E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike, mbyllet Uzina e Ferrokromit në Elbasan



Kriza ekonomike që po çon drejt falimentimit shumë biznese në Shqipëri nuk po kursen edhe sektorin e prodhimit të metaleve. Në Elbasan prej katër muajsh uzina e ferrokromit, ku ishin të punësuar rreth 200 metalurgë, ka ndërprerë aktivitetin e saj të prodhimit. Drejtues të uzinës kanë thënë se ulja e çmimeve në tregun ndërkombëtar e ka bërë të papërballueshme koston e prodhimit të ferrokromit. Pas një kontrate me sindikatën, kompania vendosi të paguajë për disa muaj me 60 për qind të pagës 160 metalurgë, duke i lënë ata pa punë si pasojë e ndërprerjes së prodhimit. Ndërsa pjesa tjetër është mbajtur akoma në punë pasi është angazhuar për instalimin e një furre të re.

AFP: “Bixhozi lulëzon në Shqipëri në dy vitet e fundit”

“Shqiptarët shpenzuan më shumë se 100 milionë dollarë në bixhoz dhe lotari gjatë vitit të kaluar (2008) me një rritje prej 70 për qind në krahasim me vitin e kaluar”. Kjo sipas një lajmi të raportuar nga agjencia franceze e lajmeve AFP. Sipas kësaj agjencie, nga të dhënat referuar administratës tatimore shqiptare mësohet se të gjitha llojet e basteve dhe lojërave të fatit qenë në lulëzim në vendin më të varfër të Europës. “Gjatë vitit 2007, xhiroja e përgjithshme e industrisë së bixhozit ishte 60 milionë euro”, - deklaron agjencia. Më tej, AFP shton se, “modeli i taksimit të industrisë jo mbi të ardhurat, por mbi makineritë në punë, e thjeshton së tepërmi pastrimin e parave në këtë industri në Shqipëri, pasi ul koston e ligjërimit të parave me burim të dyshimtë. Gjatë janarit të këtij viti, sipas autoriteteve, paratë e shpenzuara në baste u rritën me 30 për qind në krahasim me janarin 2008. Shqipëria ka një kazino, 20 kompani bastesh sportive, 22 kompani që organizojnë lojëra të tilla dhe 9 kompani që organizojnë lotari”.

Konfederata e Sindikatave kërkon rritje të mbikëqyrjes së tregut bankar

Konfederata e Sindikatave kërkon rritjen e vigjilencës së qeverisë në sistemin bankar dhe atë financiar në kuadër të krizës globale. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, i kërkoi dje qeverisë, gjatë një konference për shtyp, rritjen e mbikëqyrjes së sektorit bankar dhe atij financiar, si dhe marrjen e masave ndihmëse për garancitë publike mbi kreditë. "Kërkojmë që qeveria, së bashku me punëdhënësit dhe punëmarrësit, të nënshkruajnë një marrëveshje të re sociale vetëm për krizën ekonomiko-financiare", - deklaroi Nikolla. Konfederata e Sindikatave do t'i dërgojë një deklaratë qeverisë shqiptare më 23 mars, ditë kur sindikatat në të gjithë botën dorëzojnë pranë qeverive të tyre një deklaratë për krizën ekonomike, e cila do të quhet Deklarata e Sindikatave për Samitin “G 20” në Londër, e cila do të mbahet me 31 mars-1 prill të këtij viti.

INSTAT përgatit një studim të ri mbi nivelin e varfërisë në vend

Instituti i Statistikave do të bëjë së shpejti publik studimin më të fundit mbi nivelin e varfërisë në vendin tonë. Burime nga ky institucion bënë të ditur dje për mediat se ky studim është kryer në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe PNUD-in. Në këtë publikim të ri do të jenë të përfshira të dhëna statistikore që janë mbledhur nga anketimet dhe vëzhgimet e ndryshme që kanë realizuar specialistët e këtij sektori gjatë vitit 2008. Sipas INSTAT-it, vend të rëndësishëm në këtë studim do të zënë kapitujt: zhvillimi, varfëria dhe pabarazia, produktiviteti rural dhe urban, migracioni, programe në mbështetje të shtresave në nevojë, ndihma ekonomike dhe rritja e prodhimit ekonomik etj. Studimi mbi nivelin e varfërisë në vendin tonë është një botim periodik që INSTAT-i realizon në bashkëpunim me donatorët e huaj.

21 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›