E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fobia patologjike e Ramës ndaj njerëzve

01-05-2013 / Nga Kostaq Xoxa

Edi Rama është personifikimi i njeriut që, në marrëdhënie me njerëzit – dhe jo vetëm me kundërshtarët politikë, - ka një fjalor të të folurit që është pak të quhet agresiv. Në marrëdhënie me gazetarët / gazetaret, po se po. Mjafton të paraqiten disa foto, në të cilat ai duket sikur kërkon ta masakrojë një gazetare për një pyetje e cila nuk i tingëllon për mbarë në vesh. Këtë lloj qëndrimi ai e ka trashëguar, si bllokmen, nga babai i tij shpirtëror, Enveri, që e quante armik édhe të dyshuarin për komplotist, i cili s’ka pas qenë i tillë, përveçse viktimë e thashethemeve të kulisave të brendshme të Bllokut (e jashtë tij). Të të gjitha niveleve, gjer në funksionarë të lartë, gjer në anëtarë të K.Q. apo të B. Politike. E kemi parë fjalorin vulgar të E.H.-s në kronika televizive të shumta, pas  ndryshimit të sistemeve.
Këtë fizionomi të tijën, të fjalës së pakontrolluar, e gjen të dokumentuar me shkrim qoftë në librin e parë “Refleksionet”, që e bëri harakiri me anë të  “Kurbanit” të cilin, mbase, do ta shkrumbojë për të bërë të qenësishëm një libër të tretë! Sot për sot Edvini është i shartuar ndërmjet antienveristit të dikurshëm ekstremist, në enveristin e jashtëkohshëm të orgjive të Pezës, të mëvonshëm. Por, si inkoherent, edhe sot e kësaj dite e dredh sërish  vrerin kundër diktatorit, si në faqen 157 të “Kurbanit”: E quan Enverin paranojak, që shfarosi  shokët e luftës, të cilët “i zhduku një e nga një, duke hapur frymën e Revolucionit Kulturor kinez, për 40 vjet”. Por komunistët enveristë  dhe mëkatarët e pacenuar me të cilët bashkëpunon, nuk ia vënë ré; se e dinë  se atë qëndrim të mëparshëm kundër E.H.-s, nuk e kishte me gjithë mend, ndërsa këtë të dytin e ka të trashëguar. Është fakt se në atë mori partish që e ka në koalicionin e vet personal, dy janë të Partisë së Punës dhe dy parti të tjera me emblemën PPSH- së! Ja ç’kuptim ka ajo “të mbledhim sa më shumë, qoftë edhe qelbësirat, që të rrëzojmë Saliun!”.  As në fushatë zgjedhore s’e ka përdorur kurrë togfjalëshin ‘zoti Berisha’, qoftë për reciprocitet!
Por dokumenti më i saktë i këtij mllefexhiu, me një barrë urrejtjesh brenda qenies së e vet, është “Kurbani”. Duke i shndërruar dëshirat në realitet, ai shkruan, në f. 141, diçka të pabesueshme për ata që kanë pasur durimin ta lexojnë gjer në fund. Aty gjejmë  një frazë, në të cilën shprehet për miqësinë dhe thotë se “nuk ka lënduar kënd dhe, nëse ka ndodhur ndonjëherë, kjo është bërë pa qëllim apo jo me dashje”. Bëhet kundërthënës. Sado që nxjerr vetveten me atë Saliu...Saliu... pafundësisht Saliu... doktorit nuk i gjendet dot asnjë foto e vetme që të mos jetë fytyrëqeshur në  prani të gazetareve. Apo të shpërfillë ndonjërën prej tyre, duke dhënë  përgjigje tjetër për tjetër, apo  duke mos u përgjigjur fare!
