E Diel, 1 Nëntor 2026

Florenc Keri blihet nga Bajerni i Mynihut

Futbollisti shqiptar Florenc Keri, që aktivizohet prej dy vitesh me të rinjtë e Verias në Greqi, është blerë nga klubi më i madh gjerman, Bajerni i Mynihut. Këtë lajm e konfirmojnë mediat greke dhe ato pranë klubit bavarez, të cilat bëjnë të ditur se 17-vjeçari shqiptar ka nënshkruar një kontratë 4-vjeçare, teksa do të përfitojë një shumë prej 245 mijë eurosh. I spikatur te grup-moshat e Verias, Lori Keri (kështu i thërrasin në Greqi) u "gjuajt" shumë shpejt nga menaxherët. Madje për të riun ishin interesuar edhe zyrtarë të klubit anglez të Arsenalit, që ishin dërguar posaçërisht në Greqi nga trajneri Arsen Venger. Ky i fundit, i njohur për aftësi të jashtëzakonshme për "thithjen" e lojtarëve të rinj, menjëherë dha viston që Keri t'i bashkohej Arsenalit, por ishte Bajerni i Mynihut që u tregua më i shpejtë.

Në lidhje me kërkesën e Arsenalit, në mediat greke shkruhej: "Skauti i klubit anglez, Tomas Kost, kishte folur më 17 mars të vitit 2007 për Lorik Kerin, në gazetën e njohur "Sport Daily". Aty shkruhej se Arsenali është në gjurmët e "picirukut" këmbëmajtë, për të cilin ka shprehur gatishmërinë të paguajë 280 mijë euro." Ndërkohë, duke parë që Arsenali nuk veproi në kohën e duhur, klubi gjerman, pasi vëzhgoi për një periudhë 2-mujore paraqitjen e shqiptarit në kampionatin e të rinjve të Greqisë, nxitoi të siguronte shërbimet e tij. Përveç interesimit të klubeve "big", një gjë të tillë e kishte bërë më parë në Greqi edhe Olimpiakosi me AEK-un. "Luan bukur me topin dhe tregon një personalitet të jashtëzakonshëm në fushë. Ka një nuhatje të madhe për gol,"- citohej në uebsajtin grek sport24.gr. Por si ka ardhur deri këtu Florenc Keri, i cili ka lindur më 17 shtator të vitit 1990 në qytetin e Kuçovës. Pasi shkoi drejt Greqisë me familjen për shkak të nevojave ekonomike, i riu filloi të luajë që në moshën 8-vjeçare me ekipin Magnisiako. Më pas kaloi te grup-moshat e Verias, duke shënuar 24 gola në debutimin e tij. Ndeshja e fundit me Verian ishte të hënën, kur shënoi ndaj Olimpikosit. I riu udhëtoi të martën drejt Gjermanisë, ku nënshkroi edhe kontratën me Bajernin e Mynihut. Florenc Keri pritet të inkuadrohet fillimisht tek ekipi i të rinjve të Bajernit.

FSHF: Do të nisim interesimin për Kerin

Pasi u njohën me lajmin e bujshëm për të riun shqiptar, drejtuesit e FSHF-së janë vënë në lëvizje për të nisur kontaktet me lojtarin, me synimin që ai të grumbullohet në ekipin kombëtar. Për "Sportin shqiptar", shefi i ekipeve kombëtare në FSHF, Hito Hitaj, deklaroi: "Pa dyshim që do të interesohemi për të riun. Derisa ai është bërë pjesë e një klubi të madh si Bajerni, natyrisht që ka vlera. Si institucion i futbollit do të bëjmë ç'është e mundur që ta afrojmë në ekipin kombëtar. Shpresoj që vetë Florenc Keri të ketë dëshirën për të luajtur me fanellën e Shqipërisë. Në këto vitet e fundit jo pak raste ka pasur që disa prej lojtarëve shqiptarë që luajnë jashtë nuk kanë pranuar të përfaqësojnë vendin e tyre."

Sipas informacioneve, 17-vjeçariKeri i ka të dyja pasaportat, si atë shqiptare, gjithashtu dhe greke, por gjithsesi mbetet në vullnetin e tij se cilën kombëtare do të zgjedhë.

Jorgis MEMO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›