Topi: Po më sulmojnë ish-sigurimsat e Shtetit
Presidenti Bamir Topi para se të hedhë firmën në ligjin e ri për hapjen e dosjeve është takuar dje në Pallatin e Brigadave me disa përfaqësues të shoqatave të ish-të përndjekurve politikë. Sipas burimeve nga takimi Presidenti ka pranuar se do të firmosë këtë ligj por vetëm pak para takimit me ta ka reaguar ashpër ndaj kërkesave që i janë bërë ndërkohë për vonesat e krijuara në dekretimin e ligjit të lustracionit. Ai priti në takim drejtuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë: kryetarin e Shoqatës, z. Adem Allçi, sekretarin e Përgjithshëm, z. Besim Ndregjoni dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shoqatës Antikomuniste të Shqipërisë, z. Tomor Aliko. Ndërkohë shoqata të tjera të ish-të përndjekurve i kanë bërë thirrje që ta dekretojë ligjin e ri për dosjet. Madje, këtë kërkesë ia ka bërë dhe shoqata shqiptaro-amerikane “Vatra”. Por akuzat ndaj politikës ai ka zgjedhur ti bëjë në një takim të hapur me shoqatën e ish. pronarëve. Në këtë takim Topi ka prekur debatin mes tij dhe mazhorancës, duke i kthyer përgjigje akuzave për dekorimin e ish-persekutorëve komunistë. Kryetari i shtetit akuzoi se për gjashtë muaj me radhë po sulmohet në mënyrë të padrejtë dhe pikërisht nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, janë ata që duhet të heshtin. Topi iu referua dekoratës së dhënë prokurorit Skënder Brecaj, i lakuar si ekzekutor në kohën e diktaturës. Sipas kreut të shtetit, vendimi nuk ka qenë personal dhe tashmë është anuluar. "Njerëz që mund të kenë qenë të lidhur me një mijë mënyra me regjimin ngrihen dhe akuzojnë të tjerët që s'kanë pasur asnjë lidhje me regjimin. Pra, kësaj shoqërie duhet t’i kthehet morali. Gjashtë muaj është sulmuar Presidenti për çështjen e një dekorate që s'kishte të bënte me Presidentin, një çështje totalisht sipërfaqësore, një dekorim totalisht i kthyer, i marrë në konsideratë për peshën e moralit kundrejt të përndjekurve politikë”, - deklaroi z. Topi. Por kreu i shtetit njoftoi se tashmë e ka kthyer mbrapsht dekorimin e Brecaj, duke pohuar se sot fatmirësisht karshi kësaj çështje jemi totalisht të pastër. Po dje, Presidenti u shpreh kundër dhe dy ligjeve të mazhorancës aktuale, atë të pronave të vitit 2006 dhe të lustracionit të fundit të 2008-s, në pritje të firmës së tij për të hyrë në fuqi. Topi i konsideroi këto dy ligje të barabarta për sa i përket impaktit social dhe politik që do të kenë. Duke bërë paralelizmin mes dy ligjeve, atë të dosjeve dhe të pronave, Presidenti Topi foli për ngjashmërinë mes tyre. Sipas tij, ish-sigurimsat në pushtet po sulmojnë padrejtësisht njerëzit e ndershëm, një gjë kjo e patolerueshme. “Çështja e pronave është shumë e ngjashme me atë të dosjeve; njerëz që mund të kenë qenë të lidhur në shumë mënyra me komunizmin flasin! Në këndvështrimin tim ende abuzohet me pronat, por gjëja më e papranueshme është kur deformohet realiteti. Kur ata që njihen si grabitës të pronave, drejtojnë gishtin ndaj njerëzve plotësisht të ndershëm”, - u shpreh z. Topi.
Ndërkohë duke i kujtuar qeverisë se akoma nuk është bërë shpërblimi për burgun dhe internimin e ish të përndjekurve ai e ka lidhur këtë çështje me atë të pronave. Presidenti Topi, i kujton mazhorancës se para se të hapë dosjet për ish-sigurmisat e Shtetit, duhet të dëmshpërblejë të përndjekurit politikë, pasi një pjesë e tyre janë burgosur edhe si pronarë. Ai pranoi dje se është e njëjta histori teksa mori si shembull çështjen e pronës, e tha bukur zoti Mulleti, është analoge me çështjen e dosjeve të lustracionit. Topi pohoi se shumë njerëz janë persekutuar gjatë regjimit komunist edhe për pronat e tyre dhe merr në konsideratë që ata, që kanë pasur më shumë prona, janë persekutuar më shumë. “I morën pronën, i futën në burg, i internuan, pra janë gjëra që lidhen, gjëra që lidhen në mënyrë reale, por edhe psikologjike. Dhe akoma kjo psikologji vazhdon të projektohet fatkeqësisht edhe në vitin 2009, kur bëhet fjalë për interesa për prona, sepse dëgjojmë edhe fjalë që ata që kanë më shumë prona kanë mundësi që të bëjnë më shumë politikë”, - deklaroi ai.
