë vitet, aq më tepër i rritet vlera. Njerëzit që e kanë jetuar atë kohë, por edhe të rinjtë që nuk e kanë jetuar kuptojnë ose informohen se si ishte e kaluara jonë, raportet që ekzistonin, si trumbetoheshin sukseset, se zakonisht veç për suksese flitej, (qesh) megjithatë janë filma me vlera arkivore.
E teksa flasim për vlera, mendoni se mbetet ndonjë e tillë artistike?
Realizimet e filmave në atë kohë kalonin në një seri filtrash e komisionesh, redaksish, ekipesh të ndryshme, nga Komiteti i Partisë, Ministria e Kulturës etj., kështu që kishin kufizimet e tyre. Filmat me temë historike dhe shoqërore kanë vlerat e tyre. Fundja, ne sot nuk ja imponojmë publikut filmat tonë, por duket se ai vetë ka interes për ato filma. Tituj si “Nëntori i dytë”, “Lulekuqe përmbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Pranvera s’erdhi vetëm” etj., mbartin padyshim edhe sot vlera të mëdha. Në këto realizime shquhet jo vetëm profesionalizmi në planin regjisorial por edhe niveli i lartë interpretativ i atij numri të madh aktorësh, një pjesë e të cilëve nuk janë më. Më ka bërë përshtypje një fjalë e Kadri Roshit, i cili ndryshe nga mua, që mendoja se kishim fat të aktivizonim aktorët e Teatrit Kombëtar nëpër filma më tha të kundërtën: “Kinemaja e emancipoi teatrin më shumë se sa duhet” dhe ndoshta për këtë kishte të drejtë. Sandër Prosi, Kadri Roshi, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Violeta Manushi e shumë të tjerë kanë krijuar figura aq të goditura, sa publiku i thërriste këta aktorë jo me emrat e tyre por me emrat e personazheve.
Si e mbani mend kthimin tuaj nga Çekia?
E kam quajtur veten njeri me fat sepse pata mundësinë që të diplomohem në një nga shkollat më të mira të kinematografisë botërore dhe i hyra me shumë dëshirë një profesioni, të cilin do ta kishte zili çdo i ri. Fillimisht, (shtatë vitet e para) punova si drejtor fotografie por rritja e prodhimit të filmave nuk mund të përballoej veç nga Hysen Hakani dhe Kristaq Dhamo, kështu që Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti dhe unë kaluam nga kamera në regjizurë. Pastaj me radhë erdhën edhe regjisorë të tjerë. Kineastët do t’i ndaja në tre gjenerata; e para është gjenerata e atyre që studiuan jashtë, e dyta është gjenerata e kineastëve që studiuan në shkollat shqiptare (kryesisht art dramatik) dhe që u specializuan në Kinostudio duke punuar si asistentë, për të kaluar më pas në pnuë të pavarura. Në këtë kategori futen Rikard Larja, Kristaq Mitro, Ibrahim Muçaj, Vladimir Prifti, Sajmir Kumbaro, të cilëve u bashkëngjiten Kujtim Çashku me Spartak Pecanin që kishin studiuar në Rumani. Gjenerata e tretë është ajo e kineastëve të viteve ’90, të cilët duke përfituar nga eksperienca e atëhershme arritën të realizojnë filma shumë të mirë. Këtu mund të përmendim emra si Gjergj Xhuvani, Artan Minarolli e Fatmir Koçi, filmat e të cilëve janë prezantuar me dinjitet në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Ndonëse ishim një vend i izoluar, mund të duket si paradoks por filmat shqiptarë ashtu sikurse shkruan një gazetar i “The Guardian”, në ato vite kanë pasur numrin më të madh të spektatorëve në botë dhe kjo sepse 20 prej prodhimeve të kinostudios sonë u blenë dhe u dubluan në gjuhën kineze. Në vitin 2007, Televizioni Qendror i Pekinit transmetoi një cikël televiziv me titullin “Magjia e filmit shqiptar”. Po të marrim parasysh popullsinë e Kinës, sikur filmat që u transmetuan në televizionin kryesor të jenë parë nga 10 për qind e spektatorëve i bie që për çdo film shqiptar të ketë pasur 120 milionë shikues. Të gjithë besoj e kemi parë mrekullinë e hapjes dhe mbylljes të Lojërave Olimpike në Pekin. Atë mrekulli e realizoi regjisori gjenial kinez Zhang Yimui, i cili është një nga regjisorët më të shquar të filmit në botë dhe që për kënaqësinë tonë ka deklaruar në një revistë kinematografike se “jam bërë regjisor sepse si fëmijë i vogël u magjepja nga mrekullia e filmave të realizmit poetik shqiptar”. Dëshira ime është që një ditë ky regjisor gjenial ta vizitojë Shqipërinë dhe të na falë përvojën e tij të veçantë.
A e mbani mend se kur keni shikuar për herë të parë një film?
Filmi i parë që më kujtohet ishte “Parada e 1 majit të vitit 1947 në Moskë”. E kam parë në kinemanë “Luks” të Korçës. Ishte një film me ngjyra që më magjepsi. Pastaj, sigurisht që si të gjithë fëmijët e qytetit kam qenë spektator i rregullt dhe shumë filma i shikoja nga disa herë. Por, dashurinë për filmin dhe pasionin për t’u bërë kineast ma ushqeu Viktor Gjika që ishte shoku im më i mirë. Në vitin ’54 Viktori shkoi në Moskë dhe për një vit rresht më shkruante çdo muaj letra 20-faqëshe. Aty më tregonte gjithçka që përjetonte në atë fakultet. U mrekullova aq shumë sa në mbarim të shkollës kërkova që të studioj si kineast.
Dhe, çfarë ndodhi më pas?
Atë vit ishin planifikuar që të shkonin në Çekosllovaki dy studentë. Këtë fat e patëm fat unë dhe Saim Kokona. Për fat të keq, nuk jam i kujdesshëm dhe nuk i ruaj letrat që më dërgonte Viktori, ndërkohë që ai i ka ruajtur të gjitha letrat e mia. Ne korresponduam bashkë, ai nga Moska, unë nga Praga, deri në vitin ‘61. Falë këtij qëndrimi sistematik, i ndjeri Viktor Gjika kishte kaq shumë materiale saqë deri në ditët e fundit të jetës së tij shkruajti kujtimet e veta dhe shumë shpejt një libër do të shohë dritën e botimit. Edhe pse jam i bindur që në qendër të librit do të jetë jeta e Viktorit, ajo jetë i përket aktivitetit të një gjenerate të tërë kienastësh që punuan në Kinostudio për gati 50 vite me radhë.
Si e morët guximin që kërkuat të studionit për një degë elitare si kinematografia, ndërkohë që diheshin kërkesat e rrepta dhe vështirësitë e të drejtës së studimit të lartë në atë kohë?
