E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg pa afat për nënë e bir që vranë 48-vjeçarin

Fier Gjykata vendos transferimin e çështjes drejt gjykatës së të miturve në Vlorë

Burg pa afat ka vendosur Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier për Luljeta dhe M. Zeqajn, nënë e bir, të cilët u arrestuan si autor të vrasjes së ish-bashkëshortit dhe babait. Seancat e para gjyqësore për dy autorët e vrasjes së Ylli Zeqajt janë zhvilluar të ndara nga njëra-tjetra, ndërkohë që në fund të tyre është vendosur transferimi i çështjes drejt gjykatës së të miturve në Vlorë, për M. Zeqajn, për shkak të moshës së tij të mitur. Seanca e parë gjyqësore për Luljeta Zeqajn dhe djalin e saj është zhvilluar në orën 10.00 të së mërkurës dhe gjyqtar ka qenë Gentian Hamiti. Fillimisht ka qenë gruaja vrasëse Luljeta ajo që është sjellë në gjykatë për masë sigurie. Gjyqtari i çështjes ka vendosur zhvillimin e saj me dyer të mbyllura. Ai ka shmangur mediat e pranishme, duke kërkuar largimin e tyre me anën e uniformave blu prezent në sallë.

Pas Luljeta Zeqajt në gjykatë është sjellë edhe djali i saj. Prokuror i çështjes ka qenë çlirim Sino, ndërkohë që dy autorët përfaqësoheshin me avokatin e gjetur nga të afërmit e tyre, Toto Avdia, ky i fundit anëtar i Dhomës së Avokatisë Fier. Seanca e parë gjyqësore nuk ka zgjatur më shumë se 1 orë dhe të ndaluarit nuk janë lejuar që të komunikojnë me të afërmit prezent pranë gjykatës. Në përfundim të seancës, gjyqtari Gentian Hamiti ka vendosur që gjyqi ndaj Luljeta dhe M. Zeqaj të transferohet drejt gjykatës së të miturve në Vlorë. Vendimi ka ardhur pas kërkesës së avokatit Toto Avdia, si dhe prokurorit çlirimi Sino. Gjithçka lidhet me moshën e mitur të një prej autorëve, pikërisht djalit. Prokurori i çështjes Sino është shprehur se konform procedurave ligjore kjo kërkesë është marrë parasysh nga gjykata. Në seancën e parë gjyqësore asnjë nga dy autorët nuk ka preferuar të flasë. Sipas avokatit, Luljeta nuk është përfshirë në aktin e vrasjes, edhe pse ka qenë prezent në atë moment. Vrasja është kryer nga i biri, i cili është provokuar nga i ati. “Ylli Zeqaj ka marrë thikën e bukës dhe i është drejtuar Luljetës. Ajo është mbrojtur duke nxjerrë dorën përpara dhe për pasojë edhe sot në të ka një të thelluar të madhe. Më pas situata është acaruar”, ka thënë për gazetën avokati Toto Avdia.

Pavarësisht mbrojtjes dhe pretencës së prokurorit, gjyqtari Gentian Hamiti ka cilësuar të ligjshëm arrestimet e Luljeta dhe M. Zeqaj, si dhe i ka lënë ata në burg pa afat.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›