Por le ta shohim konkretisht, po në këtë libër. Për Andi Bushatin thotë se shpesh nuk ia miraton opinionet. Dhe këtu përmendet edhe opinioni i Bushatit “ku ka zë, s’është pa gjë”. Albert Brojkën e përflet se është ankues: “Nuk i dalin fondet(f.46). Në f. 48 tallet me një person të cilit nuk ia përmend emrin ( e quan ‘mustaqelliu’) që i kishte thënë “Ne po e shkulim komunizmin kah dera, ju neokomunistët doni me na e futë kah penxherja”. F. Lubonjën e zë në gojë si njeri që ka humbur njëanshmërinë dhe e damkos me sentencën se “është stalinist ndaj personit të tij”. Shton se “ndjehet dëshpërimisht më i vogël nga ç’është në të vërtetë”. Në faqet 59-60 merret me F. Nanon, qe e quan “Mjekrra” dhe bën fjalë për “perversitetet e tij të kthyera në instrument lufte politike”. Në f. 60 flet për krisjen e raporteve njerëzore me F. Nanon që ia kanë lënë vendin një distance të acartë. Thotë se i kishte vënë kazmën Qeverisë socialiste (të I. Metës). Do të shkonim gjatë me F.N.-n, ndaj të cilit  flet me mllef të papërmbajtur edhe në faqe të tjera, ku e telendis si pijanec. Në f. 67, kolonel Mit’hat Havrin e quan tekanjoz e llafeshumë. Në atë kohë Havari ishte drejtor i policisë ndërtimore. Ai i kishte mjetet motorike për prishjen e ndërtimeve të paligjshme. Por z. Havari i del në replikë në gazetë dhe e stigmatizon si një megaloman të etur për protagonizëm. “Sepse Rama nuk ishte i ngarkuar veçse për rregullimin e barit (në Parkun Rinia). Bashkim Finon e përcakton  “pajtues gjaqesh” dhe  e përflet se ‘mbyllte shtegun e punëve nën presionin e të parit të qeverisë’(151). Në kuptimin e servilit qejf pa prishur? Në f. 166 flet për “dokrrat e Blendi Fevziut” për librin e suksesshëm të këtij për E. H.-n. Për S. Ngjelën (143) tregon se “ndodhej ne majën e PD-së, i angazhuar si retushier (në kuptimin e ‘zbukuruesit’) i palodhur i imazhit të sakatuar të Doktorit”. Thotë edhe sesi e mundi për kandidaturën e kryetarit të Bashkisë, ndërsa Spartaku kishte thënë njëherë, rrallë e për mall,  se “Ia kishte vjedhur votat Rama”. Por lexuesi ka të drejtë edhe ai të thotë fjalën e tij. Këtë e tha rastësisht “i munduri”? Por, i lidhur si tepër me Ramën për mitingjet subversive, duke i dalë për zot Edit në mitingjet aspak paqësore, duke i mbajtur ison aleatit të ri në lajtmotivin qaraman të Edit se ia kishte vjedhur votat Saliu, a nuk ia kishte bëri hallall ato votat që vetë Rama ia kishte vjedhur Spartakut? Apo këtë shprehje e kishte nxjerrë një herë të vetme sa për t’u shfajësuar se nuk dinte ta mbronte votën e tij nga Edi, që ishte më zanatçi në këtë punë? Në kllapë mund të themi se qysh tani, para se të vijmë në datën 23 qershor, Edvini kërkon të bëhet i besueshëm në thënien e tij mashtruese se “do t’ia vjedhin votat!”. Pavarësisht se shton se  do të bëjë namin, ‘se ne nuk ia lëmë!’. Fjalët kërcënuese të tij shkojnë gjer në aluzionet e një ’97-e të dytë. Në ia lënçin! Për I.Metën do të zgjateshim shumë, se ia përmend emrin jo në një apo në dy faqe.
Për të mos u bërë monoton para lexuesit, më duket se ka dalë edhe me kaq ai mllefi çnjerëzor ndaj thuajse të gjithë personave të cilët ai  njeh, duke filluar nga më të afërtit. Kjo mujshí e tij e pafrenueshme ka çuditur edhe opinionin austriak me qëndrimin në akademinë vjeneze ndaj një diplomati shqiptar me funksion në OSBE, z. Egin Ceka, të cilin e trajtoi sikur të ishte një kureshtar i rrugës! Sipas zakonit të tij gojëprishur, E.R.-a u soll si zot shtëpie, ndërsa ishte mysafir, kur diplomati Ceka ishte gjithmonë i mirëpritur në mbledhje të tilla dhe, për të mos e fyer Ramën, pas mbarimit të mbledhjes, i afrohet dhe sinqerisht i paraqiti vërejtjen që nuk ishte figurë e mirë që të shaheshin të gjithë diplomatët shqiptarë jashtë atdheut. I zemëruar, mysafiri e mbërtheu flokësh dhe e tërhoqi prej veshëve, duke habitur të pranishmit e huaj. Se shqiptarët ia dinë edhe broçkullat e tjera, që infermieret duhet të venë me burrat në spital, se mos  u rrëmbehen gratë nga pacientët!
Dhe çudia e radhës qëndron në atë se nuk mungojnë shebekë të kryetarit, të dënuar ligjërisht për shpifje, që të na thonë se provokatori  në një sallë të Vjenës nuk është kryetari nihilist i PS-së, por diplomati shqiptar! Sikur shqiptarët nuk kanë sy në ballë që ta shihnin ngjarjen e filmuar!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›