Ishte si një nga ato përrallat e moçme me mbret; në prag të maturës drejtori i gjimnazit na thërriste në zyrë dhe ne plotësonim një formular. Në fund të formularit thuhej se çfarë kishim dëshirë që të studionim. Në fillim unë kërkova inxhinieri hidroteknike, pastaj thashë inxhinieri-lëkure (meqë në Korçë kishte një fabrikë të përpunimit të lëkurës) por drejtori më tha se duhet të thosha edhe një dëshirë të tretë... Atëherë ula kokën dhe me turp i thashë “kinematografi”. Ai më pa dhe buzëqeshi nga ëndrra ime, por nuk kishte ç’të bënte dhe ashtu e shkruajti. Formularët që mbusheshin shkuan pas pak kohësh në Tiranë. Për fat të mirë, po atë vit regjisori Viktor Stratobrëda mendoi që për drejtorë fotografie duhet të përgatiteshin piktorët e liceut artistik. Ai shkoi në lice dhe zgjodhi dy emra, Saim Kokonën e Mitat Fagun. Sërish, për fatin tim të mirë, ndodhi që Mitati në minutën e fundit refuzoi të shkonte për studime si drejtor fotografie sepse donte që të bëhej regjisor. Kështu mbeti një vend bosh dhe në vend të tij u zgjodha të shkoja unë. Isha fare i papërgatitur për këtë hap, por me ndihmën e mikut tim Saim Kokonës, dhe më pas me kalimin e kohës nisa të mësoj shumë gjëra. Megjithatë nuk e mohoj që fati më ka ndihmuar shumë në jetë.
A ka ndodhur ndonjëherë që të jeni përballur me agjenturën shqiptare dhe të huaj të asaj kohe?
Në mënyrë absolute jo. Ato gjëra erdhën pas viteve ’60. Në mbarim të fakultetit ne u informuam se Shqipëria po shkëputej nga Blloku Lindor dhe unë personalisht, nga një inspektor i Ministrisë së Kulturës Çeke mora një ofertë për të qëndruar aty. Madje, duke e njohur nga afër atë njeri dhe pastaj, mënyra se si ai më kishte treguar që kishte punuar në organet e ushtrisë, dyshoj që ky njeri ishte punonjës i Sigurimit të Shtetit të Çekisë. Tepër i vendosur ia preva se kisha ndërmend të kthehesha në vendin tim. Sot kur e mendoj pas 50 vitesh them se nuk kam gabuar me zgjidhjen time; ndonëse e dija që do të kthehesha në një vend të varfër me shumë probleme, morali dhe edukata ime më thoshin që vendi im ishte në Shqipëri. Kështu erdha dhe krijova një familje të mirë, ku u rritën dy djem si Enoja e Gjergji dhe që të dy kanë të bëjnë me artin.
Mund të na tregoni ndonjë detaj se si u njohët me gruan tuaj? Pra, kur ishte hera e parë që keni ndeshur sytë e saj?
Në atë kohë (1955) “Skulptori i Popullit” Thoma Thomai studionte në Çekosllovaki me mua për qeramikë. Ai ishte shoku i liceut artistik i bashëshortes sime të ardhshme dhe më flste shpesh pikërisht për gruan time të ardhshme. Në vitin ‘57 u kthyem për pushime me një vapor në durrës. Për gati pesë minuta përmes kangjëllave të portit gruaja ime e ardhshme erdhi dhe foli me shokun e saj. Pikërisht në ato çaste ka qenë dhe shikimi i parë i këmbyer mes nesh. Ndërsa takimi i parë ka qenë më vonë në Tiranë. Në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve që ndodhej aty ku sot është salla e vjetër e Teatrit Kombëtar, ne takoheshim shpesh me shokët. Aty organizoheshin edhe mbrëmje intime. Pikërisht në një nga këto mbrëmje mes shokësh dhe shoqes unë njoha gruan time. Aty u njohëm dhe u prezantuam. Më pas dashuria jonë e fshehtë vazhdoi për mëse tre vjet derisa u kthye në një sekret publik dhe në vitin 1964 e celebruam lidhjen tonë.
Le të kthehemi në Korçë, te rinia juaj e hershme. A ka ndodhur të këndonit serenata poshtë dritares së ndonjë vajze që u kishte djegur zemrën?
Në fakt, jo. Atë kohë isha shumë i vogël. Sigurisht, kur ishim të rinj edhe ne kemi pasur ndonjë dashuri platonike për ndonjë shoqe të klasës, por që nuk guxonim t’ia thonim fjalën “Të dua”. Vetëm këmbenim ndonjë shikim...
Babai zakonisht është figura që ndikon më tepër në marrjen e një modeli në jetë nga djemtë. Ju si e mbani mend atë?
Ishte njeri i mirë shumë punëtor dhe i vuajtur në jetë. Baba ka qenë rrobaqepës. Një nga momentet më të bukura për ne qe në vitin 1946, kur në shtëpi erdhi një radio e markës “La voce del padrone”. Në atë radio me shumë fshehtësi dhe me frikë ne dëgjonim Radio Londrën në gjuhën shqipe. Edhe sot e kësaj dite jam në gjendje ta imitoj zërin e Tajar Zavalanit, spikerit të mrekullueshëm të Radio Londrës. Them me bindje se që nga ajo kohë e shihja botën me një sy objektiv. Sa i përket babës, pa dashur ta tepëroj me disidencën, ju them se ishte me të vërtetë anikomunist. Në vitin ’90, në një moshë shumë të thyer ai më lutej me sinqeritet dhe më thoshte: “Më shpjer mor’ bir te zyrat e Partisë Demokratike, t’i puth ata djem që po e ndryshojnë Shqipërinë...”. Me ngjarjet që ndodhën atë kohë, nuk kam parë njeri më të lumtur se im atë.
Për çfarë flisnit më shpesh babën?
Për ato gjëra që nuk shkonin mbarë në Shqipëri, për varfërinë e madhe, mishin që merrnim me tallova, pasi edhe të kishe lekë atë kohë, ndryshe nga më parë nuk të hynin shumë në punë...
Momenti më i vështirë për ju?
Mbaj mend kohën kur familja ime duhej që të jetonte me rrogën modeste të një rrobaqepësi grash. Vitet ’50-’55 ishin një kohë me varfëri ekstreme dhe im atë u detyrua të hynte në kooperativë.
Filmi juaj i parë?
Filmi i parë si operator ishte “Kalitja”, një dokumentar i metrazhit të gjatë me regji të Endri Kekos, për 20-vjetorin e themelimit të Partisë, ndërsa filmi i dytë ishte “Detyrë e posaçme”, ku punova bashkë me Viktor Gjikën nën drejtimin e regjisorit Kristaq Dhamo. Më pas punova me Dhamon dhe Hysen Hakanin te filmat “Vitet e para” dhe “Oshëtimë në bregdet” (Familja e peshkatarit). Në vitin 1967 kalova në regji. Sëbashku me Gëzim Erebarën realizuam filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen” i cili fitoi edhe çmimin e republikës. Ishte një film që kaloi mbi një milionë spektatorë në qarkullimin e tij një vjeçar nëpër Shqipëri. Gjithashtu, është një ndër filmat që janë pritur shumë mirë edhe nga publiku kinez. Muzika e mrekullueshme e kompzitorit Feim Ibrahimi që ishte lejtmotiv i kolonës zanore të filmit sot që ne flasim është hymni zyrtar i grave kineze që luftuan kundër pushtuesit japonez. Pas këtij filmi, pothuajse çdo vit kam realizuar nga një film artistik. Ky numër i kalon 20 të tillë. Filmi i fundit në Kinostudio ishte “Ngjyrat e moshës”, me skenar të Anisa Markajanit e cila interpretonte edhe në rolin kryesor. U desh të kalonin 18 vjet që të realizoja një ëndërr të madhe siç ishte realizimi i filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder”.

