E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks pacientesh në spitale, mjekët me pushime

Mijëra urgjenca, sipas ISHP-së, raportohen në gjithë vendin nëpër spitale. Të shtohet personeli

Alarmi

Fluksi i pacientëve po mësyn çdo ditë e më shumë spitalet për shkak të helmimeve dhe virozave të stinës. Madje në urgjencat e spitalit është vështirë të gjendet ndonjë shtrat i lirë pasi janë të mbipopulluara. E ndërsa kjo situatë është evidente prej disa ditësh në spitale, pjesa më e madhe e personelit mjekësor janë me pushime. Të ndodhur përballë kësaj problematike, Instituti i Shëndetit Publik shpreh shqetësimin për rastet e shumta të pacientëve të raportuara në të gjitha spitalet e rretheve dhe kërkon shtim të personelit shëndetësor.

Shqetësimet

Temperaturë e lartë, diarre dhe të vjellë. Këto janë shqetësimet e pacientëve që janë paraqitur në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. E ndërsa fluksi i pacientë është më shumë se 70 në ditë në këtë spital, shefi i departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Dritan Ulqinaku pohon se kemi të bëjmë me mijëra pacientë që paraqiten për ndihmë mjekësore në urgjenca. “Në fakt, fluksi i pacientëve po vihet re në çdo spital. Kjo është një situatë problematike që duhet menaxhuar sa më mirë nga bluzat e bardha”,- pohon Ulqinaku. Duke mos pranuar se kemi të bëjmë me situata epidemike por thjesht me viroza të stinës dhe helmime që ndodhin rëndom në stinën e nxehtë, drejtuesit e ISHP-së bëjnë thirrje që bluzat e bardha të tregojnë kujdes maksimal, sidomos ndaj turistëve. “Të kenë shumë kujdes me fluksin e madh të turistëve në mënyrë që pushuesit të mos i kalojnë ditët nëpër spitale”,- pohojnë drejtuesit e ISHP-së.

Mungojnë mjekët

Të duhet të pyesësh për disa emra mjekësh në një shërbim të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në mënyrë që të marrësh përgjigje pozitive, të paktën për njërin prej tyre. “Më vjen keq, janë me pushime”. Kjo është fjalia që të japin sekretaret, apo ndonjë infermiere, nëpër korridoret e spitalit. Në fakt, mungesa e mjekëve ka sjellë anomali edhe sa i takon dhënies së shërbimit nëpër urgjencat e spitalit pasi bluzat e bardha janë të pamjaftueshme për të pritur fluksin e pacientëve. “Na duhet t’u shërbejmë njëkohësisht 4-5 pacientëve, pasi jo të gjithë mjekët janë në shërbim sepse kanë marrë pushimet”,- pohojnë mjekët e Infektivit. Ndërsa drejtori i ISHP-së, Alban Ylli pohon se duhet të shtohet menjëherë numri i bluzave të bardha për t’u dhënë ndihmë pacientëve.

Mjekët: Të veprojë urgjent Inspektorati Sanitar

Inspektorati Sanitar duhet të veprojë më fuqishëm ndaj të gjitha subjekteve që nuk plotësojnë standardet për të tregtuar produktet ushqimore, sidomos në sezonin e verës. Por nga ana tjetër, edhe vetë qytetarët duhet të tregojnë kujdes maksimal ndaj produkteve që konsumojnë pasi ato janë shkaku kryesor që stimulojnë intoksikacionet në këto ditë të nxehta. Kështu u shprehen mjekët e Spitalit Infektiv duke theksuar se faji kryesor për shkaktarin e fluksit të pacientëve bie mbi konsumimin e produkteve të pakontrolluara. Duke kërkuar që këto rekomandime të ndiqen në mënyrë të përpiktë, mjekët theksojë se çdo person që ka probleme nga intoksikacionet ushqimore dhe virozat e stinës duhet të paraqiten tek mjeku specialist, pasi neglizhenca mund të sjellë pasoja më të rënda.

Këshilla

Të tregohet kujdes maksimal nga temperaturat e larta për fëmijët dhe të moshuarit.

Të sëmurët me zemër dhe sëmundje të tjera kronike të tregojnë kujdes ndaj temperaturave të larta.

Të evitohen daljet në orët e pikut nga ora 11 e mesditës deri në orën 17.

Të përdoren veshje të lehta dhe me ngjyra të hapura.

Të konsumohen sa më shumë lëngje të freskëta 2-3 litra në ditë.

Të qëndrohet në ambiente sa më të freskëta dhe me ajër të kondicionuar.

Shenjat e pacientëve

Të vjella

Diarre

Këputje trupore

Temperaturë e lartë

--------------------------------------------Kanceri i gjirit, 260 raste të reja këtë vit

Kanceri i gjirit po vret gjithnjë e më shumë. Vetëm gjatë muajve të këtij viti, janë diagnostikuar 260 gra me kancer gjiri. Këtë e konfirmoi drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardhi Spahia, i cili pohon se janë bërë rreth 10 mijë ekzaminime në katër aparaturat e Mamografisë (që tregojnë diagnozën e kancerit të gjirit), të instaluara vitin e kaluar në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër, në kuadër të Programit “INTERREG III”. "Për një kohë relativisht të shkurtër, në më pak se një vit, nga ekzaminimet e kryera janë konstatuar rreth 260 raste pozitive me kancer, një numër që konsiderohet i lartë",- thotë Spahia, duke shtuar se numri i ekzaminimeve falas dëshmon për një sensibilizim të grave për diagnostikimin në kohë, si trajtimi më i suksesshëm i kancerit të gjirit. Por, nga ana tjetër, ai u bën thirrje grave që të tregohen më bashkëpunuese me mjekët, pasi përmes projektit u jepet mundësia që të ekzaminohen në kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›