Fluks emigrantësh, shtohen sportelet në doganë
Fluks i lartë lëvizjesh në kufirin greko-shqiptar. Në prag të festës fetare të Pashkës kanë hyrë të paktën 7800 shtetas, të cilët janë regjistruar në sportelet hyrëse në doganën e Kapshticës. Burimet zyrtare të policisë kufitare kanë bërë të ditur se ka pasur një fluks të lartë gjatë natës dhe mëngjesit të djeshëm. Ardhja e emigrantëve ka qenë e pritshme, por për shkak të shtimit të fluksit, autoritetet kufitare janë detyruar të vënë në dispozicion të gjitha sportelet për regjistrimin e shtetasve në hyrje të territorit vendas. Nga tetë sportele vetëm një është lënë për regjistrimin e daljeve me qëllim që të përballohet fluksi i madh i lëvizjeve nga emigrantët që po vijnë për festën. Të paktën 3400 mjete të vogla u janë nënshtruar procedurave të kalimit kufitar të vendosura në katër radhë paralele. Fluksi i lartë gjatë gjithë ditës së premte ka bërë që edhe nga ana e palës greke të shtohen sportelet, pasi radha e mjeteve në territorin e shtetit fqinj ka qenë e madhe. Sipas të dhënave zyrtare nga pala greke është punuar ditën e premte me 4 sportele për të bërë kalimin e shpejtë të mjeteve të vogla. Burime të policisë kufitare në Kapshticë, thanë se ardhja e emigrantëve për festën e Pashkës nuk ka krijuar probleme dhe vonesa.
#