E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, digjen dy mijë rrënjë ullinj

Incidenti

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë në fshatin Sopik mesditën e së martës dhe për shuarjen e tij është dashur ndihma e zjarrfikëseve nga Delvina e Gjirokastra. Sipas përgjegjësit të stacionit zjarrfikës në Sarandë, Rakip Muzhai, janë dashur 6 orë për ta shuar zjarrin masiv të rënë në plantacionet e ullishtave të Sopikut. Dëmet e shkaktuara llogariten në rreth 2 mijë rrënjë ullinj të djegura dhe një sipërfaqe e madhe me vreshta. Incidenti është bërë shkak që nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, të thërrasë paraditen e së mërkurës një takim operativ. Pjesëmarrës në të kanë qenë drejtues të Komunës Livadhja, punonjës të stacionit zjarrfikës në Sarandë, drejtues të Ndërmarrjes së Pyje–Kullotave dhe të Komisariatit të Policisë së Rendit. Nga diskutimet e bëra është përcaktuar se shkak i zjarrvënies ka qenë praktika e djegies së kullotave nga barinjtë, edhe pse nuk është identifikuar ndonjë emër konkret. Besim Palamani, shef i Komisariatit të Policisë së Rendit në Sarandë, tha se po hetohet për persona konkretë si autorë të mundshëm të vënies së zjarrit. Komuna e Livadhjasë, ku u shfaq edhe zjarri i parë i kësaj vere, ka qenë më e prekura dhe më e dëmtuara edhe vitin e kaluar. Nisur nga kjo, kryetari i saj, Irodhi Dalani, kërkoi që një nga zjarrfikëset të jetë e gatshme në këtë komunë, ndërkohë që mbulimi i shpenzimeve për karburantin e automjetit zjarrfikës janë marrë përsipër nga komuna.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›