E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata lë mjekun në gjendje të lirë, akuzohej për ryshfet



Janaq Kasapi, mjek gjinekolog pranë spitalit obstetrik gjinekologjik “Koço Gliozheni” do të hetohet në gjendje të lirë, pasi e garantoi gjykatën se nuk do të largohet nga vendi. Kjo garanci u bë me shumën e 5 milionë lekëve të vjetër. Kasapi që prej dy muajsh ishte duke u hetuar nga organi i akuzës dhe dje dosja e tij u paraqit për marrjen e masës së sigurimit. Ka qenë një hetim i bërë pas denoncimit të disa familjarëve. Dyshohet se Janaq Kasapi, së bashku me një mjek të po këtij spitali, kanë marrë dy muaj më parë nga një familje, pas lindjes së fëmijës së tyre, shumën prej 500 mijë lekësh të vjetër. Prokuroria, pasi ka bërë hetimet, ka rënë dakord në gjykatë që ndaj tij të jepej masa e sigurimit “detyrim për paraqitje”. Ndërsa vetë mjeku është shprehur se nuk ka lidhje me akuzën e “mitmarrjes” dhe të “shpërdorimit të detyrës”. Po kështu, Kasapi ka siguruar gjykatën se nuk do t’i anashkalojë hetimit. Pikërisht për këtë qëllim ai ka lënë edhe një garanci pasurore. Nga ana tjetër bëhet e ditur se numri i mjekëve, të cilët janë duke u hetuar pas denoncimeve të familjarëve, sa vjen dhe shtohet. Ky është rasti i dytë që po hetohet në maternitetin “Koço Gliozheni”. Vetëm pak muaj më parë u hetuan tre mjekë dhe një anestezist për marrje parash.

Gjykata i jep 20 ditë afat kohë Prokurorisë për të ekzaminuar pengmarrësin

Gjykata e Tiranës dha dje masën e arrestit me burg për një afat 20-ditor ndaj 28-vjeçarit, i cili fundjavën e kaluar terrorizoi banorët te Stacioni i Trenit pasi improvizoi pengmarrjen e shitëses së një dyqani. Pas 20 ditësh, trupi gjykues do të mblidhet sërish për të rivlerësuar masën e sigurisë ndaj 28-vjeçarit Elton Sutermani nga Shkodra, pasi dyshohet se ai vuan nga probleme mendore. Prokuroria formuloi dy akuza ndaj të arrestuarit; atë të kanosjes dhe heqjes së paligjshme të lirisë.
Prokurori i çështjes, Shpëtim Kurti, duke iu referuar dëshmive të marra pas ngjarjes, kërkoi këtë afat për të kryer ekzaminimin psikik të Sutermanit. Burimet e Policisë së Tiranës konfirmuan pas ngjarjes se i arrestuari Sutermani kishte shfaqur shenja të çrregullimeve mendore gjatë marrjes së deklarimeve. Të njëjtën gjë konfirmoi në polici edhe shitësja e dyqanit, të cilën ai tentoi ta merrte peng. Ajo ka pohuar se në momentin kur personi ka hyrë me armë zjarri në dyqan, ai ka folur përçart pa qenë i qartë se çfarë kërkonte. Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 11:30, ndërsa autori i “pengmarrjes” Elton Sutermani, me një armë që rezultoi se ishte lodër, improvizoi një pengmarrje, tentativë që e çoi në pranga.

1 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›