E Diel, 1 Nëntor 2026

Flora Jaho: “Vajza ime, një muaj peng në shtëpinë e Lulzim Berishës”

Nëna e dëshmitares së Drejtësisë akuzon në sallën e gjyqit disa nga të pandehurit

Laureta Rryçi

Nëna e dëshmitares së Drejtësisë te banda e Durrësit akuzoi dje në sallën e gjyqit disa nga të pandehurit. Ndryshe nga vajza e saj, që ka nisur të ndryshojë qëndrim, Flora Jaho e mbante mend mirë se kush ia kishte marrë vajzën për t’ia çuar prostitutë në Itali. Për më shumë se dy orë dëshmitarja ka rrëfyer me dyer të mbyllura gjithçka që i tha e bija pasi u kthye nga Italia. Burime që ishin prezente në procesin gjyqësor pohuan dje se dëshmia e saj është shoqëruar dhe me provokime mes të pandehurve. Sipas Prokurorisë, Valbona Jaho u përdor si karrem nga anëtarët e bandës së Durrësit për të vrarë Marsel Sotirin. Të njëjtat burime treguan se më tej procesi ka vijuar me kërkesën e prokurorit të çështjes, i cili i ka kërkuar kolegjit penal të lexojë deklarimet e prindërve të Marsel Sotirit. Kur janë marrë në pyetje nga përfaqësuesit e akuzës, prindërit e një prej viktimave në dosjen voluminoze të bandës së Durrësit e kanë ditur se kush ua ekzekutoi të birin.
Dëshmia
Seanca, deri në momentin kur foli Flora Jaho, u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa më pas, me vendim të kolegjit, u vendos të zhvillohej me dyer të hapura. Nga burime brenda sallës mësuam se Flora Jaho ka akuzuar disa nga të pandehurit. Ajo është shprehur se nuk ka pasur dijeni për lidhjet që ka pasur vajza e saj Valbona, por gjithçka e ka mësuar pas kthimit të saj nga Italia. “Në vitin 1998 unë kam punuar si centraliste në Çorovodë. Jemi shpërngulur në Durrës, ku qëndruam disa kohë. Unë veja dhe vija në Skrapar”, - ka filluar të flasë Flora Jaho. Ajo është pyetur nga prokurori nëse kishte dijeni për vajtjen në plazh dhe kush ishte arsyeja duke është përgjigjur se në plazh ka vajtur çdo vit dhe se nuk e dinte pse ishte e veçantë ajo e vitit 1998. Më pas Jaho është shprehur se vajza e saj ka ikur nga shtëpia dhe me të është lidhur me telefon. “Vajza ime Valbona më ka thënë se ka ikur nga shtëpia dhe është me Klodianin. Por unë mësova më pas se ajo, pas vrasjes së Marsel Sotirit, ka qëndruar për një muaj në shtëpinë e Lulzim Berishës. Kur u kthye nga Italia mësova nga të tjerët se ajo vetë nuk hapej se kishte punuar si prostitutë”.
Ndërkohë që deklarimet e nënës së vajzës janë shoqëruar edhe me ironi nga të pandehurit. Herë pas here të pandehurit kanë marrë vërejtje nga kryesuesi i trupit gjykues për mënyrën e komunikimit. Ndërsa mësohet se në një moment nëna e Valbona Jahos ka reaguar ashpër kur u është përgjigjur të pandehurve.
Deklarimet
Emri i Lulzim Beridhës mësohet se është përmendur dje edhe gjatë leximit të deklarimeve të bëra nga dy prindërit e Marsel Sotirit. Aktualisht ata jetojnë jashtë vendit dhe gjykata pranoi të lexohen deklarimet e bëra pas vrasjes së djalit të tyre. Teuta Sotiri i ka thënë prokurorisë se djalin e saj e ka vrarë Lulzim Berisha. Këtë fakt ajo e ka mësuar nga shokët e djalit. Po kështu ka thënë se djalin ia vranë pasi ishte inspektor i Krimit Ekonomik në doganë. Më pas prindërit e Sotirit janë shprehur se kanë mësuar nga të tjerët se në momentin kur është vrarë djali i tyre ka qenë në makinë me dy femra. Ndërsa kanë shtuar se nuk i kanë njohur shokët e djalit. Nëna e Marsel Sotirit, gjatë deklarimeve të dhëna para oficerëve të Policisë Gjyqësore në vitin 1998, ka thënë se djali i saj nuk merrej me veprimtari të jashtëligjshme, por është vrarë nga Lulzim Berisha për shkak të detyrës. Dy prindërve të Marsel Sotirit i janë bërë pyetje edhe për shtetasit e vrarë Ilir Paja dhe Viron Curri, shok të ngushtë të Klodian Saliut dhe Indrit Dokles. Por, në përgjigje ata kanë deklaruar se nuk i kanë njohur dhe se djali i tyre kurrë nuk do të vriste njeri.

Dëshmitarja e Drejtësisë ndryshon thëniet

Fillimisht ka ndryshuar deklarimet, por më pas u ka qëndruar atyre thënieve që ka bërë para oficerëve të Policisë Gjyqësore. Valbona Jaho, vajza që futi në kurth Marsel Sotirin, e shtyrë nga i dashuri i saj, Klodian Saliu, është përpjekur në gjykatë të ndryshojë thëniet duke i dalë në mbrojtje Lulzim Berishës. Por më pas është tërhequr duke pranuar se ka qëndruar në shtëpinë e Lulzim Berishës një muaj. Kjo periudhë lidhet me vrasjen e Marsel Sotirit. Pas vrasjes ajo është larguar nga plazhi dhe sapo është takuar me Klodian Saliun ka shkuar te shtëpia e Lulzim Berishës. Aty ka qëndruar e fshehur për një muaj, për t’u larguar më pas në Itali. Ky fakt është pohuar edhe nga motra e Valbonës, Gentiana Cufe, dhe nëna e saj, Flora Jaho.

1 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›