E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/ Belgjika në zgjedhje ndahet mëdysh, por Mbretëria nuk lëkundet

Aleanca e re flamande (N-VA), e drejtuar nga Bart De Uever, i cili ishte në gjendje të mblidhte në Flandrë rreth një votë në tre persona, është fituesi i vërtetë i zgjedhjeve legjislative në Belgjikë. Në anën e valonëve ose frankofonëve, megjithatë, ka fituar Partia Socialiste. Një rezultat historik, sipas gazetës më të madhe Belge “Le Soir”, që mund të vërë pikëpyetje themelet e shtetit belg.
Fitorja e nacionalistëve flamandë të N-VA-së, një parti populiste, anëtarët e së cilës i përshkruajnë banorët e Jugut valon frankofon si parazitë që jetojnë mbi kurrizin e flamandëve, nxjerr në pah dështimin përfundimtar të Liberalëve, të mundur rëndë, si në Veri, ashtu edhe në Jug, çka parathotë një kuadër politik të polarizuar, me një të çarë në mes, gjithnjë e më të qartë mes flamandëve dhe valonëve.
Me 27 përfaqësues të zgjedhur në Dhomën e Deputetëve, “N-VA”-ja bëhet partia më e madhe në Belgjikë. Një rezultat i paparë. Dhe sipas gazetës franceze "Le Monde", separatistët flamandë nuk do të kenë zgjidhje tjetër, përpos se të kërkojnë një aleancë me socialistët valonë, pasiqë, kështu siç janë, nuk i kanë numrat për të drejtuar një qeveri federale. Gjithsesi, ata mund të vendosin të lejojnë që qeverinë ta drejtojë kreu i socialistëve, Elio Di Rupo. Edhe duke marrë parasysh se Di Rupo është ndoshta më i hapur për të kërkuar një kompromis me flamandët për reformën e shtetit federal në krahasim me partitë e tjera frankofone.
Në një editorial, gazeta belge “Le Soir” kërkon të gjejë pikat e kontaktit mes zgjedhjeve në Belgjikë dhe atyre Holandë. “Fushata zgjedhore holandeze kishte dhënë përshtypjen e një vendi serioz dhe të një sistemi të besueshëm politik, në dallim me polemikat separatiste që kanë dominuar diskursin e politikanëve belgë. "Në Holandë sondazhet zgjedhore jepnin një rezultat të madh për Liberalët dhe recetës së tyre për shkurtimet në shpenzime për të shmangur fundosjen si në rastin e Greqisë. Përballë fantazmës së krizës, na thanë se, holandisht janë në gjendje të qëndrojnë kompaktë, ndërsa ne vazhdojmë të ndahemi. Por, realiteti është i ndryshëm: holandezët i kanë dhënë Gert Uilders, dhe partisë së tij populiste një peshë të papritur. Uilders nuk ka marrë vetëm votat e atyre që nuk duan një vendi multi-kulturor, por edhe ato të qytetarëve të frikësuar nga pasojat e krizës”. “Kjo do të thotë se Holanda nuk është ai vend shembullor që ne belgët imagjinonim. Në të kundërtën, kjo tregon se ne po përballemi me një periudhë ndryshimesh të mëdha: të shoqërisë holandeze dhe të shtetit belg”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›