E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha sponsori gjeneral i korrupsionit

Pas publikimit të fakteve për rritjen e korrupsionit ditën e djeshme nga ana e IDRAS, ka reaguar kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai është shprehur se “përgjegjësia kryesore për këtë korrupsion i takon atyre që qeverisin dhe kryeministri Sali Berisha e ka mbështetur direkt dhe indirekt korrupsionin duke u betuar me fjalë, por duke u bërë me vepra sponsori gjeneral i korrupsionit”.

Rama tha se PS është e gatshme të kontribuojë për të gjitha reformat në nivelin kushtetues e ligjor. “ Ne do ti japim fund këtij drejtimi me një bashkim të ri, me çdo shqiptar, me socialiste e demokratë të ndershëm që kërkojnë luftë ndaj papunësisë, dhunës, krimit, injorancës dhe sigurisht korrupsionit”.

Politika shqiptare jep një shembull të patolerueshëm me gjuhën dhe veprimet e përfaqësuesve të saj – vazhdoi Rama.

“Nën këtë qeveri një njeri i arrestuar, si Arben Sefgjini (lexo lajmin per Arben Sefgjinin) vazhdon të drejtojë sistemin e tatimeve gjë që dëshmon se kryeministri ynë është simboli i një politike të vjetër i fjalëve të ndara nga veprat, të paaftësisë e dështimeve sistematike. Ka marrë revan varfëria e papunësia, është 10- fishuar kosto e jetesës dhe është bërë i papërfillshëm çmimi i jetës së shqiptarit” – përfundoi Rama.

Sipas sondazhit te publikuar dje, 92% e qytetarëve shqiptarë mendojnë se korrupsioni është i përhapur gjithandej. Kjo shifër paraqet një rënie me 8 pika në krahasim me sondazhin e mëparshëm.

Sondazhi nuk paraqet ndonjë përmirësim në lidhje me treguesit për rryshfetet, madje paraqet përkeqësim të tyre.

Rreth 72% e atyre që u pyetën kanë thënë se kanë paguar ryshfet në mjekësi, ndërsa rreth 60% nuk kanë besim në sistemin gjyqësor.

Nga qytetarët e pyetur rezultati del se në një raport 3 me 1 shqiptarët nuk mendojnë se gjyqtarët janë të paanshëm në dhënien e një vendimi.

Këto shifra tregojnë se Shqipëria ka një problem të madh me korrupsionin.

Korrupsioni ka ndikim mbi të gjithë aspektet e jetës në Shqipëri, ndikon në investimet e huaja, në zhvillimin ekonomik dhe në çdo fushë tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›