Fokus/ Ardiana Berberi, pasi rruajti Nanon, do të rruajë edhe Ramën!

Këshilltarja socialiste në Bashkinë e Tiranës Adriana Berberi doli në një medie-pushkë e Ramës për të goditur vendimin e qeverisë në lidhje me dhënien me qira të Konviktit të pabanueshëm të Gjuhëve të Huaja për një universitet privat. Zonja Adriana Berberi përpara se të denoncojë universitetet, duhet të pyesë veten a mos është në konflikt interesi fakti se është (apo ka qenë) administratorja e deleguar e një universiteti tjetër privat në Shqipëri. Administratorja e Deleguar në Universitetin M. B. është në konflikt interesi me detyrën funksionale dhe nuk mund të sulmojë një tjetër universitet privat duke keqpërdorur lidhjet e ngushta politiko-mediatike të majta. Zonja Berberi ka një përvojë të gjatë pune në administratën publike ku veçanërisht gjatë viteve të qeverisjes së të majtës, nga 1997 – 2005, në të cilën ka patur detyra si Zv.Ministër i Financave, Zv.Ministër i Ekonomisë, Drejtore Kabineti e Kryeministrit etj. Gjatë kësaj periudhe zonja Berberi ka drejtuar disa komitete qeveritare si ai i borxhit të brendshëm, i trajtimit të Kredisë Greke, kryetare dhe anëtare komiteteve te përbashkëta të bashkëpunimit dhe Zhvillimit të Shqipërisë me disa vende si Greqi dhe Rusi. Ajo bile hyri në histori si njeriu i 19 bordeve, çka shkaktoi irritim edhe tek vetë kryeministri Nano, i cili kuptoi (paçka se vonë), se ishte “rruajtur” prej Berberit.
Megjithatë zonja Berberi është edhe e njohur për goditjet e saj me shënjestër të telekomanduar. Si Ish-zëvendëndministre e Financave të Fatos Nanos ajo “rruante” dynjanë dhe biznesin për të plotësuar deficitet e mëdha në buxhetin që mendohej se menaxhonte me kujdes. Por jo me aq kujdes sa mund të zbulohej prej llogarive rrjedhëse nga ana e agjencive të specializuara.
Sido që të jetë, një gjë është e sigurt: Adriana Berberi duhet të heqë dorë nga metodat e rruajtjes që përdorte me Fatos Nanon, sepse Edi Rama përdor Berber tjetër për punët e veta dhe deklarimet e saj s’i ofrojnë Edvinit kurrfarë shërbimi pasrruajtës!