Banesat sociale, ndërtuesit kundër projektit të qeverisë: “Prish tregun e ndërtimit”
Ervin KOÇI
Ndërtuesit e kanë kundërshtuar dje nismën më të fundit të qeverisë “Berisha” për ndërtimin e 6 mijë apartamenteve me kosto të ulët. Sipas tyre, kjo është vetëm një “utopi” në kuadër të premtimeve elektorale, pasi jo vetëm që nuk do ta zgjidhte çështjen e strehimit, por do të fuste në kolaps tregun aktual të ndërtimit. Sipas specialistëve të këtij sektori, “nisja e ndërtimit të 6 mijë apartamenteve në të gjithë vendin, edhe pse pretendohet që të bëhet me kosto të ulët, do të ketë ndikim negativ në tregun e shit-blerjeve të ndërtimit”. Ata vijojnë duke thënë: “Këto ndërtime do të ndikojnë negativisht në koston e materialeve të ndërtimit si hekuri, betoni, çimentoja, tullat dhe deri te materialet elektrike dhe hidrosanitare duke i shtrenjtuar artificialisht ato. Po kështu, kjo nismë e pastudiuar mirë do të bëjë që të bien në mënyrë drastike shitjet e apartamenteve duke krijuar kështu stoqe në këtë sektor, bllokim të likuiditetit (parave në qarkullim) dhe për pasojë falimentimin e mjaft firmave të ndërtimit”. Ekspertët mendojnë se nga këto ndërtime me kosto të ulët nuk do të përfitojnë aspak ata që kanë problem me strehimin, por vetëm individët që kanë njohje dhe që militojnë pranë forcave politike të lidhura me pushtetin.
Problemet imobiliare
Ndërtimi i 6 mijë banesave sociale në të gjithë vendin do të ketë pasoja negative edhe për tregun imobiliar në vend, duke e destabilizuar atë. Sipas ekspertëve të tregut imobiliar në Tiranë, në kolaps shumë shpejt do të jetë edhe sektori i tyre, pasi vlera e përllogaritur e pasurive për shitje do të bjerë shumë shpejt nëse nisin të kuotohen edhe ndërtimet me kosto të ulët. “Shumë prej individëve që do të përfitojnë nga këto banesa sociale në një të ardhme të afërt do t’i shesin ato për arsye të ndryshme, duke i bërë kështu pjesë e tregut imobiliar. Por shtimi i fluksit të shtëpive në shitje do të ulë çmimin, në një kohë që diferenca në shitje midis ndërtimeve me kosto të lartë dhe atyre nën kosto nuk do të ishte shumë e madhe, duke prishur kështu ekuilibrat e tregut”, - thanë ekspertët. Ata mendojnë se edhe pse këto ndërtime do të ngrihen në periferi të qyteteve, ato sërish do të shiten prej pronarëve të tyre me çmime aspak të lira për metër katror, duke përfituar edhe nga fluksi i përhershëm i popullsisë shqiptare për të lëvizur drejt kryeqytetit ose nga zonat rurale drejt atyre urbane.
Ekspertët e bankave
Skema e prezantuar nga qeveria për të ndihmuar të pastrehët është e pakuptimtë nga pikëpamja bankare dhe një shpenzim financiar i stërmadh për buxhetin e shtetit, ndërsa pritet të ndihmojë pak ose aspak te familjet e varfra. Ky është komenti i disa ekspertëve të bankave në lidhje me skemën e prezantuar nga qeveria, që synon të ndihmojë 800 familje të varfra të blejnë një shtëpi. Në total, kreditë do të kenë kosto bono thesari 12-mujore plus 2.2 për qind. Interesi që do të paguajë qytetari do të jetë 3 për qind, ndërsa luhatjet e bonove të thesarit do të mbulohen nga buxheti. Skema i ka habitur pak ekspertët. Në bazë të llogarive mbi të dhënat e publikuara nga Ministria e Punëve Publike, për 800 shtëpitë që do të blihen nevojiten 22.7 milionë euro. Por duke marrë parasysh se interesi aktual i bonove të thesarit vjetore është 9 për qind, ndërsa interesi i kredive do të jetë 11.2 për qind, qeverisë do t‘i duhet të shpenzojë rreth 60 milionë euro interesa në 30 vitet e ardhshme. "Kredi do të thotë që të marrësh para borxh kur nuk i ke të disponueshme këto para", - thonë ekspertët. "Qeveria mund të akordojë një fond për strehimin, të zgjedhë një apo disa banka agjentë për menaxhimin e kredive dhe ta zgjidhë problemin", - thonë ata në kushtet e konfidencialitetit. "Nuk ka kuptim që qeveria të paguajë një mal me interesa".
Banesat sociale, në fazën e parë përfitojnë 800 familje në 7 qytete
Ministria e Punëve Publike dhe ajo e Financave nisën zbatimin e projektit për strehimin e 6 mijë familjeve, kontigjent i cilësuar si të pastreha. Sipas MPPTT-së, Komisioni i Vlerësimit ka përzgjedhur Bankën Kombëtare Tregtare për menaxhimin e projektit të kredisë së strehimit. Në total do të kreditohen 800 apartamente, të cilat i përkasin 7 qyteteve. Në Tiranë 250, në Durrës 150, në Shkodër 150, në Kavajë 50, në Vlorë 75, në Korçë 75 dhe në Gjirokastër 50. Sipas vendimit, shpërndarja e numrit të apartamenteve sipas llojeve është e përafërt. Referuar të dhënave të MPPTT-së, kredia do të jepet për 60 për qind të vlerës së apartamentit dhe do të jetë me afat 30 vjet. Interesi i kredisë do të jetë bono thesari +2.2 për qind, por qytetarët do të paguajnë një interes fiks prej 3 për qind për të gjithë periudhën e shlyerjes së kredisë. Kolaterali që kërkon banka për dhënien e kredisë është 140 për qind. Nëse familja nuk disponon këtë shumë, ajo mund të vërë si kolateral një pronë me një vlerë më të madhe dhe të bëjë një pagesë të menjëhershme prej 20% të vlerës së banesës që po blen. BKT do të aplikojë sipas rastit dhe besueshmërisë së klientit rregulla më fleksibël. Familjet mund të lënë si kolateral, garanci, edhe ndonjë pronë tjetër për të plotësuar edhe 20 për qind të kredisë. MPPTT-ja njofton se është vënë edhe çmimi tavan dhe dysheme për dhënien e kredisë. Kështu një apartament 3+1 në Tiranë nuk mund të ketë vlerë më të madhe se 6.550.000 lekë, ndërsa një garsonierë nuk mund të ketë vlerë më të madhe se 3,438,750 lekë. Një kusht tjetër për marrjen e kredisë janë të ardhurat e familjes që kërkon kredinë. Të ardhurat kanë një nivel maksimal, në mënyrë që bashkitë të skualifikojnë ato familje që kanë të ardhura të mjaftueshme për të blerë vetë një apartament dhe mund të dalin nga lista e të pastrehëve.
21 Mars 2009