KLD-ja emëron 10 magjistratët nëpër gjykata të ndryshme
Tiranë - Këshilli i Lartë i Drejtësisë dërgon sugjerimet e saj Ministrisë së Drejtësisë mbi projektligjin për “Për mbrojtjen e veçantë personale, familjare dhe pasurore të gjyqtarëve dhe sigurimit të jetës dhe pasurisë së tyre”. Anëtarët e KLD-së gjatë mbledhjes së djeshme kanë rënë dakord mbi pikat që duhet t’i shtohen nismës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkohë një tjetër vendim i marrë dje ka qenë për emërimin e magjistratëve nëpër gjykata të ndryshme të vendit. Burime zyrtare nga ky këshill shpjeguan se mbledhja u zhvillua dje me dyer të mbyllura. Po sipas njoftimit zyrtar gjatë mbledhjes së djeshme në unanimitet të anëtarëve të pranishëm, u vendos t’i propozohet Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, emërimin përfundimtar të dhjetë magjistratëve kandidatë për gjyqtarë, të cilët kanë përfunduar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës 2007 – 2008 në dhjetë vende vakante dhe konkretisht. Këshilli i ka bërë emërimet duke u bazuar në vlerësimin përfundimtar nga Shkolla e Magjistraturës dhe preferencat e shprehura prej tyre, kërkuar nga ana e Këshillit disa ditë më parë.
Magjistratët e emëruar dje nga KLD-ja
Rezarta Mataj propozohet të emërohet në Gjykatën e Kavajës
Enerjeta Deraj, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë
Sonjela Voskopi, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë
Esmeralda Ceka, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë
Alma Hoxha, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë
Vojsava Osmanaj, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë
Gentian Hamiti, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier
Matilda Shalla, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier
Irida Kacerja, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër
Ervin Trashi, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër
I gjenden armë, policia arreston pronarin e tyre
Lezhë - Një operacion i policisë ka vënë pranga një persona, ndërkohë që ka bllokuar disa armë. Burime nga Policia e Lezhës, kanë bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme, kanë vënë në pranga Alfred Lesin, 23 vjeç nga fshati Rrasfik i rrethit Mirditë. Sipas policisë, arrestimi i tij është bërë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjeten dhe u sekuestruan një sasi armësh dhe municionesh luftarake. Kështu, policia ka sekuestruara, një pushkë model 56, një automatiku model 56, një krehër automatiku model 56 i mbushur me fishekë. Dosja i kaloi Prokurorisë së Lezhës për procedim të mëtejshëm.
I jep fund jetës në rrethana misterioze 24-vjeçarja
Lezhë - Një e re i ka dhënë fund jetës në rrethana ende të paqarta. Burime zyrtare nga policia e Lezhës kanë bërë të ditur se Silvana Lushi, 24 vjeçe, ka gjetur vdekjen në Spitalin e Lezhës, pasi ka shkuar atje e helmuar. Të njëjtat burime thanë se në orët e para të mëngjesit të djeshëm kishte mbërritur në urgjencën e Spitalit Rajonal Lezhë e vetëhelmuar Silvana Lushi, 24 vjeçe, banuese në fshatin Kakarriq, të komunës Balldre. Sipas konfirmimit të mjekëve të urgjencës dyshohet se kjo qytetare ka pirë fostoksinë. Akoma nuk dihen arsyet për të cilat e reja të ketë kryer vetëhelmimin.
Ishte në kërkim për grabitje, kapet nga policia autori
Tiranë – Një 62-vjeçar u ndalua dje nga policia e kryeqytetit pasi ishte në kërkim për grabitje. Burimet thanë se Pal Luli, lindur në Pukë dhe banues në fshatin Pezë-Helmës të Tiranës, ka rënë në prangat e policisë pasi ai ka qenë person i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Pukë, si person i dyshuar në lidhje me ngjarjen e datës 24.04.2008, për veprën penale të “vjedhjes me armë në bashkëpunim”. Kapja e tij në fshatin Pezë-Helmës, u bë e mundur nga forcat e Komisariatit Pukë në bashkëpunim me shërbimet e rendit të Komisariatit Nr. 6 në Tiranë.
Ndalohet i dyshuari për plagosjen e shokut
Shkodër – Pas një operacioni të mirorganizuar efektivat e Policisë së Shkodrës bënë të mundur kapjen e 24-vjeçarit Eltjon Lishi, lindur dhe banues në këtë qytet, duke ekzekutuar kështu urdhër-ndalimin e prokurorisë ndaj tij. Burimet thanë se 24-vjeçari ka qenë person i shpallur në kërkim për veprat penale të “Vrasje të mbetur në tentativë” si dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Kjo pasi i lartpërmenduri dyshohet të jetë bashkautor i ngjarjes së dy javëve më parë ku pas një konflikti të çastit, ka qëlluar me armë zjarri, duke e plagosur shtetasin Jetmir. K.
Merr flakë fabrika e kartë-pecetave, nuk dihet shkaktari
Gjirokastër – Një zjarr i madh ka përfshirë një fabrikë të prodhimit të kartë-pecetave, që ndodhet në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë. Lajmi bëhet i ditur nga burime të gazetës të cilët ende nuk bëjnë dot të ditur nëse në ndërtesë ka punëtorë të fabrikës, të cilët mund të rrezikohen nga zjarri. Në momentin e shpërthimit të zjarrit, brenda saj kanë qenë tre punëtorë, por nuk ka të lënduar nga flakët. Në vendngjarje kanë mbërritur dy zjarrfikëse të cilat kanë marrë nën kontroll situatën e shuarjes së flakëve. Burimet thonë se është ende herët të flitet për shkaqet që çuan në shpërthimin e flakëve.
21 Mars 2009