Fluks kërkesash për rezonancë, pranohen 25 raste në ditë
Mosdiagnostikimi në kohë i sëmundjeve neurologjike, për shkak të mungesës së aparaturave, vazhdon të mbetet një shqetësim për vendin tonë. Mbi të gjitha, bëhet fjalë rezonancën magnetike, që është një ekzaminim diagnostikues që kryhet për disa lloje sëmundjesh, duke filluar nga ato të trurit, deri te shtylla kurrizore. Ky shqetësim është ngritur dje nga vetë shefi i Pavijonit të Neurokirurgjisë në QSUT, Prof. Dr. Mentor Petrela, sipas të cilit, aktualisht ky shërbim përballet me fluks pacientësh, i cili vjen si pasojë e mungesës së aparaturave. Ai ka bërë të ditur se brenda një dite kryhen 20 deri në 25 shërbime në rezonancë, ndërkohë që nevojat janë më të larta. “Një nga problemet mbetet vetëm faza e diagnostikimit të sëmundjeve, do të jetë ajo që do të mbulojë të gjithë territorin me skaner, me rezonancë. Kjo do të kërkojë edhe edukimin e mjekëve. Sot QSUT ka vetëm një rezonancë magnetike, e cila përballon një fluks prej 25 pacientësh në ditë; ndërkohë, me ardhjen e aparaturave të reja, do të ofrohet mundësia e një diagnostikimi më të shpejtë”, - tha Petrela. Kjo situatë duket se do të vazhdojë deri në fund të këtij viti për pacientët që kanë probleme neurologjike, të cilët, megjithëse paraqiten çdo ditë në spital, e rrinë në radhë me ditë të tëra, për t’iu nënshtruar rezonancës, janë të pafundme rastet që kthehen pas “duar bosh”. Pavijoni i Neurokirurgjisë në QSUT deri në fund të këtij viti do të jetë i pajisur me aparatura bashkëkohore të krahasueshme me ato të Amerikës, të cilat do të ndihmojnë në diagnostikimin e pacientëve. Deklarata është bërë dje nga shefi i këtij pavijoni, Mentor Petrela, gjatë prezantimit të projektit për pajisjen me aparatura të Shërbimit të Neurokirurgjisë, sigurimi i të cilave do të bëhet i mundur falë një kredie austriake që kap vlerën e 7 milionë e 100 mijë euro, që qeveria shqiptare ka marrë për përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vend. Kjo kredi do t’i hapë rrugë dhe fazës së dytë të projektit në Departamentin e Neurokirurgjisë. Sipas drejtorit të QSUT-së, Saimir Ivziku, me miratimin e kësaj marrëveshjeje, ditën e enjte në Parlament do të bëhet e mundur pajisja e këtij departamenti, që është një shërbim elitar për vendin me aparatura bashkëkohore, të cilat do të sigurojnë një shërbim cilësor, spitalor, të standardit europian. Ndërkohë, për herë të parë në spitalet publike shqiptare, pacientët do të marrin një shërbim të këtyre standardeve, me pajisje bashkëkohore të veçantë siç është akseleratori linear që vjen rishtazi në vendin tonë dhe që bën të mundur trajtimin e sëmundjeve tumorale me efikasitet dhe me efekte anësore minimale. Shefi i Pavijonit të Neurokirurgjisë, Prof. Dr. Mentor Petrela, ka pohuar se deri në fund të vitit do të përfundojë blerja dhe instalimi i tyre. “Ky është një model amerikan, i cili është përdorur nga të gjitha spitalet dhe shërbimet e neurokirurgjisë. Edhe ne jemi duke përdorur këtë model, i cili u përshtatet sistemeve moderne shëndetësore”, - ka nënvizuar Petrela. Departamenti i Neurokirurgjisë përbën një sektor mjaft të rëndësishëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pasi ajo është qendër referencë në rajon. Shërbimi Universitar i Neurokirurgjisë në QSUT është mbarëkombëtar dhe me kompetencën e tij me 1100 ndërhyrje kirurgjikale në vit në tru, palcën e kurrizit, e nerva i shërben shqiptarëve të territorit të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë e diasporës.