Mësuesit, Tafaj: Do të vazhdojë rritja e pagave
Ministri i Arsimit në Fier: “Në këtë reformë të nisur nga Ministria e Arsimit, mësuesi është suksesi i saj. Ndaj ne do të vijojmë të rrisim pagat e mësuesve edhe në vazhdim”
Reformat në arsimin parauniversitar do të shoqërohen edhe më rritjen e pagave për mësuesit, të cilët duhet t’i përshtaten edhe kërkesave të reja në procesin e mësimdhënies”. Kështu është shprehur ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj në takimin e zhvilluar dje në shkollën 9-vjeçare “Kristaq Shtëmbari” të Fierit, ku kanë qenë të pranishëm drejtues të arsimit në rrethe, arsimtarë dhe prindër. Reformat në sistemin arsimor të përshtatura sipas standardeve europiane, rritja e cilësisë mësimore, kualifikimi i mësuesve nëpërmjet projekteve të ndryshme përfshi edhe projektin e praktikës mësimore profesionale 1-vjeçare, rritja e vazhdueshme e pagave të mësuesve, e sidomos rishikimi i teksteve për nxënësit, ulja e nivelit të braktisjes së shkollës ishin disa nga pikat kryesore të fjalës së ministrit të Arsimit, mbajtur para dhjetëra mësuesve, prindërve dhe përfaqësuesve të njësive të qeverisjes vendore, në Fier, në takimin me temë “Arsimi na përket të gjithëve”. Sipas ministrit Tafaj, procesi i reformimit të mësimdhënies në Shqipëri kushtëzohet nga reformat në shkollat globale. “Ne synojmë standarde të cilësive e standarde të përparuara. Në këtë reformë të nisur nga Ministria e Arsimit, mësuesi është suksesi i saj. Ndaj ne do të vijojmë të rrisim pagat e mësuesve edhe në vazhdim”, - deklaroi ministri i Arsmit. Më tej ai tha se veç rritjes së rrogave, do të vazhdojë këmbëngulja për t’i kualifikuar arsimtarët edhe në zotërimin e elementëve të Teknologjisë së Informacionit. Gjithashtu, ministri Tafaj bëri të ditur se për herë të parë do të fillojë së shpejti një vit praktikë mësimore profesionale në të gjithë rrethet për mësuesit e rinj, që do të duan të fillojnë punë në këtë profesion. Për këtë proces të rëndësishëm janë përzgjedhur edhe mësuesit më të mirë për të përçuar dijet e tyre te ky brez i ri që do të kualifikohet për të qenë në radhën e mësuesve të ardhshëm. Nga ana tjetër, ministri Tafaj u ndal edhe te përzgjedhja e teksteve shkollore, duke u shprehur se cilësia e tyre duhet të rritet me shpejtësi. Sipas tij, duhen parë patjetër tekstet, ato duhet të përzgjidhen dhe përshtaten për nxënësit duke qenë të thjeshtë, të kuptueshëm dhe pa ngarkesa faktesh dhe shifrash.