Flota ushtarake detare amerikane ne Durres
Ambasada amerikane në Prishtinë ka sqaruar se prania disa ditore e flotës ushtarake detare amerikane në Durrës të Shqipërisë është vizitë e planifikuar dhe e rregullt dhe se nuk lidhet me ndonjë kundërpërgjigje ndaj ngjarjeve në rajon. Për të përgënjeshtruar keqinformimin lidhur me vizitën, Ambasada Amerikane në Prishtinë thekson se kjo vizitë s’ka lidhje me asnjë nga ngjarjet e fundit në rajon. Sipas ambasadës amerikane në Prishtinë kjo vizitë i shërben Flotës së 6-të Amerikane, të vazhdojë përpjekjet në ndërtimin e partneritetit global bregdetar me shtetet evropiane si dhe të përmirësojë sigurinë dhe mbrojtjen bregdetare.Oficerët dhe anëtarët e ekuipazhit do të takohen me zyrtarë vendorë dhe do të marrin pjesë në aktivitete kulturore. Anija ‘USS Gunston Hall’ viziton portin bazuar në zbarkimin e planifikuar të Flotës së 6-të Amerikane në zonën e saj të përgjegjësisë”, thuhet më tej në deklaratën për shtyp të ambasadës. Kjo vizitë vlerësohet se ofron një vendtakim të mrekullueshëm për ndërtimin e njohurive të përbashkëta të taktikave, profesionalizmit, mirëkuptimit kulturor dhe besimit bregdetar.