E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i Bashkisë; Gafa, mungojnë 100 milionë lekë

Buxheti i Bashkisë së Tiranës, i parashikuar për vitin e ardhshëm, rezulton të ketë 100 milionë mangët. Një faqe e tërë e buxhetit ka të tërë përllogaritjen se sa është ai në total. Shifra kap vlerën e 7.6 miliardë lekëve. Ndërkohë që nga ekonomistët mbledhja e shifrave është bërë gabim, duke rezultuar në fund të jenë mangët 100 milionë lekë, që Bashkia e Tiranës nuk i ka justifikuar në asnjë vend.

Denoncimi është bërë nga kryetarja e grupit të këshilltarëve të grupit të LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, znj. Monika Kryemadhi. Ajo ka pohuar se ka arritur në këtë përfundim nga një studim i kryer nga grupi që ka ngritur posaçërisht për përllogaritjen e buxhetit. Kryemadhi, dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ka pohuar se përveç shumë mangësive të tjera të evidentuara në buxhet, mbledhja gabim e totalit të tij është bërë qëllimisht për arsye përfitimi.

Buxheti

Për herë të parë gjatë këtij viti, kryetari i baskisë, Edi Rama, vetëm dje ka qenë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Debatet e ashpra kanë ndezur Këshillin Bashkiak gjatë prezantimit të buxhetit për vitin 2009 nga kryebashkiaku Edi Rama. Në bazë të rendit të ditës, Rama prezantoi planet për vitin e ardhshëm, duke u fokusuar në investimet në infrastrukturë, pastrim dhe arsim.

Buxheti i hartuar nga bashkia nuk u mirëprit nga këshilltarët e djathtë dhe përfaqësues të LSI-së, të cilët drejtuan një sërë pyetjesh për kryetarin e bashkisë, deri në momentin që Rama vendosi të largohet duke ndezur një debat mes këshilltarëve. Mbledhja e Këshillit Bashkiak pas largimit të Ramës ka vijuar me diskutime nga këshilltarët. Në bazë të ligjit, buxheti i bashkisë për vitin 2009 duhet të miratohet brenda muajit dhjetor. Për miratimin e tij duhen minimalisht 28 vota “pro” të këshilltarëve nga 53 që ka Këshilli Bashkiak. Ndërkohë që as dje ai nuk mori minimumin e duhur për t’u miratuar, kështu që u shty për mbledhjen e radhës.

Kryemadhi

Pas kësaj, diskutimi ka vijuar me debate të ashpra, ku këshilltarja dhe njëkohësisht edhe kryetarja e grupit të këshilltarëve të LSI-së në Këshillin Bashkiak, Monika Kryemadhi, ka paraqitur detaje të tjera problematike të buxhetit. Rritja e vazhdueshëm e tarifës së taksave të vendosura nga bashkia është edhe kjo një abuzim i hapur i bërë nga Rama për të mbajtur me rroga të majme 3200 punonjës që ka të punësuar. Sipas Kryemadhit, buxheti i 2009-ës është 50 për qind me kredi. “Nga ana tjetër, - ka vijuar ajo, - këtij buxheti i mungon analiza krahasimore në mënyrë që të evidentohen investimet e bëra për 2008-ën dhe ato që do të kryhen në 2009-ën. Mangësitë vazhdojnë, -pohon Monika Kryemadhi, - ku lekët e qytetarëve shkojnë në xhepat e bashkisë. Vetëm gjatë këtij viti Bashkia e Tiranës ka vjelë 131 milionë lekë të reja gjoba nga parkimet e gabuara. Por ajo që vërej unë është se edhe në buxhetin e 2009-ës nuk janë parashikuar parkimet, sërish do të ketë gjoba dhe lekë që u vidhen xhepave të qytetarëve. Dhe as për vitin 2010 dhe as për 2011 nuk do të ketë”, -ka përfunduar ajo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›