Pagesa e TVSH-së, bizneset i kërkojnë Tatimeve shtyrjen e afatit
Ervin KOÇI
Bizneset në të gjithë vendin kanë shprehur ankesa në lidhje me afatet e vendosura nga Administrata Tatimore për pagesën e taksës së TVSH-së. Të gjitha bizneset që janë subjekt i TVSH-së do t’u duhet të dorëzojnë brenda datës 5 të çdo muaji librat e shitjeve dhe të blerjeve pranë degës së tatimeve. Vendimi i qeverisë ka shkaktuar konfuzion te bizneset e mëdha, të cilat kanë vlera të mëdha kontabilizimesh dhe u duhet të mbledhin një sasi të madhe faturash apo të kërkojnë informacion nga degët e tyre nëpër rrethe. Dhoma Amerikane do t’i kërkojë Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve si zgjidhje të mundshme ndryshimin e kësaj date nga 5 në datën 10, në mënyrë që t’i jepet kohë biznesit të përgatitet. Problemi bëhet akoma më i mprehtë, kur pas eksperiencës së parë një pjesë e mirë e tyre u është dashur të qëndrojnë gjatë gjithë natës pranë kompjuterit me shpresën se sistemi do t’i pranonte deklarimet dhe trafiku i përdoruesve do të minimizohej.
Biznesi
Sipas informacionit të publikuar në buletinin e Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham), shqetësimin e tyre, bizneset e kanë prezantuar në takimin e Komitetit të Taksave dhe të Ligjeve pranë Dhomës. Gjatë takimit të kryesuar nga Genc Boga, është folur gjatë mbi atë çfarë duhet të bëjë Dhoma për të dhënë një ndihmë konstruktive në këtë drejtim. Anëtarët kanë folur për eksperiencat e tyre dhe për mënyrën se si ndryshimet në procedurat tatimore që vijnë nëpërmjet udhëzimeve po ndikojnë në biznesin e tyre. “Na janë shtuar mjaft kostot suplementare, sepse për të mbyllur brenda 5 ditësh të gjitha kontabilizimet ka nevojë për punonjës shtesë”,- u tha nga anëtarët në mbledhjen e Komitetit të Taksave. Duke folur për problemet që kanë hasur në eksperiencën e parë të tyre për deklarimin e TVSH-së on-line, anëtarët kanë përmendur dhe faktin se sistemi on-line ka shfaqur dukshëm probleme që nga formati deri te hedhja e dokumenteve, duke e bërë akoma më të vështirë deklarimin në datën 5.
Propozimet
Pak para miratimit të projektligjit nga Këshilli i Ministrave, bizneset anëtare të Këshillit Konsultativ, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, kishin dërguar disa propozime për ndryshime në nene. Në letrën e dërguar ministrit të Financave, bizneset shprehnin shqetësimin se projektligji do të rëndojë barrën fiskale, duke cenuar konkurrencën dhe aktivitetin privat të rreth 35 subjekteve private. Anëtarët e Këshillit Konsultativ të Biznesit kërkon që produktet e qelqit dhe plastikës të mos përfshiheshin me akcizë, si masë mbrojtëse ndaj mjedisit, pasi të tilla lëndë ricikloheshin nga industri të ngritura posaçërisht për këtë qëllim. Por qeveria nuk i mori parasysh kërkesat, duke u mjaftuar vetëm me vendosjen e masës së rimbursimit deri me 50 për qind.
Borxhet alarmojnë qeverinë, buxheti mund të vihet në vështirësi
Ministria e Financave është vënë në alarmin se borxhi i Shqipërisë, i cili në fund të vitit 2009 arriti në 634 miliardë lekë, është me risk të lartë financimi dhe mund të vendosë buxhetin në vështirësi. Në programin ekonomik e fiskal 2010-2012, MF-ja pranon se pagesat e borxhit janë të paqëndrueshme dhe të rrezikuara nga luhatje të mëdha, për shkak të afatit të shkurtër të shlyerjes, por edhe goditjeve në kursin e këmbimit. Pjesa dërrmuese e borxhit të brendshëm të vendit, i cili llogaritet në 409 miliardë lekë duhet të shlyhet brenda afatit 1-vjeçar dhe vetëm 36 për qind e tij është me afat më të madh se një vit. Kjo do të thotë se brenda vitit qeverisë i duhet të rinovojë afërsisht 270 miliardë lekë, borxh me interesin që i dikton tregu. Paralelisht me këtë dy vitet e fundit borxhi po rrezikohet edhe nga një faktor tjetër, që ka të bëjë me rritjen huamarrjes tregtare nga jashtë. Sipas BSH-së, borxhi i jashtëm i vendit është rritur në krahasuar me fundit e vitit 2007 me 66 për qind ose në vlerë me mbi 650 milionë euro. Dhe nëse Shqipëria deri në fund të 2007 Shqipëria ka përfituar nga kreditë e buta me interesa fikse të donatorëve dy vitet e fundit ato kanë rënë, duke u zëvendësuar nga borxh tregtar, me interesa të luhatshme në varësi të gjendjes së tregut. Kjo bën që shlyerjet e borxhit të jenë të paparashikueshme dhe gjithmonë të kërcënuara nga krizat. Në programin ekonomik fiskal, pagesat e borxhit parashikohen me rritje të fortë tre vitet e ardhshme, duke arritur kulmin në 2012 me 90 miliardë lekë, shifër e cila edhe pse nga MF-ja është quajtur si lapsus tashmë është e miratuar zyrtarisht nga qeveria.
1 Qershor 2010