E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: “Serbia, do të shfrytëzojë portet dhe rrugët shqiptare për të marrë mallra”



Biznesi dhe kompanitë serbe janë të ftuara nga pala shqiptare për të shfrytëzuar hapësirat portale dhe infrastrukturën tonë për të furnizuar tregun e vendit të tyre me mallra. Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni vetë ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij serb, Petar Skundriç, me të cilin tha se kanë diskutuar mbi krijimin e hapësirave për investime të biznesit serb në vendin tonë. “Me Skundriç kemi diskutuar mënyrat e bashkëpunimit në fushën e energjetikës dhe të minierave në përgjithësi”,- bëri me dijeni në fjalën e tij, Prifti. Duke shtuar se, “Serbia mund të furnizojë në të ardhmen me gaz tregun shqiptar, por edhe me energji elektrike në rast emergjence, kur dihet se kompanitë serbe eksportojnë energji në rajon. “Por kemi diskutuar edhe për aleanca e strategji mes dy vendeve tona, si edhe për vizitën e ardhshme timen në Beograd, ku pritet të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve tona në sektorë të ndryshëm të ekonomisë”,- përfundoi fjalën e tij, ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.

Sipërfaqja e gjelbër, në Shqipëri pyjet zënë më pak se 25 % të territorit

Sipërfaqja e tokës së mbuluar nga pyjet në Shqipëri gjatë këtyre 20 viteve të fundit është përgjysmuar. Sipas të dhënave të organizatave jo qeveritare të publikuara nga AFP-ja pas viteve 1990 sipërfaqet me pyje mbulonin 25 % të sipërfaqes së Shqipërisë nga 51% që mbulonin më parë. Por ndërsa shifrat flasin për një katastrofë natyrore, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu dhe i Brendshëm, Lulzim Basha, kanë zhvilluar një takim me prefekten për evidentimin e problemeve dhe marrjen e masave emergjente. Kreu i mjedisit ka treguar se megjithëse në 2009 janë regjistruar 157 raste zjarri, duke shënuar ulje në krahasim me 2 vite më parë, kërkohet një koordinim më i mirë. “Rreth 50 për qind e pyjeve kanë kaluar në përdorim të pushtetit vendor. Në këto kushte është e domosdoshme që njësitë e qeverisë vendore të marrin të gjitha masat për të parandaluar këtë fenomen”,- u shpreh Mediu. Specialistet e mjedisit kanë treguar se kostoja financiare nga diegja dhe prerja e pyjeve në vitin 2009 është 110 milionë lekë.

Komisioneri i BE-së: Shqipëria, progres në sektorin e transportit

Komisioneri i Bashkimit Europian për Transportin, Sim Kallas, ka vlerësuar pozitivisht progresin që Shqipëria ka realizuar në reformat në fushën e transportit. Vlerësimet e komisionerit Kallas u bënë gjatë takimit që zhvilloi me ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi në Leipzig, të Gjermanisë, ku ishin të ftuar në Forumin Ndërkombëtar të Transportit. Gjatë takimit, ministri Olldashi kërkoi mbështetjen e Kallas për ngritjen e selisë së Traktatit të Komunitetit të Transportit për Europën Juglindore, në Tiranë. Në takimin e përfaqësuesit të KE-së me ministrin Olldashi, ka qenë dhe marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve me Italinë, të shtrihej në nivel komunitar, me qëllim eliminimin e bisedimeve bilaterale me secilin shtet për këtë çështje. Kallas u angazhua që të shqyrtonte hapësirat ligjore që ky proces të realizohet. Gjithashtu komisioneri i BE-së për Transportin Kallas përshëndeti politikën e ndjekur nga qeveria shqiptare në qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, si një nga komponentët kryesor në procesin e integrimit dhe zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë.

1 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›