Tiranë, të shtëna me armë te Kongresi i Lushnjës
TIRANE Të shtëna me armë zjarri pa viktima dhe të plagosur te shkolla Kongresi i Lushnjës në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20. Sipas Policisë, objektivi i të shtënave me armë ka qenë një makinë, e cila po lëvizte në zonën pranë shkollës Kongresi i Lushnjës. Banorët e zonës kanë njoftuar në sallën operative të Policisë për një breshëri armësh, ndërsa në vendngjarje është nisur patrulla më e afërt. Brenda pak minutave, forcat e Policisë mbërritën pranë shkollës ku ndodhi ngjarja, por makina ndaj të cilës ishte shtënë me armë ishte larguar. Policia ka marrë në pyetje disa persona në cilësinë e dëshmitarëve. Ata ishin kalimtarë të rastit dhe punonjës të dyqaneve dhe marketeve të zonës, ndërsa dëshmuan se një makinë po kalonte në zonë në momentin e të shtënave me armë. Sipas kontrolleve dhe verifikimeve të bëra nga Policia, është konfirmuar se nga të shtënat nuk ka pasur viktima apo të plagosur. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa burimet nga vendi i krimit thanë se është dyshues largimi i automjetit nga vendngjarja.