Si ka mundësi që u deshën kaq shumë vite vetëm për të bërë një film pas ‘90?

Ishte e vështirë sepse ngjarjet zhvilloheshin në Çeki dhe duheshin fonde të mëdha për një film të tillë. Vetëm në 2004-n, kur ne të gjithë i kishim humbur shpresat, ndodhi që Qendra Kombëtare e Kinematografisë e miratoi projektin. Ndër krijimet mbas viteve ‘90 mund të kujtoj një film dokumentar “Këtu jetojnë luanët”, të cilin e realizova bashkë me Enon dhe “Kanunin”, që e realizova bashkë me shkrimtarin franko-shqiptar Cizia Zyke. Në anën tjetër, gjithmonë me japin kënaqësi të madhe filmat e mirë të regjisorëve të rinj. Emocione të veçanta më dhuroi edhe filmi që kishte realizuar im bir, Enoja, “Edeni i braktisur”. Ai ma solli në këtë film kur isha në spital në Pragë dhe e vuri dvd-në në televizor. Duke qenë se isha shumë i dobësuar dhe kisha vuajtur sëmundjen time e them pa turp që kam qarë nga emocioni. Këtu gjej rastin të kujtoj dhe njëherë qëndresën e Viktor Gjkës gjatë viteve të fundit, kur sëmundja e pashërueshme po bënte të vetën... Njëherë ai më tha: “Të bëhet ç’të bëhet, ne ç’kishim për ta bërë e bëmë...”. Dhe unë mendoj se e kam kryer misionin tim. Tani këtë punë le ta vazhdojë Enoja. Por siç ju thashë, nuk kam ndërmend të dal në pension dhe në planet e mia afatshkurtëra hyn përkthimi i “Historisë së Shqipërisë” të një autori shumë serioz që quhet Pavel Haradeçni, si dhe të vazhdoj mësimdhënjen te Akademia e Filmit “Marubi”.

