Kopshti Botanik, Plaku: Ndryshim, shmangia e mbikalimit
Vijojnë përplasjet për Kopshtin Botanik, i cili për shkak të ndryshimit të papritur të planit rrezikon të ndahet në mes nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Një ditë pas reagimit të përgjegjësit të Kopshtit Botanik, Petrit Hoda, sipas të cilit, nga punimet që do të kryhen për Unazën e Madhe do të merren nga hapësira e tij rreth 2.5 hektarë, ndryshe nga sa ishte parashikuar në projektin e financuar nga BERZH, ku prekej vetëm rrethimi i Kopshtit Botanik, ka folur edhe kryetari i Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, i cili ka në administrim segmentin e Unazës së Madhe që do të zaptojë një pjesë të mirë të Kopshtit Botanik. Kreu i Komunës së Farkës shprehet se projekti ruan të njëjtën gjurmë të projektit të Bashkisë së Tiranës, përpiluar në bashkëpunim me BERZH, por me një ndryshim fare të vogël, sipas tij, që bëhet me funksion të lehtësimit të trafikut. “Ndryshimi i vetëm që unë konstatoj është shmangia e mbikalimit. Ka qenë një mbikalim që përkonte në aksin e ‘Komunës së Parisit’, i cili nga Drejtoria e Rrugëve është gjykuar të zhvendoset në aksin e rrugës përkrah kompleksit të stadiumit ‘Dinamo’. Zë një sipërfaqe rreth 15 për qind, prej 20 mijë metrosh ose 2 hektarësh. Edhe Unaza e miratuar nga Bashkia, me sa jam në dijeni, të njëjtën gjurmë ruan. Pjesa e ndryshimit mund të jetë një sipërfaqe shumë më e vogël, 1 mijë apo 2 mijë metra mbi atë që mund të ishte miratuar”, - është shprehur Fatbardh Plaku, kryetar i Komunës së Farkës. Por, nga ana tjetër, ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, shpjegon se kredia me të cilën do të zbatohej projekti i parë u ofrua nga BERZH, me kushtin që të zbatoheshin disa kritere, ku primare ishte moscenimi i Kopshtit Botanik, konsultimi me grupet e interesit, duke evituar ndërtimin e një autostrade, por të një rruge urbane të mirëkompletuar. Pas konfliktit të Bashkisë së Tiranës me qeverinë për ndërtimin e Unazës së Madhe, projekti i dytë është hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe askund nuk janë bërë të ditura kriteret që janë respektuar për të. Madje, as kryetari i Komunës së Farkës nuk është në dijeni nëse ka pasur studim apo konsultime me grupet e interesit gjatë hartimit të këtij projekti.