E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli, në Ditën Kundër Duhanit, përcjell mesazhe për të rinjtë



Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Duhanit, Jozefina Topalli, në cilësinë e kryetares së Kuvendit, por më shumë në rolin e nënës, përcolli dje një mesazh të fortë ndaj prindërve, nënave e veçanërisht mësuesve, të bëjnë çdo gjë që fëmijët, të rinjtë dhe rejat, të edukohen për mospirjen e duhanit. Nga Kamza, ku dhe zhvilloi një takim të ngrohtë dhe të përzemërt me banorët e kësaj bashkie, kryetarja Topalli u ndal në mënyrë të veçantë te rrezikshmëria e lartë që i shkakton duhani shëndetit të të rinjve, duke vënë theksin te roli edukues që duhet të luajnë prindërit, por edhe mësuesit në luftën kundër duhanpirjes nga moshat e reja. “Sot është Dita Kundër Duhanit. Unë si nënë ju drejtohem juve që të bëni çdo gjë që fëmijët tanë të vegjël të mos pinë duhan, është i dëmshëm për shëndetin, është i dëmshëm për jetën. Unë u bëj një thirrje të veçantë mësuesve: Mos lejoni fëmijët që të pinë duhan në shkolla! Konsiderojeni armik të jetës suaj, se nëse e mendoni kështu, unë jam e sigurt se vajzat e djemtë e rinj nuk do të pinë duhan. Sot është Dita Kundër Duhanit. Konsiderojeni armik dhe çlirohuni prej tij. Natyrisht, këtë e kam vetëm për të rinjtë dhe të rejat, sepse edhe ne të mëdhenjtë bëjmë disa gabime. Edhe njëherë u uroj shumë suksese, vajzave dhe djemve, ju uroj shumë suksese burrave dhe grave, punëtorëve, punonjësve të shëndetësisë, biznesmenëve, kryetarit të Bashkisë”, - u shpreh kryetarja Topalli.

Berisha pret në një takim ministrin serb të Energjetikës dhe Minierave

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi se hapja e një kapitulli të ri të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë është në interesin më të mirë të qytetarëve të këtyre dy vendeve. Berisha priti dje në një takim ministrin serb të Energjetikës dhe Minierave, Petar Shkundriç dhe delegacionin që e shoqëronte. Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen delegacionit dhe u shpreh se ky takim kontribuon në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve në shumë fusha e veçanërisht në fushën e energjisë. Kryeministri theksoi se hapja e një kapitulli të ri të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë është në interesin më të mirë të qytetarëve të këtyre dy vendeve. “Zhvillimi dhe liberalizimi i tregut të energjisë përbën një ndër prioritetet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Në konsideratën e burimeve të shumta ujore, qeveria shqiptare ka iniciuar projekte ambicioze për ndërtimin e 440 hidrocentraleve të vogla. Investitorët serbë mund të gjejnë me interes të investojnë në Shqipëri edhe në burime alternative të energjisë, si të erës apo qymyrit, në kushtet e një mjedisi të favorshëm për zhvillimin e biznesit dhe të një rritje të qëndrueshme ekonomike”, - u shpreh Berisha.
Nga ana e tij, ministri Petar Shkundriç mbështeti idenë se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve kontribuon në përfitime reciproke për të dy vendet. Ai theksoi se qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës nuk duhet të pengojë zhvillimin e marrëdhënieve të qëndrueshme ekonomike dhe se vizita e sotme shënon vetëm fillimin për një bashkëpunim rajonal në fushën ekonomike. Serbia, nëpërmjet linjave të konjeksionit dhe marrëdhënieve me vendet të tilla si Rusia, Ukraina, Bjellorusia etj., ofron akses ndaj një tregu më të madh energjetik.

1 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›