Uji i Ftohtë, sërish protesta për pronën
Ish-punëtorët e NB-së Frutore të Vlorës dalin sërish në protestë për pronat. Ata janë shprehur të revoltuar se kanë zbuluar dokumente të falsifikuara të cilat janë përdorur nga pretenduesit e pronësisë në procesin gjyqësor. Ish-punonjësit pretendojnë se u janë falsifikuar firmat, fakt të cilin ata e kanë bërë prezent në organet e gjyqësorit të Vlorës, duke depozituar një kallëzim penal. Zona e Ujit të Ftohtë vijon të jetë problematike dhe të ketë përplasje mes banorëve dhe punëtorëve të firmave të ndërtimit në këtë zonë. Aktualisht në zonën pranë vilave qeveritare është dhënë një leje ndërtimi, e cila ka shkaktuar konflikte. Nga njëra anë janë ish-punonjësit e NB Frutore që e kanë përfituar këtë tokë në bazë të ligjit nr. 7501 dhe nga ana tjetër janë personat që kanë përfituar lejen e ndërtimit. Protestuesit thanë se nuk do të lënë askënd të shkelë mbi atë që u takon. Ata paralajmëruan që çështja mund të zgjidhet deri me sakrifikim, duke i bërë thirrje Kryeministrit të vendit të ndërhynte në këtë konflikt, në krah të së drejtës, për t’u dhënë atë që u takon. Ligji 7501 ka shkaktuar konflikte në të gjithë zonën e bregdetit, ku punonjës të ish-NB nga Vlora në Orikum e më gjerë kanë përfituar sipërfaqe të konsiderueshme tokash, duke u përplasur me pronarët që kanë përfituar pronësi në bazë të certifikatave të vjetra.
#