Pra përfundimisht nuk mendon se do të bësh ndonjë film tjetër?

Sigurisht që mosha bën të vetën dhe ndër profesionet moderne, ai regjisorit është ndoshta më i vështiri, kjo jo vetëm për angazhimin mendor por edhe për lodhjen fizike. Ëndrra ime e parealizuar ndoshta do të ngelet seria e dytë e filmit me nota autobiografike “Trishtimi i zonjës Shnajder”, i cili do të mund të trajtonte në gjerësi dhe në thellësi fatin dhe jetën e Lekë Serjanit, kur ai kthehet në Shqipëri, çka do të ndërthurrej edhe me fatin tragjik të zonjës Shnajder, e cila në një vend tjetër përjeton pushtimin e Çekosllovakisë nga ushtritë e Traktatit të Varshavës.

Për pak harrova t’u pyes se si ishte përvoja me diplomacinë?

Një eksperiencë mjaft interesante sepse shërbeva në një vend që e njihja shumë mirë dhe e përjetova në mënyrë intensive krizën dhe luftën e Kosovës. Ambasada jonë atje u bë qendër e intervistave me gazetarët çekë që donin ta informonin publikun. Ndër më interesantet do të kujtoja transmetimin e bisedës direkte për Kosovën, ku jam përballur me ambasadorin jugosllav (viti ’99). Ishte një bisedë e cila u ndoq nga dy milionë spektatorë. Aty përveç të tjerash mu rifreskuan edhe shumë ngjarje të rinisë sime, të cilat u bënë shkak që të mendoja seriozisht mbi realizimin e filmit autobiografik “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Një aksident shëndetësor më detyroi ta ndërpres punën dhe për shtatë muaj jam endur spitaleve. Por dhe kësaj here isha me fat pasi i shpëtova vdekjes për një fije. Tashmë mendoj se gëzoj shëndet të mirë.

21 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›