Fluksi i emigrantëve, shtohen sportelet në zyrat e aplikimeve
Kthimi i emigrantëve i ka detyruar autoritetet vendore në Korçë të shtojnë numrin e sporteleve pranë zyrave të aplikimit për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Për të përballuar fluksin e lartë të kërkesave për tërheqjen dhe plotësimin e formularëve për dokumentet e reja, janë hapur tre sportele të reja. Në këtë mënyrë synohet të përshpejtohen procedurat për pajisjen sa më shpejt me dokumente të shtetasve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në emigracion, kryesisht në shtetin grek. Fluksi në rritje i emigrantëve që u drejtohen këtyre zyrave ka bërë që çdo ditë të ketë radhë të gjata, ndërkohë që sipas vetë emigrantëve, këtë herë nuk ka pasur vonesa për faktin se është punuar paralelisht në tre sportele, duke kryer kështu edhe shtimin e personelit. Të paktën 400 persona i drejtohen çdo ditë kësaj zyre për të kryer tërheqjen e dokumentit të ri dhe radhët janë shtuar më shumë gjatë këtyre ditëve, për faktin se ka shumë persona që kanë ardhur për pushime nga emigracioni dhe studentë që vazhdojnë arsimin jashtë vendit. Nga ana e zyrave të prodhimit dhe aplikimit është bërë edhe ndryshimi i orarit të pritjes, duke shtuar dhe dy orë në dispozicion të aplikantëve. Sipas të dhënave nga zyra e pasaportave, ka një dyndje të madhe nga ana e emigrantëve, të cilët përfitojnë nga ditët e qëndrimit në vend për të marrë dokumentin e ri të identitetit, për të mos pasur probleme me kalimin në pikat kufitare doganore. Më shumë kërkesat janë shtuar gjatë javës së fundit të korrikut dhe pritet të ketë një fluks edhe më të madh në fillim të muajit gusht. Për këtë arsye, sipas burimeve zyrtare pranë zyrës së prodhimit të pasaportave biometrike do të punohet gjatë gjithë sezonit me orar të zgjatur dhe me sportele shtesë. Ndërkohë kujtojmë se në qytetet e tjera kthimi i emigrantëve për pushime ka shtuar problemet dhe radhët nëpër zyrat e aplikimit. Në qytetet kryesore nuk kanë munguar tensionet mes aplikantëve që detyrohen të presin me orë të tëra për të plotësuar formularët e aplikimit apo për të tërhequr dokumentet e reja të identifikimit. Ndërkaq, dy ditë më parë, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, ka deklaruar se po negociohet me kompaninë koncesionare dhe Ministrinë e Jashtme, që emigrantët të mund të aplikojnë për pasaportat e reja biometrike në konsullatat shqiptare në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Poni ka sqaruar se kjo lëvizje po bëhet për të shmangur radhët e gjata të emigrantëve, të cilët vijnë me pushime dhe duan të aplikojnë për pasaportat biometrike gjatë kësaj periudhe.
#