Nenet e kontestuara
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës përfaqësuesit e të përndjekurve vlerësuan mbështetjen e Presidentit Topi në mbrojtje të shtresës së tyre dhe i paraqitën atij qëndrimin e shoqatës mbi ligjin për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve që ka kaluar në Kuvendin e Shqipërisë. Ata shprehën rezervat e tyre lidhur me nenin 4 të ligjit, i cili sipas tyre, ka përjashtuar nga papajtueshmëritë e funksioneve publike kategori të tjera funksionarësh të lartë si ministrat, drejtuesit e institucioneve të tjera të larta politike apo shtetërore, sekretarët e partisë dhe zyrtarët e lartë të aparatit të Komitetit Qendror. Drejtuesit e dy shoqatave u shprehën për nevojën e zgjerimit të hapësirës së ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të administratës publike, edhe për bashkëpunëtorët e agjenturave të huaja. Presidenti Topi, pasi i dëgjoi shqetësimet e drejtuesve të Shoqatës së të Përndjekurve, i siguroi për mbështetjen dhe përkrahjen e tij institucionale dhe njerëzore për këtë shtresë, në drejtim të integrimit të saj në mbarë spektrin politik dhe shoqëror të vendit.
“Më parë dëmshpërblimi, pastaj hapja e dosjeve”
Presidenti vijoi se që të bësh politikë, natyrisht kërkohet që të kesh një potencial ekonomik, kështu dëgjohen fjalët, nuk po them ndonjë gjë që nuk besoj ta keni dëgjuar edhe ju. Por sipas tij, gjëja më e papranueshme është kur deformohet realiteti, kur njerëz që njihen me gisht si zaptues pronash, sjellin nën akuzë pikërisht njerëzit dhe kontingjentin e njerëzve që janë më të ndershëm. Keni parë kur them që çështja e pronave është shumë e ngjashme me çështjen e dosjeve të lustracionit. Topi këshilloi që ambienti nuk duhet të intoksikohet, nuk duhet të inkiunohet, nuk duhet të ndotet. Ai kujtoi se Shqipëria më shumë se kurrë, sot është në prag të sfidave shumë të rëndësishme. Presidenti iu drejtua ish-pronarëve: “Ju keni ardhur për të demonstruar shqetësimin për pronat, që është shqetësim legjitim, shqetësimi fillon tek dera e shtëpisë, por ne jemi para sfidave shumë të rëndësishme dhe ne të gjithë së bashku duhet t’i japim frymë kohezive të gjithë shoqërisë. Gjërat që janë ligjore, që janë kushtetuese, detyrimisht i kanë të detyrueshme institucionet përfaqësuesit e tyre për t’i zgjidhur, ndryshe koha kalon shpejt, ndoshta momentalisht dikush mund të ketë mbrojtje politike, nesër nuk ka mbrojtje politike”. Presidenti siguroi se në Shqipëri do të funksionojë shteti i së drejtës. “Kështu që çështje, që kanë të bëjnë me pronësinë, sikurse thashë, unë ju inkurajoj nga pozicioni im që ju t’i ndiqni. Unë do bëj pjesën time që më takon si pozicion kushtetues, partitë politike kanë pjesën e tyre të rëndësishme. Pra, Presidenti nuk merret me ndryshim legjislacioni, të jemi korrekt në komunikim. Edhe nesër do dalin të flasin prapë. Edhe nesër do të dalin nëpër gazeta, do të dalin, do të mundohen ta deformojnë frymën e këtij takimi. Nuk ka rëndësi! E rëndësishme është që ne të ruajmë komunikimin me publikun, për të ndërtuar shtetin e së drejtës, pastaj gjykimin e bën publiku”.
Presidenti Bamir Topi apeloi dje në adresë të politikës, që të jetë transparente me deklarimin e pasurive. Sipas tij, detyrimi i parë që fillon për çdo funksionar, për çdo punonjës të shtetit, është që të jetë real me deklarimin e pasurisë. Sipas tij, kjo është shumë e rëndësishme. Topi theksoi se është në detyrimin e institucioneve, të medias që kemi përballë, që është shumë e rëndësishme, prandaj pranova që ta bëj këtë takim shumë të rëndësishëm, duke pasur gjatë gjithë kohës median, në mënyrë që gjërat të mos deformohen rrugës, por të ketë një transparencë absolute. “Kur njerëzit nëpër pozicione janë korrektë, të gjitha gjërat shkojnë me korrektësi. Kështu që është e drejta juaj ta mbani gjallë këtë diskutim. Është e drejta juaj të merrni kontakt me të gjithë aktorët dhe faktorët e rëndësishëm të jetës institucionale. Unë marr përsipër të bëj vetëm inkurajimin e këtyre faktorëve, duke qenë gjithmonë pjesë e një aktiviteti konstant në funksion të kthimit legjitim të pronës, e cila kërkohet jo thjesht nga ju, por kërkohet edhe nga institucionet ndërkombëtare të së drejtës”, - deklaroi kreu i shtetit.