E Shtunë, 31 Tetor 2026

Floriri pa fatura, hetim argjendarit

TIRANE Policia e kryeqytetit ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj një argjendari, i cili tregtonte bizhuteri floriri të pashoqëruar me dokumentacionin përkatës. Burime nga Policia thanë se është marrë në hetim 41-vjeçari Fadil Zani, të cilit gjatë një kontrolli që iu ushtrua, në afërsi të sheshit Skënderbej, iu gjet dhe sekuestrua një sasi prej rreth 450 gramësh flori, pa dokumentacionin e nevojshëm të tregtimit. Ky është rasti i katërt brenda pak ditësh që oficerët e Antikrimit Ekonomik nisin procedim penal ndaj argjendarëve që tregtojnë flori dhe argjend. Verifikimet në terren nisën disa ditë më parë, kur u ngrit edhe një Task-Forcë e përbashkët e punonjësve të Antikrimit Ekonomik të Policisë dhe Policisë Tatimore, për të verifikuar të gjitha dyqanet që tregtojnë flori dhe blejnë flori të përdorur. Sipas Policisë, në shumicën e rasteve hajdutët, pasi u kanë vjedhur e grabitur femrave varëset e floririt dhe në disa raste edhe vëthët, i kanë shitur ato në argjendari. Çështja u bë edhe më serioze kur më 7 gusht një shtetase, Fatbardha Tafa, mbeti e vrarë gjatë grabitjes së varëses së floririt te Fusha e Aviacionit në Tiranë. Ndërsa edhe pas kësaj ngjarjeje, vjedhje të tilla me dhunë vazhduan të kryheshin në zona të ndryshme të kryeqytetit, por edhe në qytete të tjera. Duke qenë se veç argjendarive, hajdutët nuk kishin se ku të drejtoheshin tjetër për të konvertuar floririn e vjedhur në lekë, u vendos edhe ngritja e Task-Forcës për kontrolle të imtësishme në të gjitha subjektet që tregtojnë metale të shtrenjta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›