E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni, paketat turistike për jashtë vendit rriten deri në 300 euro



Ervin KOÇI

Sezoni turistik për shqiptarët që kërkojnë të udhëtojnë jashtë vendit këtë vit do të jetë më i shtrenjtë se ai i vjetshmi. Në të gjithë agjencitë e udhëtimit dhe kompanitë turistike që ofrojnë paketa turistike jashtë vendit, të gjitha çmimet janë rritur nga 20-40 për qind. Kjo do të thotë se kush ka bërë ndër mend që të udhëtojë për disa ditë pushime jashtë vendit këtë verë, duhet t’i bëjë mirë llogaritë e tij. Nga informacioni i mbledhur në rreth 95 për qind të agjencive turistike, gazeta “Albania” ka vërejtur se çmimet për udhëtimet turistike jashtë vendit janë rritur nga 100-200 euro për çdo individ, por ka dhe nga ato oferta speciale ku çmimet kanë rritje deri në 300 euro. Pra, nëse për një udhëtim turistik 10 ditor në Turqi ose në Egjipt (Sharm el Sheik), një person ka shpenzuar deri vjet 400-500 euro sipas nivelit të hoteleve, këtë vit ai duhet të shpenzojë 700-800 euro po për të njëjtën kohë pushimesh. Aktualisht, shërbimet turistike që u ofrohen konsumatorëve shqiptarë nga agjencitë turistike vendase, janë më të shtrenjtat në të gjithë Europën. Mungesa e një enti të specializuar shtetëror që të kontrollojë aktivitetin e këtyre agjencive, si dhe ujdia mes këtyre të fundit për të mbajtur çmime aspak konkurruese, ka bërë që shqiptarët të paguajnë disa herë më tepër për ato paketa dhe shërbime që gjermanët, rusët, italianët dhe të gjithë vendet fqinje të rajonit paguajnë zakonisht çdo vit.

Pagesat
Paketat turistike, biletat e avionëve ose anijeve, taksat dhe të gjitha pagesat për shërbimet shtesë, janë disa herë më të mëdha se ato që paguajnë turistët e vendeve të tjera për të njëjtat vende ku shkojnë edhe shqiptarët. Një ndër zërat që u shton shqiptarëve shpenzimet për turizmin jashtë vendit, është pikërisht udhëtimi i cili zë dhe peshën më të madhe në llogarinë e shërbimeve. Pikërisht kostoja e udhëtimit, përbën rreth tre të katërtat e shpenzimeve në total për çdo turist shqiptar që niset jashtë vendit për disa ditë pushime. Por rritje kanë pasur edhe të ardhurat nga ky shërbim për vendin tonë. Kështu bilanci neto i shërbimeve të udhëtimit shënoi një suficit prej rreth 84 milionë eurosh gjatë vitit 2009.

Studimi
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 543 milionë euro në tremujorin III, ose 40 për qind më shumë sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2008. Ky vit është karakterizuar nga një rritje e konsiderueshme e numrit të udhëtarëve jorezidentë që kanë vizituar Shqipërinë, si dhe e shpenzimeve mesatare ditore të tyre, ndërkohë që, koeficienti i ditë-qëndrimit vlerësohet në rënie ndaj një viti më parë. Në të njëjtën mënyrë, rezidentët shqiptarë kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit 453 milionë euro gjatë periudhës korrik-shtator 2009, ose 54 për qind më shumë se një vit më parë. Në këtë rritje ka ndikuar kryesisht rritja numrit të udhëtarëve shqiptarë jashtë vendit, si dhe rritja e shpenzimeve mesatare ditore, ndërkohë që ka ruajtur të njëjtin nivel koeficienti i vlerësuar i ditë-qëndrimit mesatar.

Kriza në turizëm
Sezoni turistik në vend nuk mund ta fsheh krizën që e ka mbërthyer ashtu si sektorët e tjerë të ekonomisë. Për këtë vit, numri i turistëve sipas statistikave zyrtare, është shumë herë më i ulët, në një kohë që turistët më të shpeshtë janë vetëm ata transit ose me qëndrim njëditorë. Këtu përfshihen vizitorët e huaj, vizitorët ditorë (vijnë dhe ikin brenda një dite, ose ekskursionistë), si dhe vizitorët me net-qëndrimi ose turistë, edhe pse rijnë jo më shumë se një natë. Vizitorë me nënshtetësi shqiptare të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme për vitin e kaluar ishin rreth 429.298 persona. Periudha janar-qershor 2009 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një rritje me vetëm 10 për qind në krahasim me vitin e kaluar (2008), ndërkohë që kjo rritje në krahasim me vitin 2005 është 2.4 herë më shumë. Me rrugë tokësore hynë 71 për qind e vizitorëve, 19 për qind me rrugë ajrore dhe 10 për qind me rrugë detare. Sipas qëllimit të udhëtimit për periudhën janar-prill raporti në përqindje ishte 82 për qind për pushime, 5 për qind për biznes, 3 për qind vizitorë ditorë dhe 10 për qind të tjerë. Për këtë periudhë numrin më të madh të turistëve e zunë europianët me 92 për qind, më pas amerikanë, aziatikët dhe të tjerë me respektivisht 5, 2 dhe 1 për qind.

1 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›