E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani rregullator i Durrësit lëviz portin e peshkimit

Studimi Studioja italiane që fitoi konkursin mbështet versionin e bashkisë, jo atë të qeverisë

Plani rregullator dhe i investimit për qytetin e Durrësit, i hartuar nga studio italiane “Hydea srl. Engineering Architecture, Environmental” nga Firence, përveçse ka vlerësuar situatën, ka sugjeruar edhe vendosjen e portit të peshkimit në kalatën lindore të portit detar dhe jo në Perëndim të tij. Gjatë prezantimit të planit nga specialistët italianë për grupet e interesit dhe komunitetin durrsak, u theksua se ndërtimi i portit të peshkimit, sugjerohet të ngrihet jo në vendin e parashikuar nga qeveria, duke mbështetur kështu qëndrimin e Bashkisë së Durrësit për këtë port, investimi për të cilin mbahet peng i kundërshtive të forta mes dy pushteteve. Ndërkaq, plani strukturor dhe rregullator i Durrësit përcakton si mangësi kryesore në zhvillimin aktual urban, mungesën e infrastrukturës dytësore lokale në shëndetësi, arsim, aspektin social-kulturor dhe argëtues, mosmirëmbajtjen e infrastrukturës bazë, përfshi atë rrugore dhe transportin. Situata e tanishme dhe rritja e ndjeshme e popullsisë kërkojnë një sistemim të ri urban përmes investimesh të mirëstudiuara që do e përafrojnë qytetin bregdetar me qytete të ngjashme europiane, duke shmangur katrahurën e ndërtimeve pa kriter dhe mirëmenaxhuar tokën dhe hapësirat publike. Situatat paradoksale të krijuara nga zhvillimet në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës së munguar janë vlerësuar se kanë krijuar dëmtime të thella në cilësinë urbane dhe për pasojë kanë ulur vlerën për njësi në sektorin e banesave, si dhe krijuar një disbalancë të nevojave aktuale për investime në zhvillimin urban dhe të ardhurave të deritanishme të bashkisë. Plani strukturor i studios italiane nxjerr gjithashtu në pah potencialet e zhvillimit në zonat urbane si frontet ujore detare, qendrën historike, lokalitetet me tërheqje historike e kulturore, vendndodhjet e mundshme të universitetit dhe portit te ri. Në planin rajonal të zhvillimit hapësinor është vlerësuar se rritja urbane e viteve të fundit e ka lënë në harresë pothuajse krejtësisht zhvillimin e përgjithshëm dhe harmonik urban në Durrës. Plani Strukturor i Durrësit është krijuar mbi një kuadër rrugor që e ndan qytetin në njësi dhe nënnjësi, të cilat janë zonat homogjene në të cilat do të mbështetet zhvillimi urban.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›